E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahim Kodra, jeta në fotot e panjohura të mjeshtrit

Shtëpia-muze në Milano kishte hapur dyert. Miq, shokë, kolegë e adhurues gjendeshin po aty. Sodisnin në mure, në tavolina, kudo ku ka gjurmë të artit të Ibrahim Kodrës. Mungonte veç ai. Edhe pse me tendencën për ta shpërfillur kohën, ata njerëzit ishin takuar aty për të përkujtuar ikjen 3-vjeçare të tij. Shtëpia e tij muze është gati-gati një tempull ku gjenden kudo gjurmët e një artisti të njohur shqiptar, të cilit në vendin e tij i erdhi vetëm jehona. Teksa në këtë ceremoni kujtimi, organizuar nga Fatos Faslliu, ekzekutuesi i testamentit të tij, sytë e të ftuarve kalonin e qëndronin mbi veprat e Kodrës, brenda atyre mureve gjenden detaje të thjeshta të jetës së piktorit. Objekte e relike që kanë qenë pjesë e përditshmërisë, simbole që sot heshturazi rrëfejnë motivin që udhëhiqte jetën e Kodrës. Mes tyre edhe fotografi. Mjeshtri pozonte shumë. Një pjesë e mirë e fotografive të hershme të tij janë ekspozuar për herë të parë në ceremoninë për kujtimin e tij. Edhe në gjallje të vet, Kodra shprehej i kënaqur se kishte shumë miq. Njerëz që donin atë dhe pikturën që bënte. "Nëse në jetën time ka diçka më interesante ajo është miqësia. Kam miq të shumtë kudo në botë. Kam edhe miq shqiptarë, të cilët i dua dhe i nderoj shumë, shkruante i fundit i postkubizmit. Bënte miq kudo ku shkonte. Dhe kur në intervista e pyesnin nëse kishte frikë nga vetmia, përgjigjej: -"Nuk jam kurrë vetëm, jam gjithmonë me shokë e miq. Të gjithë më duan dhe më respektojnë". Me ta ndau dhe momentet e fundit të jetës. Mes galerisë së personazheve gjen të njohur e të panjohur. Në foto bardhezi shfaqet në rininë e tij, të cilën nuk e mbushte vetëm me pikturën. Ishte partizan i një jete aktive e për këtë merrej me sport, i kushtonte rëndësi të ushqyerit, por edhe dëfrimit. Miqtë e afërt të tij kujtojnë shpesh episode që vetë mjeshtri Kodra tregonte nisur mbi fotografi në të cilat gjendej gjithnjë në krah të femrave të bukura. Portretet e rinisë e reflektojnë këtë gjallëri të tij. Ndërsa vite më vonë, por sërish më i ri nga kujtimi që kemi për të në vizitën e 2003-it në Tiranë, Kodra ndante momente edhe me njerëz të njohur të botës italiane. Në fund të fundit ai u rrit si njeri e si piktor mes tyre. E quanin "maestro". Në disa prej fotove që duhet të datojnë rreth viteve ‘70 në krah të tij shfaqet Mike Buongiorno dhe Mino Reitano, këngëtari Little Tony, me këngëtaren Luisa Cornas dhe vajzën e ekraneve, Mirian Treviso, në krah të Miss Arte etj. Sipas Faslliut, në shtëpinë-muze të mjeshtrit ka albume të tëra fotografike. Mes tyre edhe plot personazhe shqiptare. Por shumica prej tyre janë të pakoha. Mjeshtri Kodra rrallë ka shënuar vite, apo të dhëna të tjera për personazhe, ngjarje, raste që mbushin fotografitë e tij. "Për këtë është shumë e vështirë të ndërtosh një histori mbi fotografi të caktuara dhe një pjesë e mirë e njerëzve mbeten të panjohur për ne", shprehet Faslliu. Edhe pse e la që herët Shqipërinë, dhe në vendlindje mundi të kthehet veçse i pajetë, Kodra fliste shpesh për vendin e tij. Iu ndalua të kthehej dhe iu ndalua edhe njohja si artist. Atëkohë ishte më pranë Kosovës, të cilën edhe e ka vizituar në vitet ‘80. "Sa herë vij në Kosovë, ndihem si në shtëpinë time. E kam thënë disa herë që "Kosova më ka gjetur mua". Kam dashur t‘u them të rinjve tanë se parajsa e botës është në tokën shqiptare. Kam shëtitur në tërë botën, por shpirti im përherë ka mbetur në Kosovë dhe në Shqipëri. Piktorët nga Kosova më kanë vizituar shpesh në Itali", shprehej Kodra. Shpesh, në shtëpinë ku mblidheshin miqtë edhe këndonte ndonjë këngë shqiptare, vargje lasgushiane që i kishte mësuar që në Shqipëri. Krijoi me shpirtin e lirë të një artisti, por i donte traditat e origjinës. Për këtë, një foto mes disa vajzave veshur me kostume popullore arbëreshe merr një simbolikë të veçantë mes shumë albumeve të tij. Për herë të parë, pas tri vitesh ikje nga jeta, në shtëpinë-muze të mjeshtrit Kodra janë ekspozuar edhe gjithë diplomat dhe çmimet e tij të nderit. Mes tyre dhe një të marrë nga Akademia Franceze. Çfarë domethënie kishin ato për një piktor, veprat e të cilit gjendeshin në koleksione të mëdha private e në institucione të rëndësishme publike? "Gjatë tërë jetës dhe krijimtarisë sime, çmimet kanë pasur vetëm një peshë: më kanë ngacmuar dhe më kanë shtyrë përpara. Çmimi më i madh për mua ka qenë dhe do të mbetet puna. Kur i mbusha tetëdhjetë vjet e më erdhën gazetarët për të më intervistuar, pyetja e tyre kryesore ishte: cili është programi juaj për sot? E unë u përgjigjesha të gjithëve: të filloj nga e para", shprehej Kodra. Në fakt, gjithë jetën e tij ia përkushtoi pikturës. Nuk u martua kurrë dhe nuk gëzoi dot as fëmijët. Por kuriozitetit për këtë zgjedhje të tij ai i përgjigjej : ka pasur shumë vajza që më adhuronin. Por po të zgjidhja njërën do të më largoheshin të tjerat. Pastaj familja është shumë e rëndësishme dhe kërkon përkushtim dhe s‘ka më shoqëri e aktivitete. Unë zgjodha rrugën e punës pa fund". Dhe ashtu bëri. Deri në ditët e fundit të jetës i mbeti besnik pikturës.

