E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjithëve po u shijon qëndrimi në dhomën e ndenjes së BE

Share

Gjergji Vurmo

Lajmi se Komisioni për Marrëdhëniet me jashtë në Parlamentin Europian nuk do të përgatisë një raport për Shqipërinë për të dytin vit me radhë tregon se oferta e vendit për anëtarësim në BE ka ngecur, thonë ekspertët

Nga Besar Likmeta, BIRN

Përveç zgjedhjes së Avokatit të Popullit, asnjë nga prioritetet për statusin e kandidatit nuk është adresuar, thotë Gjergji Vurmo, një ekspert për integrimin në BE pranë Institutit për Demokraci e Ndërmjetësim në Tiranë.

Sa më shumë u afrohemi zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, aq më të pakta janë shanset për një progres real, për shkak se politikanët në të dy palët janë më të interesuara për hilet e zgjedhjeve, shton Vurmo.

Shqipëria aplikoi për statusin e kandidatit në prill të vitit 2009, por oferta u refuzua për herë të dytë tetorin e shkuar duke theksuar krizën paralizuese politike, e cila bëri që reformat të mbeten në vendnumëro.

Komisioni Europian bëri me dije se nuk ishte bërë progres i mjaftueshëm në dialogun politik apo në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Europian të enjten miratoi raporte për të gjitha vendet në rajon.

Por Komisioni nuk hartoi një raport për Shqipërinë për diskutim në seancë plenare në parlament duke sjellë si arsyetim mungesën e progresit në vend.

Politikanët shqiptarë në njëfarë mënyrë po e shijojnë të qëndruarit në dhomën e pritjes së BE për shkak se asistenca financiare nga Komisioni vazhdon, ndërkohë që nuk ka një presion të përqendruar nga Brukseli për progres, thotë Vurmo.

Sipas Vurmos, natyra e mjegullt e kushtëzimit të BE u jep politikanëve vendas luksin e përzgjedhjes së reformave që duan të bëjnë ose jo.

Komisioni Europian dhe disa vende anëtare të BE gjithashtu po e shijojnë që ne kemi ngecur në dhomën e pritjes për shkak të krizës së vështirë me euron, e cila ka shtuar lodhjen me zgjerimin, shton ai.

*Titulli është redaksional

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›