Jep dorëheqjen Shemsi Prençi pas presionit të biznesmenëve të kromit pranë qeverisë: Do luftoj dhëmbë me dhëmbë me mafian e shpellave
Shemsi Prençi, drejtor i Policisë së Dibrës, ka dhënë ditën e sotme dorëheqjen. Drejtoria e Përgjithshme ka emëruar menjëherë në vend të Prençit, Hasan Gjergjerin.
Prençi, gjatë një konference për shtyp, tha se dha dorëheqjen, pasi u gjet i vetëm në luftën ndaj mafiës së kromit.
Ta harrojnë se duke më kërcënuar me bukën e gojes apo me jetën unë do të hesht. Nuk gjeta mbështetjen në shtet. Është koha që qytetarët të dëgjojnë. I gjendur përballë shpellave denoncimi im ka rënë në vesh të shurdhët. Do denoncoj në prokurorinë e Përgjithshme dhe në publik pasi nuk janë të lidhura me shpellat e mafias.- ka thënë Prençi në një konferencë për shtyp, menjëherë sapo ka dorëzuar dorëheqjen.
“Do luftoj dhëmbë me dhëmbë me mafian e shpellave të Bulqizës që e kanë rrënjën në Tiranë. Nuk do hesht më- nënvizoi Premçi
Kohët e fundit bizneset të kromit pranë qeverisë akuzuan drejtorin e policisë se po bënte luftë selektive ndaj tyre, duke tejkaluar kompetencat dhe duke ndaluar eksportin e këtij minerali të rëndësishëm në tregjet e huaja. Një pjesë e biznesmenëve të kromit reaguan ashpër ndaj një aksioni të fundit të drejtuar nga Prençi, ku ai kishte bllokuar 14 kamionë të ngarkuar me krom për mangësi në dokumentacion.
Prençi u bë personazh sidomos gjatë fushatës elektorale të 8 majit, kur kallëzoi penalisht ministrin e Brendshëm të komanduar në detyrë në atë kohë, Avenir Peka, se e ka kërcënuar dhe i ka kërkuar të përdorë forcat speciale në mitingjet opozitës. Bëhet fjalë për një miting në Kamëz, ndërkohë që prokuroria, pas dy muajsh hetimi, e mbylli këtë çështje.
Prençi më pas u transferua në Dibër dhe mësohet se është pezulluar dy ditë më parë nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.