E Diel, 1 Nëntor 2026

"KESH, paaftësi, vjedhje dhe përdorje si kobure"

 Gjendja e furnizimit me energji elektrike vazhdon të mbetet një problem i mprehte që po i shkakton ekonomisë së vendit humbje jashtëzakonisht të mëdha. Qeveritë nuk kanë pasur vullnetin të investojnë dhe ta marrin seriozisht gjendjen, por e kanë zvarritur duke ia hedhur njëra-tjetrës topin e përgjegjësisë. Një hallkë mjaft e rëndësishme në këtë zinxhir përgjegjësish i takon edhe KESH-it. Kjo Korporatë, për fat të keq, është kthyer vetëm në një dyqan shitjesh të energjisë. Sigurisht që produkti fare pak është i vendit, pasi si çdo gjë tjetër në Shqipëri edhe energjia importohet. Menaxhimi që i bëhet KESH-it është skandaloz, pasi shpesh kjo Korporate në bilance del me humbje të mëdha. Është e paimagjinueshme që shteti vazhdon të subvencionojë me para ende këtë korporatë ndërkohë që këto para mund të përdoreshin diku tjetër. Kjo korporatë është kthyer në një mejhane ku njerëzit drejtues të saj, jo vetëm që nuk kanë vizionin e drejtimit të saj sipas normave të ekonomisë së tregut, por sukses të tyre quajnë prerjen me pinca në dorë të disa telave të lidhur në mënyrë të paligjshme nga konsumatore abuzues. Dhe për ta, këtu mbaron misioni dhe kthehen sërish në mejhane. Kjo kompani duhet të ndryshojë tërësisht që në rrënjë duke u kthyer në vetëfinancuese dhe jo të lypë para nga buxheti i shtetit. Druaj se edhe pagat e larta të drejtuesve të saj mbulohen nga buxheti i shtetit. Keqmenaxhimin përpiqen ta mbulojnë duke sajuar rritje të çmimit të energjisë sa herë që kompania kërkon të mbulojë humbjet. Por cila është zgjidhja? Nëse ka një të tillë. Natyrisht që zgjidhje ka shumë dhe një prej tyre është privatizimi i sektorëve të veçantë të kësaj kompanie. Vetëm kështu ajo do i përshtatej rregullave të tregut. Në vendet e rajonit, kompanitë simotra të KESH-it janë mjaft aktive në ekonomitë e vendeve përkatëse dhe ndër më të fuqishmet. Ato financojnë dhe ndërmarrin projekte ndërtimi burimesh të reja të energjisë, përmirësojnë teknologjinë, marrin pjesë në vendimmarrje sa i përket politikave energjitike, kanë bashkëpunim me qendra kërkimore etj. Kjo ndodh sepse ato nuk kanë mbetur peng i politikave burokratike të shtetit dhe nuk mbahen me lëmoshë nga buxheti dhe hajdutllëqet. Tek ne KESH është shndërruar në një kompani që di të vjelë vetëm ca lekë aty ku ia japin dhe ka arritur deri aty sa të përdoret edhe si kobure në luftën qeveri-biznese. Atje ku energjia shpërdorohet dhe nuk paguhet KESH-i bën veç sehir me pinca në dore. Situata në KESH si gjithçka në vendin tonë ka lidhje me politikën dhe mënyrën e të bërit politikë duke e zvarritur gjendjen deri në këtë pikë, vetëm e vetëm për të mbetur peng të importit, pasi vetëm kështu do të mund të zhvasin më shumë nga tenderat miliona dollarësh.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›