E Diel, 1 Nëntor 2026

Inteligjenca jashtë kufijve është harruar



Nga Isidor KOTI*
Nuk mund të konceptohet dot një trup i veçuar, kur dihet fare mirë se gjymtyrët jo vetëm përbëjnë rolin kyç në mirëfunksionimin e tij, por kanë edhe një pikëtakim domethënës. Jashtë këtij debati të shumëpritur prej kohësh në ambientet akademike nuk mund të lihet pjesa e shumëdashur e atyre mijëra studentëve që janë jashtë atdheut dhe nuk po gjejnë dot prehje në mendime për perspektivën e tyre në vendlindje. Rreth 25 mijë shqiptarë studiojnë aktualisht jashtë shtetit. Shkëputja e gjatë e bën të vështirë ambientimin me shoqërinë dhe mentalitetin e punës në Shqipëri. Një gjeneratë e tërë të rinjsh të kualifikuar dhe profesionistë, të cilët mund të kontribuojnë në zhvillimin e shpejtë dhe cilësor të shoqërisë në fusha të ndryshme të vendit, por problemi shtrohet: “A do të kthehen këta studentë pas studimeve në atdhe”? Një pyetje kjo qe shpeshherë bëhet edhe nga vetë të interesuarit: “Përse të lëmë qetësinë, komoditetin dhe punën e mirë, për t’u kthyer në atdhe, ku gjithçka lë shumë për të dëshiruar?” Shtypit e ndonjë OJF-je në Shqipëri i pëlqen herë pas here të flasë për kthimin e studentëve, emigrantëve apo kapitaleve të tyre (njerëzore apo ekonomike) në Shqipëri. Flitet për të mirën që do të sillnin nga jashtë shtetit për vendin tonë, flitet për paratë që mund të investojnë, flitet për gjithçka madje edhe për “kthimin e trurit”. Çuditërisht ajo që s’diskutohet kurrë është sa rezultat kanë pasur gjithnjë llafet dhe nuk flitet për dështimin e gjithë projekteve të zverdhura në letër. E bashkë me heshtjen për dështimin nuk flitet as për arsyet e tij dhe nuk flitet për faktin e thjeshtë që s’kanë si të kthehen studentët shqiptarë nga jashtë (shumica e jo raste të veçanta) kur vetë studentët shqiptarë brenda duan të ikin jashtë (shumica). Të rinjtë që studiojnë jashtë vendit e shikojnë të zymtë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse pjesa më e madhe e tyre preferojnë të mos kthehen. Sipas të dhënave të një studimi kryer nga IOM, cilësia e arsimit, e ofruar nga shkollat e huaja, është faktori kryesor që detyron të rinjtë shqiptarë të studiojnë jashtë vendit. Kjo pasi në vendin tonë standardet e mësimdhënies lënë shumë për të dëshiruar. Të intervistuarit pranuan mungesë të burimeve materiale dhe njerëzore në arsimin shqiptar, kushte këto që nuk mundësojnë kualifikimin profesional të të rinjve. Krahas kësaj, ata vunë në dukje ekzistencën e një metodologjie jobashkëkohore të mësimdhënies në institucionet arsimore në vendin tonë që i bën më pak konkurruese krahasuar me vendet e tjera. Mungesa e auditorëve dhe stafeve akademike ka bërë që cilësia e mësimdhënies edhe në fakultetet më në zë të vendit të lërë për të dëshiruar. Një numër i madh pedagogësh nuk kanë kualifikimet e nevojshme për të qenë pjesë e stafeve akademike në universitete. Për të ndryshuar këtë panoramë pak gjë është duke u bërë. Të zhgënjyer nga kjo mënyrë e funksionimit të gjërave studentët shqiptarë preferojnë të shkollohen jashtë dhe të kontribuojnë për këto vende, duke ju përgjigjur me harresë kushteve që ofron sistemi arsimor shqiptar. ǒmund të bëhet për të sjellë studentët shqiptarë jashtë vendit për të dhënë kontributin e tyre në Shqipëri? Së pari duhet të jemi të ndërgjegjshëm që “jeta është llogari” e që shumica e studentëve s’kanë për tu kthyer më mbrapsht, sepse Shqipëria s’është në gjendje t’u japë këtyre studentëve atë që mund t’u japin vendet më të zhvilluara. Me ta duhet punuar që të mos harrojnë që janë shqiptarë e që të ndjehen sadopak të përfshirë në jetën e vendit në mënyrë që të paktën të vijnë njëherë në vit të harxhojnë ca para, të vazhdojnë të mbështesin familjet e tyre këtu, të mbështesin shtetin shqiptar kur munden. Sa për kapitalet e tyre intelektuale, ato mund të thitheshin mjaft mirë nëse në Shqipëri do të kishte një treg të mirëfilltë burimesh njerëzore, qoftë edhe pak të zhvilluar ose kompani private që do të stimulonin “tërheqjen e trurit”. Çdo përpjekje për tërheqjen e tyre në grup do të ndeshej jo vetëm në vështirësitë praktike të pamundësisë së shtetit për të ndikuar tregun e punës si dhe për të krijuar vende pune tërheqëse për të gjithë ata që do të dëshironin të ktheheshin, por edhe në vështirësi ideologjike. Së pari, t’i përkushtohesh thithjes së studentëve të diplomuar jashtë kur papunësia mesatare në vend është mbi 15% dhe tek brezi i ri akoma më e lartë është të pranosh publikisht që të shkolluarit në vend meritojnë më pak vëmendje sesa ata jashtë. Së dyti, a nuk jetojmë në një sistem kapitalist e tregu të lirë e a nuk është ndihma ndaj një grupi të caktuar një shtrembërim i tregut (të punës në këtë rast)? Shtetet perëndimore investojnë miliona për të thithur trurin nga e gjithë bota dhe nga të gjitha racat. Në qoftë se strukturat përkatëse administrative nuk veprojnë në kohë dhe me efikasitet rreth këtij problemi, do të humbasim rastin t’i bashkojmë shoqërisë tonë një brez me të rinj të kualifikuar dhe me ide të reja, të cilët do të jenë një shtysë për të ecur përpara me mentalitet bashkëkohor.

* Pedagog i Departamentit të Gazetarisë, Universiteti i Elbasanit

“Skaneri” mirëpret debate për opinionet e parashtruara

Moderatorët e debatit mirëpresin opinionet për idetë e parashtruara në rubrikën tonë. Pasi kemi publikuar shkrimet e Lekë Sokolit, drejtor i Institutit të Sociologjisë dhe të Zamira Çavos, anëtare e kësaj organizate dhe prorektore e Universitetit “Marin Barleti”, në numrin e sotëm vjen sërish një anëtar i Instituti, Isidor Koti. Ai është pedagog i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin publik të Elbasanit. Ai trajton problemin e thithjes së trurit, një proces ky i cili ka angazhuar shumë aktorë, por deri tani nuk kanë rezultuar edhe aq të suksesshme strategjitë e ndjekura. Aq më tepër, auditorët kanë nevojë për lektorë të aftë. Universitetet tona nuk janë në gjendje që të furnizojnë tërësisht kërkesat e Arsimit të Lartë dhe një përpjekje pozitive do të ishte ajo për rikthimin dhe stimulimin e të rinjve që janë diplomuar në universitetet perëndimore, apo edhe ata që kanë marrë tituj shkencorë. Në dy shkrimet e mëparshme janë hedhur teza dhe probleme të rëndësishme për Arsimin e Lartë në Shqipëri, për të cilat ftojmë sërish ekspertët dhe bashkëpunëtorët që të marrin pjesë në debat.

3 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›