Ka thënë

Për artistët

Kam njohur dhe kam pasur miqësi me emra të mëdhenj të kulturës, disa prej të cilëve janë edhe nobelistë, Ernest Heminguej, Pablo Pikaso, Euxhenio Montale, Kuasimodo etj. Është interesant se te këta njerëz, por edhe te të tjerët kam vërejtur një cilësi: Sa më të mëdhenj janë këta njerëz janë edhe më modestë. Ata asnjëherë nuk i kam dëgjuar duke u mburrur se dinë më shumë se të tjerët. Duke pasur miqësi me ta, sa herë më kanë shkuar në mendje fjalët e Sokratit "Unë di se nuk po di kurrgjë".

Për origjinalitetin në art

Për të qenë origjinal një piktor duhet ta shohë shumë mirë natyrën. Sepse natyra nuk gabon. Ja shih këtë lule këtu! Shih këtë tjetrën! Natyra nuk ka gabuar. Për të pasur arti cilësi duhet të lidhen disa gjëra: metoda, teknika dhe tipologjia. Kur të lidhen të tëra këto gjëra, atëherë vjen stili. Kjo është puna që duhet të ndjekë për origjinalitet krijues një artist.

Për artin shqiptar

Shqipëria ka një histori shumë të bujshme dhe ka vuajtur shumë për të pasur lirinë e vet, kështu që dalin artistë me vokacione të bujshme. Kemi artistë të mirë që kanë krijuar me sakrificë dhe kanë bërë emër në botë. Arti, e sidomos poezia, buron nga vuajtja, prandaj arti shqiptar është kaq i ndier, kaq i pasur me frymëzim.

Dhurata

20 pikturat për Kosovën

Ndonëse i mohohej Shqipëria, Ibrahim Kodra mund të shkonte në Kosovë. Një vizitë të tillë e ka bërë në vitet "80. Me këtë rast, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, u hap edhe një ekspozitë me veprat e tij. Mjeshtri i fali të gjitha këto piktura si dhuratë për Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës. Ndërsa thuhen shifra të ndryshme për veprat që Kodra ka lënë në Prishtinë, një dokument që ruhet në shtëpinë e tij muze, dëshmon pikërisht mbi këtë dhuratë. Vetë Kodra ka firmosur se ai fal për Galerinë e Kosovës 20 piktura. Dokumenti mban datën 10 korrik 1980.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›