E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri: PD humbi një nga kryetarët e saj të përgjegjshëm

02-04-2012 / Gazeta 55

Berisha në homazhe për Gëzim Demçollin

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një vizitë ngushëllimi në familjen e z. Gëzim Demçolli, kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, i cili u nda nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, në Bilisht. Kryeministri Berisha i shprehu bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmve ngushëllimet e tij më të thella, të qeverisë dhe Partisë Demokratike, për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut të tyre të dashur. “Gëzimi ishte modeli i njeriut shembullor, i prindit, i bashkëshortit shembullor, i qytetarit të ndershëm dhe të përkushtuar, i zyrtarit të përgjegjshëm. Lë mbrapa një emër të shkëlqyer”, tha ai. Berisha u shpreh se ndarja e tij e parakohshme nga jeta është një humbje e madhe edhe për PD-në. “Partia Demokratike ka një humbje të veçantë në këtë rast, se humbjet jo vetëm një qeveritar të sprovuar vendor, kryetarin e Këshillit të Qarkut të Korçës, por edhe një prej kryetarëve më të talentuar të degëve të saj, siç ishte kryetari i degës së Devollit. Edhe një herë ngushëllimet më të thella e të sinqerta për familjen, për qytetarët e Devollit, Korçës e demokratët e mbarë Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri Berisha. Gëzim Demçolli ndërroi jetë në banesën e tij në Bilisht në moshën 54-vjeçare. Ai vuante prej disa kohësh nga një sëmundje e pashërueshme. Demçolli u vendos në krye të Këshillit të Qarkut të Korçës pas zgjedhjeve vendore të vitit të shkuar, si përfaqësues i Aleancës për Qytetarin. Ai drejtoi këtë institucion të rëndësishëm vendimmarrës në juglindje prej 7 muajsh. Në homazhet për Gëzim Demçollin merrnin pjesë përveç Kryeministrit Berisha edhe Ministri i Financave, Ridvan Bode njëherësh deputet i Devollit, por dhe zv/ministri i Brendshem, Ferdinant Pone, prefekti i Qarkut, deputetë të zonës dhe zyrtarë të lartë vendorë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›