E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhbllokohet procesi i verifikimit

25/01/2009  Prefektura e Tiranës nis procesin e verifikimit të titujve të pronësisë sipas ligjit nr. 7501

Shqyrtim akteve të marrjes së pronësisë që janë refuzuar nga hipotekat për parregullsi

Zhbllokohet procesi për verifikimin e titujve të pronësisë të lëshuara mbi tokën bujqësore në kryeqytet sipas ligjit nr. 7501. Prefektura e Tiranës, pas mbledhjes së zhvilluar nga komisioni vendor ka nisur procedurën e shqyrtimit dhe verifikimit të gjithë titujve të pronësisë që janë refuzuar nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për shkak të parregullsive të shfaqura në to. Kështu, komisioni vendor i ngritur në këtë, pas vendimit të marrë ka çelur procesin e verifikimit për titujt e shumtë të cilësuar si problematikë nga hipotekat, pasi binin ndesh me ligjin. Veprimtaria e këtij komisioni do të përfshijë të gjithë prefekturën dhe titujt sipas hartës përkatëse. Prioritet do të kenë zonat turistike bregdetare, duke qenë se kjo prefekturë përfshin edhe Kavajën. Njëkohësisht do të jenë edhe komisionet e tjera vendore që do të bëjnë verifikimin e titujve problematikë të lëshuar në të gjitha rrethet për vlefshmërinë e akteve të dhëna për 80 mijë ha tokë, që janë shoqëruar me transformime të ndryshme.

Procesi

Procedura e verifikimit, bazuar në ligjin përkatës, detajon se marrja e një titulli pronësie mbi tokën bujqësore do të konsiderohet i vlefshëm vetëm në rastet kur kriteret e lëshimit janë të ngjashme me ato të vitit 1991 (duke e konsideruar dhënien e tokës sipas rregullave). Objekt i verifikimeve të këtyre komisioneve vendore do të jenë të gjithë titujt e lëshuar në 16 vitet e fundit, në rast se shfaqin mangësi në plotësimin e kushtit të mësipërm. Mbyllja e kësaj procedure do të shoqërohet me nxjerrjen e vendimit përfundimtar për titujt e lëshuar gjatë gjithë këtyre vjetve nga ish-komisionet e tokës së fshatit, komunës/bashkisë si dhe komisionit të qarkut për ndarjen e tokës bujqësore. Ndërsa për tokat e krijuara të lira komisionet vendore pas verifikimit do të hartojnë procesverbalet përkatëse, ku do të përcaktohet dhe vendndodhja e tokës si dhe numri kadastral i tyre.

Kompensimet

Për kategori të caktuara do të ketë dhe kompensim. Kështu, marrësit e tokave bujqësore që ndodhen brenda vijave kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave urbane, në rast se disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim që janë lëshuar deri në fund të shkurtit të 1996, do të përfitojnë kompensim. Këta të fundit do të trajtohen me truall që në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensim fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike. Kompensimi në truall do të bëhet në dy variante. Në rast se familjet janë me mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit që do të jepet për kompensim do të jetë deri në 500 m2; për familjet me më pak pjesëtarë do të zbritet 100 m2 për çdo pjesëtar më pak në përputhje me të dhënat e regjistrit të gjendjes civile të datës 31.12.1995. Përdoruesit e tokës bujqësore brenda vijave kufizuese të zonës me përparësi turizmin, të përcaktuara sipas vendimit të qeverisë në vitin 1993, që disponojnë aktet e marrjes së tokës po sipas afatit të mësipërm, do të kompensohen me truall në zonë turistike, në çastin që toka e tyre do të kalojë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuara ose për ndërtime publike.

Aktet e ligjshme

Cilësohen si akte të ligjshme rastet kur vërtetohet se më 1.08.1991 personi të cilit i lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi ka qenë anëtar i kooperativës bujqësore, si dhe plotëson kriteret e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave të po atij vit, kur verifikohet se sipërfaqja figuron në regjistrat e kadastrave, kur madhësia e sipërfaqes është e mirëllogaritur si prodhim i normës për frymë të fshatit me numrin e frymëve të familjes, gjendje në 1991, në regjistrin e gjendjes civile.

Titujt e lëshuar para 1996

Përdoruesit e tokave bujqësore, vendimet e të cilave janë lëshuar deri në fund të muajit shkurt të këtij viti, do të përfitojnë kompensim me truall sipas dy rasteve: kur familjet janë me mbi 6 pjesëtarë, sipërfaqja e truallit që do të jepet kompensim do të jetë deri në 500 m2; në rastet e tjera, kur familjet janë me më pak pjesëtarë, do të zbriten 100 m2 për çdo pjesëtar më pak sipas të dhënave që do të nxirren nga regjistrat e përkatës në gjenden civile.

Tokat e zëna

Kur komisionet vendore gjatë verifikimit të dokumentacionit vërejnë se titulli i pronësisë mbi tokën është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e ligjit, në këtë rast, nëse nuk preken interesat e ligjshme të personave të tretë, atëherë komisioni i ofron mbajtjen në pronësi të tokës bujqësore dhe ligjërimin e titullit të pronësisë, por me detyrimin që ta paguajë atë sipas vlerës së tregut që ka miratuar harta e çmimeve të Agjencisë së Pronave, duke lëshuar dhe dokumentacionin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›