E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëzia e veprimit të nxituar



Gazmend KRASNIQI

Historia e ikjes në rrugën e perëndimit ishte mes tyre, por asnjë nga analtasit nuk foli më për të, derisa ndodhi vrasja siç e quajtën disa, apo vetëvrasja siç e quajtën disa të tjerë.
Edhe dy javë pas asaj ikjeje që kishte tronditur thellë jetën e varfër të Analtës, mësuesi, ndoshta i vetmi njeri pa teori komplotesh, mbushur vazhdimisht me emocione të reja, të paemërtueshme, vazhdonte të mos shihte njeri me sy, prandaj e kishte si pas një mjegulle vajzën e vetme të kasapit, kur iu përgjigj, pa llogaritur nivelin e njeriut të cilit i drejtohej:
- Yt vëlla ndoshta edhe ka mbërritur aty ku është nisur... Sidoqoftë, askush s’mund ta vërtetojë... Ne e pranojmë në mirëbesim... Sepse ne që mbetëm këtu, jemi vetëm... ca jetimë të mjerë.
Kur e mbaroi gjithë frazën, për herë të parë gjatë atyre ditëve iu kthjellua për një çast shikimi, veçse kësaj here, për çudinë e tij të madhe, përnjëherësh iu turbullua nga bukuria e vajzës së re, kështu as që u përpoq ta kërkonte përgjigjen e asaj pyetjeje: vetëm atë ditë u bind se kishte brenda tij diçka, që e mposhtte arsyen me të cilën mburrej aq shumë.

* * *
Pikërisht në atë çast ai e kuptoi se nuk donte të humbiste praninë e asaj vajze, për të cilën ishte gati të duronte edhe pyetje nga më të çuditshmet: i kishte dhënë mësim dikur, por kurrë s’e kishte menduar se do ta takonte ndonjëherë në kufijtë e të bërit grua, diçka që po ia përziente vetë lëndën e kockave, sepse ajo vajzë truppaktë por me syrin pishë, ia plaste në mënyrë shkallmuese fuqinë femërore mu në fytyrë.
Me gjithë përpjekjet e mundimshme, pas pak, ai s’mundi ta duronte më atë djersitjen prej akulli dhe ngërçin e fortë ndër zorrë, ato duar dhe atë gjak që ia urdhëronte një forcë e panjohur, sepse sakaq mbeti pa frymë, sikur po e damkosnin me hekur të skuqur apo sikur po e kapte një ndjenjë e pakontrolluar vaji: fare papritmas, pa thënë asnjë fjalë, pa parë nëse qe vendi i duhur, por krejt i sigurt se pikërisht atë gjë duhej të bënte, ai e rrëmbeu trupin e brishtë të vajzës dhe e puthiti pas të vetit, duke kërkuar ndërkohë buzët e saj.
Ai mish i butë, si punë zoçke, që shtrinte nën vete, i jepte tërbim, klithma të pakontrolluara dashurie, por edhe ia thithte shpërthimin e gjakut, duke e mbushur me një ndjenjë e cila e mbante mes qiellit e tokës, diçka e rrallë që ai e quajti vetë lumturia (megjithëse më përpara qe tallur me këto gjëra) dhe nuk deshi kurrsesi ta humbiste më, thujase vetëm për atë çast kishte jetuar. Atëherë, befas, i thirri sedrës dhe i pëlqeu ta tregonte gjithë fuqinë e tij prej mashkulli, derisa u bind se jo gjithçka varej nga vullneti i tij, sepse dikur vajza, qetë-qetë, i shpëtoi nga duart dhe u ngrit më këmbë, duke shkundur dheun nga rrobat.
- Ti e di, - tha ajo, pa e parë në sy, - dikur këto punë i ndante plumbi.
Me këto fjalë, as më shumë, as më pak, i kujtonte se ishte vajzë e fejuar, në një fshat përtej Analtës, megjithatë ai nuk po luante nga vendi. Qe ai që i thirri mendjes i pari kur, ndërsa po e zhbironte vajzën me shikim, i shkrepi një dritë e beftë dhe mendoi se qe para një situate me të vërtetë dramatike. Nuk kishte gabuar, sepse papritur ajo nxori diçka nga gjiri dhe ia la në dorë, rëndë-rëndë, thuajse ishte duke u peshuar në atë veprim e gjithë jeta e saj prej femre.
- Jepi, - tha prerë, këtë herë duke e parë me ca sy ku digjej flaka e fatalitetit. - Meqë nuk mund të jem fati yt, por pas këtij çasti as nuk dua të shkoj te fati im i parë, hë pra, vramë... Këtë punë e ndan vetëm plumbi...
Vetëm atëherë e kuptoi mësuesi se çfarë kishte bërë dhe, rrëmbimthi, u ndje i fundosur në terrin e një tragjedie përpirëse: shtrëngonte revolen pa mundur të thoshte diçka, veçse të rendte drejt diçkaje që e ndillte pareshtur, me një thirrje të papërballueshme, me pastërtinë e një zjarri shfarosës, që zhdukte të gjitha gjurmët e dyshimit.

