E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë vrasësit të kënaqur

Share

Nga Mero Baze

Shqiptimet e dënimeve nga gjykata për tragjedinë e Gërdecit shkaktojnë pa dashje nervozizëm në shoqërinë shqiptare, jo aq për cilësinë e vendimeve, por për kontrollin politik me të cilin janë marrë ato. Për hir të së vërtetës kështu si u katandis gjykimi i asaj çështje, pas përjashtimit të gjykimit të linjës politike, këtu do të përfundonte. Edhe pse njerëzit janë nervozë me dënimet e lehta për 26 të vrarë, edhe pse për shumëkënd është çudi që gjykata nuk merr në konsideratë faktin që dikush ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, gjykimi i personave teknikë të kësaj çështje të sjell në këtë situatë. Pasi Gjykata e Lartë pezulloi gjykimin e Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu më 15 shtator të vitit 2009, kjo çështje praktikisht u mbyll, pasi qysh atëherë u mbyll arsyeja pse kish ndodhur ajo tragjedi.

Nervozizmi i parë shkaktohet nga fakti se në perceptimin publik është e qartë se pas biznesit vdekjeprurës qëndronte i biri i kryeministrit, Ministri i Mbrojtjes dhe një rreth biznesmenësh rrotull tyre. Provat ishin të mjaftueshme që ata të hetoheshin dhe gjykoheshin. Siç e ka thënë dhe ambasadori Withers, ngjarja ndryshoi historinë e Sali Berishës në politikë dhe prej asaj ditë ai u bë kundërshtari numër 1 i sistemit të drejtësisë derisa e gjunjëzoi atë për të mos u gjykuar kurrë ky krim.

Pasi arriti ta mbyllë gjykimin e linjës politike në Gërdec, opinioni publik kishte një pritshmëri naive nga procesi i gjykimit se mos dikush nga biznesmenët e akuzuar do të mund të fliste për të dëshmuar lidhjet politike të këtij biznesi dhe përgjegjësinë e shtetit. Teknikisht Mihal Delijorgji, kunati i vet apo personat e tjerë teknikë në këtë histori, nuk i percepton askush si pronarë realë të këtij biznesi dhe askush nuk ishte në makth nëse ata do të dënoheshin shumë apo pak. Ajo që prisnin nga gjykimi njerëzit ishte nëse gjykimi do të ishte në atë thellësi sa këta biznesmenë fasadë të pranonin lidhjet reale që kishin me pushtetin e Familjes Berisha në këtë histori. Pikërisht këtu ndërhyri dhe Sali Berisha në drejtësi. Investimi i tij për të poshtëruar drejtësinë dhe për ta futur atë nën kontroll shkonte deri në atë masë sa të qetësonte biznesmenët që po gjykoheshin se ata do ta kalonin lumin me një dënim të lehtë dhe gjithçka do të mbyllej. Dhe e mbajti fjalën. Dënimet e tyre janë teknike dhe ne nuk duhet të merremi më me ta. Përballë nesh është vetëm një betejë, e cila nuk duhet të ndalet kurrë dhe ajo është beteja që duhet të çojë para drejtësisë djalin e Sali Berishës me rrethin e tij dhe Fatmir Mediun, për të dëshmuar dhe për tu gjykuar për atë që kanë bërë për të shkuar deri tek ky biznes. Dënimet ndaj biznesmenëve apo drejtorëve e gjeneralëve në këtë proces, ishin në atë masë saqë të gjitha palët të mbeteshin të kënaqur. Me këtë proces Berisha dëshmoi se e kontrollon qetësisht gjyqësorin dhe se nuk ndjehet i kërcënuar më nga asnjë skandal që mund ti ndodhë në karrierën e tij. Të gjithë ata që u përfshinë në tragjedinë e Gërdecit si shkaktarë të tragjedisë janë tashmë të kënaqur dhe nuk kanë arsye të japin dëshmitë e tyre mbi djalin e kryeministrit dhe vetë këtë të fundit në këtë histori. Njeriu më i pasigurt në këtë pikë ishte Fatmir Mediu, i cili nisi të flasë nëpër tavolina për pafajësinë e tij dhe rolin e Shkëlzen Berishës, por cicërimat e tij u ndërprenë kur Berisha i doli zot dhe ia mbylli çështjen në Gjykatë të Lartë duke e ribërë përsëri ministër. Tani askush nuk ka gojë të ankohet për Berishën. Të gjithë vrasësit duhet të jenë të kënaqur. Gjeneralët të marrin atë pagën e shkurtuar të pensionit të parakohshëm dhe të heshtin, biznesmenët të paguajnë pak më shtrenjtë lirinë e tyre dhe të dalin, Mediu të jetë më i dëgjueshëm ndaj Berishës dhe të rrijë aty me imunitet, ish Shefi i Shtabit të marrë atë statusin e azilantit politik në SHBA duke u ankuar që është i kërcënuar nga Shkëlzen Berisha dhe të rrijë larg. 26 të vdekurit dhe familjarët e tyre natyrisht që janë të shokuar nga e gjithë kjo histori, por zemërimi i tyre është një zë në shkretëtirë. Sali Berisha është personalisht i përfshirë në debatin për licencimin e kësaj fabrike qysh ditën e parë, i biri i tij u bë anekdotik në korridoret e Ministrisë së Mbrojtjes dhe disa ministrave të tjera duke sharë ministrat që i vononin letrat e fabrikës, rrethi i biznesmenëve të tij shkoi dhe më tej në oreksin për demontimet duke u përfshirë dhe në skandalin e trafikut të armëve drejt Afganistanit, dhe tani janë të gjithë të qetë, se e mbyllën me letra këtë skandal. Të gjithë të dënuarit janë të kënaqur me dënimet. U dënua aq sa duhet për të mos folur. Çdo dënim më i lartë do të prishte heshtjen. Është rregulli nr.1 i mafies kudo. Natyrisht këtu tek ne, ku mafia është këmbëkryq në pushtet, ky rregull është gati kushtetues. Kush hesht, nuk dënohet, kush flet, ndëshkohet. Kjo është Republika e Mafies sonë. Jetojmë nën pushtetin e Familjes Berisha.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›