E Diel, 1 Nëntor 2026

Të harruarit

 Kam qënë në Prishtinë për disa ditë, në pranverën që shkoi, kur një TV Kombëtar nga Shqipëria jepte në disa pjesë një program kushtuar ngjarjeve në Kosovë, historisë më të afërt të saj, duke u përqëndruar te shkëputja e ish-Republikave Jugosllave, te organizimi i shqiptarëve për shtet të pavarur rreth presisendtit Rugova, te lufta e UÇK-së, te ndërhyrja e NATO-s dhe aleatëve perëndimorë etj. Programi televiziv mbështetej ndër të tjera, sikurse është e udhës edhe te intervistat dhe opinione marrë kryesisht nga njerëz që i takojnë botës së mediave. Nga bisedat që kam patur me miqtë dhe kolegët që më mirëpritën, pjesa më e madhe e tyre intelektualë të mirënjohur në hapësirën mbarëshqiptare, shkrimtarë, poetë, piktorë, gjuhëtarë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, vihej re menjëherë një mospajtim me theksimet e prodhimit televiziv nga Tirana: nga njëra anë, liheshin në heshtje ose minimizoheshin njerëz apo ngjarje me rëndësi të madhe e kontribut pozitiv në zhvillimet historike të Kosovës, e nga ana tjetër iu jepej rëndësi dhe autoritet i pamerituar disa personazheve që në Prishtinë nuk gëzonin popullaritet e respekt, për të mos thënë se disa syresh shiheshin me dyshim e perceptoheshin negativisht para, gjatë e pas luftës çlirimtare atje. Herë duke iu bashkuar indinjatës së bashkëbiseduesve të mi, herë duke arsyetuar më vete ngushëllueshëm se e vërteta vonon por nuk harron, edhe unë kam qenë në pritje që koha objektive, njerëzit e angazhuar profesionalisht të ndriçojnë më tepër, më mirë e paanshëm ngjarjet në Kosovë, prapaskenat që janë luajtur atje, të evidentohen personalitet që kanë sakrifikuar vite të tëra të jetës së tyre për çëshjten e madhe çlirimtare, të flitet pa komplekse megalomanie a përçimimi për rezistencën paqësore dhe për luftën e armatosur, për durimin dhe martirizimin popullor në atë pjesë të trojeve shqiptare.
Ka disa libra kujtimesh të ish-ushtarëve dhe drejtuesve të lartë të UÇK-së, ka monografi të porositura kushtuar batalioneve të veçanta të saj, kushtuar dëshmorëve të veçantë, por të gjitha këto sprova dokumentare, me sa kam parë, ndonëse duken si gurë të çmuar, në vetvete nuk e formojnë ende mozaikun e plotë të ngarjeve, nuk e rrokin dot metodikisht dinamikën dhe dialektikën e fragmentit historik për të cilin flasin e kemi nevojë të dimë më shumë. Për më keq, jo rrallë ka personalizim të ngjarjeve, ngjyresa të tepruara emocionale, përvetësim vetjak të meritave kolektive, ka deklarata demonizuese në dëm të njëri-tjetrit, ka urrejtje dhe përjashtim përçmues midis vetë atyre që njihen si të përkushtuar për Kosovën, ka antagonizëm armiqësor midis protagonistëve shqiptarë që ishin në të njëjtën anë të barrikadës, pavarësisht mjeteve e formës së zgjedhur për realizimin e qëllimeve, pavarësisht formulës së gjetur partiakisht për mbërritjen e idealeve të përbashkëta. Kështu, pritja për t'u përballur me të vërtetën vazhdon. Dhe nuk është fjala për mistere piramidash ose gjurmë qytetërimesh të zhdukura. Është radha e vendosjes së një marrëdhënieje të ndershme midis qytetarëve shqiptarë të Kosovës dhe politikës ditore atje, midis të sotmes dhe së djeshmes, midis partive politke dhe kredibilitetit të tyre të sprovuar historik. E thënë më thjeshtë: nga pjesëmarrja dhe ndihmesa reale në betejat e vështira që ka përballuar Kosova, sprova legjendare e luftës çlirimtare dhe sfida po aq e vështirë e paqes dhe e negociatave, formësimi shtetëror sipas formatit europian, nga këto varet reputacioni dhe legjitimiteti i atyre që rreken të dalin dhe të qëndrojnë në krye të vendit, në postet më të larta të pushtetit e të qeverisjes. Kuptohet, nga marrëdhënia me të shkuarën e afërme historike, ku jehojnë ende të freskëta deklaratat për tradhtarë dhe heronj, për kolaboracionistë dhe për terroristë, për jugosllavistë e enveristë... e kështu me radhë, nënkupton automatikisht pjesëmarrje ose përjashtim në masë të përfillshme nga skena politike në Kosovë, rrudhje ose bymim i stimuluar artificialisht i elektoratit mbështetës, çka përkthehet në poste, privilegje, përgjegjësi, jetëgjatësi historike dhe afirmim publik.
