E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të hënën nis “beteja” kundër duhanit

Sipas drejtuesit të Task Force, Roland Shuperka, Task Force ka marrë takime me inspektorët sanitarë në rrethe për t’u dhënë të gjitha udhëzimet e duhura për nisjen e aktivitetit në 1 shtator.

Sipas tij, që nga 1 shtatori do të nisin kontrollet në të gjithë vendin për zbatimin e ligjit antiduhan nga dy struktura, Task Force, duke bashkëpunuar me inspektorët sanitarë. Ndërkohë që puna e gjithsecilit do të matet me rezultatet konkrete në terren, ndërsa në rast shkeljesh do të ketë masa administrative deri në largim nga puna. 

Ndërsa në rast të konstatimit të moszbatimit të detyrave nga inspektorët, ndihmës inspektorët sanitarë dhe kryeinspektorët e Inspektorateve Sanitarë të Drejtorive Rajonale të Shëndetësisë dhe Drejtoritë e Shëndetit Publik të Rretheve, do të merren masa disiplinore. Ndërkaq, strukturat shëndetësore u kërkojnë qytetarëve të respektojne ligjin antiduhan, duke vendosur tabelat antiduhan, larguar tavllat nga tavolinat, si dhe duke mos lejuar askend të përdorë duhan në ambientet qe administrojnë.

Duhanpirja në Shqipëri

Duhanpirja në Shqipëri, sipas studimeve të ndryshme, është në nivele të larta, ku rreth 40 % e popullsisë konsumojnë duhan. Studimet tregojnë se rreth 60 % e meshkujve dhe 18 % e femrave, shifër me tendencë rritjeje kjo, konsumojnë duhan. Rreth 4 në 10 persona në vend janë duhanpirës, me një shifër përllogaritjeje prej 900 mijë duhanpirës në vend.

Ndërsa, numri mesatar i cigareve të pira në ditë është 19.7 cigare dhe në një vit 6 mijë ton cigare.  Më shumë se 5 në 10 nxënës kanë provuar duhanin me një mesatare 50.3 %, ose 65.6 % e djemve dhe 37.4 % e vajzave. Ndërsa 33.2 % e atyre që konsumojnë duhan e kanë filluar atë para moshës 10 vjeç. Fëmijët e prindërve duhanpirës janë të rrezikuar tre herë më shumë që të bëhen duhanpirës. Në vend, rreth 3300 persona vdesin çdo vit si shkak i duhanpirjes.

Duhani, dëmet në shëndet

Gjatë ndezjes së cigares në tymin e krijuar prodhohen një numër shumë i madh lëndësh biokimike. Me teknikat e ndërlikuara bashkëkohore janë përcaktuar rreth 400 lëndë të tilla, 43 prej të cilave janë me përbërje kancerogjene. Në bazë të studimeve të bëra lëndët më të dëmshme janë ato me veprim të fortë kancerogjen si katrani e benzopireni.

Njerëzit që pinë duhan janë më të prekshëm ndaj sëmundjeve. 55 sëmundje të ndryshme zhvillohen në mënyrë të menjëhershme nga pirja e duhanit. Kështu në sistemin vaskular shfaqen rreth 13 sëmundje, në sistemin respirator rreth 15, në sistemin tretës 5 sëmundje, në sistemin nervor 5, në sistemin urogenital 10 sëmundje, në atë të gjakut dhe kockor 2 lloje sëmundjesh./Start/

                                                                                             2012-09-02 09:39
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›