* * *
Në të vërtetë, siç do ta kuptonte më vonë, këmbët i kishte në të njëjtin vend, ishte vetëm një pjesë, nga mesi i trupit të tij, që po rendte, po shtrinte pushtetin e plotë mbi të dhe po e drejtonte drejt një pike përvëluese.
S’e dinte se ç’ishte kjo pikë që i dukej aq përvëluse, sa i ngjante me qendrën e kozmosit, prandaj kërkonte ta gjente, ta identifikonte me dijet e tij astronomike, sepse i dukej se atje do të gjente të vërtetën e atij çasti: asgjë tjetër s’kishtë rëndësi: as zogjtë, as era, as malet, as qielli, as gjërat e tjera të natyrës, për të cilat kishte mësuar dikur në një shkollë të qytetit. Befas, ndjeu se filloi të rritej mbi gjithçkanë zëri i një fëmije, një zë i veçantë, që dukej se nuk i përkiste as kësaj bote, as asaj tjetrës, prandaj e mprehu dëgjimin, aq sa filluan t’i gjëmonin veshët: zëri që e rriste sigurinë vazhdimisht, si zëri i një fëmije në orën e mësimit, e shponte me një saktësi pothuajse matematike. Ashtu siç ishte duke kërkuar symbyllur burimin e zërit, ai besoi se gjeti atë pikën që kërkonte prej disa minutash, megjithëse nuk i vinte dot emër dhe shpërtheu në mënyrë histerike, sa gërsisht, aq edhe butësisht.
Shumë më vonë, shumë larg këtij vendi, ai do ta kuptonte se kishte thënë:
- Është e vërtetë: ti duhet të vdesësh!
Sigurisht, as atëherë, as më vonë, nuk diti ta shpjegonte se çfarë donte të thoshte e gjitha kjo. Nga ana tjetër, e sigurt se e pati me të dhe e gëzuar se ia arriti aq lehtë qëllimit, vajza mori pamjen e njeriut që e pret vdekjen në mënyrë sublime, duke e ngjeshur trupin në grykën e revoles, por tjetri tashmë as e shihte, as e ndiente më, sikur të ishte ndalur koha njëherë e përgjithmonë, sikur asnjë grimë e qenies nuk i përkiste atij vetë: as krisma e mbytur e armës që qëllonte në mish, sepse befas qenë zhvlerësuar gjithë ato ligje që ua mësonte nxënësve prej shumë vitesh, qenë zhvlerësuar ligjet e fizikës dhe ligjet e moralit. Veçse kur ndjeu t’i rëndonte pesha e trupit të vajzës, me një qartësi të pamëshirshme prej filmi iu shfaq marrëzia e veprimit të nxituar dhe pafundësia e gjërave, që do të mund të kishte bërë në atë fshat, me të cilin e kishte të lidhur jetën në mënyrë të pashmnagshme, porse ai po e shpërblente në mënyrën më të paparashikueshme, duke ia përmbysur pikërisht gjërat që i mbante si atribute pa asnjë hije dyshimi: pati kohë vetëm sa të merrte të vrarën në krahë, ta nxirrte në një vend ku do ta gjenin njerëzit.
U zhduk sa hap e mbyll sytë, nxitoi të gjente një vend ku do të mund të mblidhte mendjen, sepse nuk arrinte ta besonte se kishte bërë një vrasje, prandaj po ia mbathte larg njerëzve që do të mund t’ia dshmonin diçka të tillë, do t’ia dëshmonin vetë tmerrin e përmbledhur nga realiteti, i cili po i kthehej përnjëherësh te shqisat, me të gjithë peshën e ndëshkimit, me të gjitha përmasat e ligjeve të shpallura dhe të njohura mirë prej tij. Megjithëse ecte gjithë ngut, në faqen e një pllaje, si në faqen e një libri, iu renditën këto fjalë, që ishin vetë zakonet e vendit:
“Një vajzë e fejuar, duke u martuar me një tjetër, i jep të drejtë të fejuarit t’i vrasë vëllanë, të atin, xhaxhanë ose kushëririn e parë. Nëse vajza është e rrëmbyer, të afërmit ose i fejuari kanë të drejtë të vrasin rrëmbyesin ose ndonjë prej të afërmve.”

* * *
Në një kohë me vrasjen, disa metra më tej, tek shihte se qeni i shtëpisë s’e hante ushqimin prej dorës së tij, veçse e kundronte me ca sy të trishtuar e enigmatikë, djali i vogël i kasapit hoqi dorë nga ajo që po bënte, duke e çuar mendjen tek e motra, pas së cilës qeni qe shumë i lidhur dhe vendosi ta kërkonte, por nuk kishte bërë asnjë hap, kur u përzien bashkë angullima çjerrëse e qenit, krejt e papëlqyeshme dhe krisma e armës. Mu në atë çast, ai dalloi lot në sytë e qenit dhe u pushtua menjëherë nga parandjenja e keqe, megjithëse atëherë kurrsesi nuk deshi të besonte në diçka fatale.
- Nuk besoja se qemë kaq të dënuar nga fati, - do t’u thoshte më vonë, në ditët e gjata të zisë, prindërve të dërrmuar.
Por ngurrimi i tij nuk zgjati shumë, se e ëma u shfaq në derë, duke treguar me gisht dy pula të ngordhura në mes të oborrit, e pazonja ta mbante përbrenda një të vërtetë të tillë.
- Dil e kërkoje motrën, o djalë, - tha. - E kanë... vrarë.
Qysh atë çast, ajo u duk njëzet vjet më e vjetër, sikur t’ia kishin hequr nga jeta ato vite, befas, me dorë.

28 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›