Shikimi i paanshëm i periudhës tranzitive të Kosovës nga koloni në vend të lirë e të pavarur, shqyrtimi i transformimit të saj rilindës nga krahinë e margjinalizuar brenda ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, në shtet modern europian, humbi një rast të mirë në dyvjetorin e vdekjes së ish-presidentit Rugova. Tani, kur për fatin tonë vendoset diku lart, te e pambërritshmja më prej nesh, në formuet më të rëndësishme botërore, tani kur deklaratat apo qëndrimet tona diplomatike diktohen e monitorohen nga bashkësia ndërkombëtare, pikërisht tani, ka vend dhe nevojë për kujtesë kolektive, për veprimtari shkencore, për përkujtimore, debate, konfirmim e verifikim të vlerave dhe të kontributeve. Po, nuk kemi nevojë për mite. Po, nuk është përvjetor jubilar, por jemi në vitin e parë të Erës së Re, jemi në pragun e shpalljes së vendimeve të rëndësishme, ku promovimi i qëndresës së qytetëruar shtatëmbëdhjetëvjeçare, promovimi i partneritetit të palëkundur me Perëndimin dhe SHBA, rikujtimi i mbështetjes dhe sakrificës ekstreme popullore për pavarësi, do të ishte një argument më shumë, në të mirë të asaj çka presim dhe çka meritojmë ne shqiptarët nga bashkësia ndërkombëtare.
Në përkujtim të Rugovës pati në Kosovë një Ditë të Nderimit të Presidentit, ku autoritetet më të larta bënë figurë të mirë dhe përcollën, brenda e jashtë Kosove, porosinë e duhur, me deklaratat e mençura dhe me nderimet e duhura. Në Shqipëri, në Tiranë e në qendrat e tjera të rëndësishme urbane, nuk pati asnjë veprimtari të shënuar në nder të Rugovës. E paimagjinueshme! Nëse ka dritëhije në aktivitetin e tij politik, le të diskutohen pa ngurrim në nivelet e larta akademike e universitare, ku e ka vendin ai; nëse mbizotërojnë dështimet, inkonseguencat, kontradiktat parimore në aktivitetin e tij atdhetar, le t'i nënshtrohen ato analizave, fakteve, provave kundërthënëse. Por, Rugova nuk ishte vetëm politikan atdhetar. Njëkohësisht, është e provuar se veprimtaria e tij si filolog, si studiues i letërsisë shqipe ka vetëm dritë, ka vetëm shkëlqim, është e madhe, e jashtëzakonshme, e admirueshme, prijatare dhe emancipuese në krejt hapësirën tonë kulturore. E me gjithë këto merita të pakonkurrueshme të tij si në politikë ashtu dhe në kulturë, asgjë e re nuk u zhvillua për nder të tij nga qendrat tona albanologjike, katedra universitetesh, akademi shkencash, ministri arsimi, ministri kulture, masmedia, PEN-klube shkrimtarësh shqiptarë etj. Madje dhe katedrat universitare shqiptare ku studiohen shkenca politike e diplomaci, kishin një rast të mirë të trajtonin profesionalisht një figurë madhore, origjinale e autentike shqiptare. Është domethënëse kjo heshtje. Mbase tregon, së pari, se institucionet e sipërpërmendura, e jo vetëm ato, telekomandohen e nuk drejtohen nga vetvetja, punojnë vetëm me porosi nga lart, me tezë nga jashtë, me direktivë konjukturale politike, partiake a klanore. Mbase e ashtuquajtura inteligjencë shqiptare, elita e saj në këtë pjesë të trojeve tona, është mësuar vetëm të glorifikojë ose të anatemojë skajshëm, është mësuar vetëm të duartrokasë me histeri ose të sikterrisë dhunshëm, verbërisht e harbutërisht, personalitet që me veprat dhe veprimtaritë e tyre shkencore e atdhetare trokasin ndershmërisht në dyert e pavdekësisë.
Presidenti i parë i Kosovës, Rugova pati nderime nga personalitet më të larta të politikës europiane, për të shkroi shtypi më i rëndësishëm botëror, ai pati nderimin e një populli, i cili me pritjen në dëborë dhe në temperatura shumë të ulëta, bëri të venitet paksa madhështia e funeralit të presidentit Kenedi. Ne, në këto anë, në këtë vit të parë të Erës së Re për shqiptarët e harruam udhëheqësin e parë të Kosovës. "Njeriu vlen aq sa mban mend", kanë thënë të moçmit. Edhe një bashkësi e madhe njerëzish, siç mund të jemi ne këndej kufirit, ka mundësi të verifikojë rëndësinë dhe seriozitetin e saj në kandarin e kujtesës historike. Pse jo?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›