Të jesh shqiptare në Gjermani

Kam lindur në Bayern dhe jam rritur në Schwabenland. Jam rritur me pyetjen, e cila më ndjek në vazhdimësi: Prej nga vjen?
Kjo pyetje më bëhet për shembull në dyqan, kur paguaj llogarinë në arkë: pasi të kem paguar me kartelë, më duhet të nënshkruaj llogarinë.
“Prej nga vini?”, më pyet gruaja në arkë.
“Nga Nyrtingeni”, ja kthej unë.
“Mendoj prej nga vërtetë?”
“Kam lindur në Bayern”.
“Jo, jo, mendoj emri juaj nuk është gjerman, nuk dukeni si gjermane, prej nga vini”.
“Nga Nyrtingeni”, i përgjigjem e nevrikosur.
“Po prindërit tuaj?”
“Nga Kosova”.
“Në fakt e flisni gjermanishten pa aksent”. Për pak ju përgjigja:”Po, edhe ju dini të ecni mjaft mirë”.
Edhe pse gjatë këtyre bisedave shpesh them se “Më vjen mirë që më pyesin kaq drejtpërdrejtë”. Por në të vërtetë mendoj: a dukem kaq e huaj? Dhe nëse po, çka ju intereson atyre.
Është ky një fragment i shkurtë nga jeta ime si e huaj. Apo si thuhet politikisht korrekt: gjermane me sfond të migrantëve. Nuk kam dëshirë të më quajnë shqiptaro-gjermane, ngase këta terma të ri gjerman më ulin në diçka më të vogël, që nuk dëshiroj të jem. Dëshiroj të jem vetëm Egzona, e cila ka privilegjin të flet dy gjuhë dhe të jetojë në dy kultura. Nga të dy kulturat dëshiroj t’i marr gjërat, të cilat i konsideroj si të mira.
Nuk posedoj pasaportë gjermane, por pasaportën e Kosovës, me leje të pakufizuar të qëndrimit dhe kjo paraqet një enigmë për shumë njerëz. Por jam krenare që posedoi pasaportën e Kosovës, pasi që ajo ekziston që nga viti 2008 dhe për të cilen kanë luftuar shumë njerëz për shumë vjet.
Shumë njerëz nuk më besojnë se prindërit e mi janë shqiptarë, ata erdhën në Gjermani në vitin 1993. Për ta është e pabesueshme që jam më e mira në lëndën e gjuhës gjermane, pa qenë gjermane. Të jesh normal, edhe pse je nga një kulturë tjetër. Por unë jam një kundër-argument i fuqishëm. Ngase posedoj të njëjtën pjesë të kulturës si bashkë-nxënësit e mi-e krahas kësaj edhe një pjesë të një kulture tjetër.
Në klasën e tretë, mësuesi telefonoi në shtëpinë time. A foli i fascinuar për punimin tim në lëndën e gjuhës gjermane, duke thënë se rrallë ka lexuar një gjë të tillë. “E jashtëzakonshme që një e huaj ofron një gjë të tillë”. Kur më tregoi nëna për këtë, isha e lumtur, ngase edhe ajo ishte e lumtur.
Bashkë-nxënësit e mi atëbotë ishin gjermanë, turqë, italianë, rusë. Për mua kjo nuk ka rëndësi. Edhe përkundër kësaj nganjëherë tërbohesha, ngase rusja e ulur pranë meje nuk më kuptonte, ngase nuk fliste pothuajse fare gjermanisht. Një e huaj e tërbuar për shkak të një të huaje tjetër. Edhe kjo ndodh nganjëherë.
Pas klasës së katërt, isha e vetmja që shkova në gjimnaz. Mësuesi im ishte sërish i emocionuar:”Dhe këtë si e huaj, dikur do të bëhesh e madhe”. Nuk e njihja termin diskriminim pozitiv. U gëzova për shkak të lëvdatës.
Në klasën e nëntë, gjatë orës së gjuhës gjermane, u detyruam të shkruajmë diçka nga tabela. Isha e mendimit se fjala “bizarr” ishte shkruar gabimisht dhe u lajmërova: “A nuk shkruhet fjala bizarr me një z?”, pyeta unë. “Jo, nëse nuk beson, shikoje fjalorin drejtshkrimor”, u përgjigj arsimtarja. Këtë edhe e bëra dhe pash që kisha të drejtë. Pas përfundimit të orës, arsimtarja kërkoi të flas me mua. “Është e jashtëzakonshme se ti, si një huaj, e di drejtshkrimin më mirë se arsimtarja jote e gjermanishtes”. Ne vete u gëzova që mësuesja ishte e hidhëruar për faktin se u përmirësua nga unë.
Pas përfundimit orës, i them “Tchus” shokëve të mi dhe “Mirëdita babi, a u lodhe?”, kur të hipi në makinën e tij për t’u nisur për në shtëpi.
Për orën e artit, duhet të vizatojmë diç nga pushimi ynë. Pasi që ne për çdo verë shkojmë në Kosovë, i vizatoj shtetet, nëpër të cilat kalojmë. Së pari Gjermaninë, më pas Austrinë, Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Në Kosovë përpiqem që mungesën njëvjeçare ta kompensoj me javë intensive. Të afërmit e mi gjatë përshëndetjes më puthin në faqe dhe më pyesin:”Ku të pëlqen më shumë?”
Kuqem, nuk dëshiroj të lëndoj askënd dhe them:”Natyrisht në Kosovë, këtu, ku jeni ju të gjithë”. “Por Gjermania është shumë më i mirë”, thotë njëri. Puna është më e mirë, qytetet janë të pastra. Shpesh më lavdërojnë:”Flet kaq mirë shqip”.
Kur jam në Kosovë, bëhem më gjermane se në Gjermani. E vërteta është se në Kosovë e ndjen vetëm më pak keq të jesh e huaj, se sa e ndjen të jesh e huaj në Gjermani.
Gjatë kthimit në Gjermani takohemi me shumë shqiptarë, mes nesh ekziston ndjenja e bashkësisë. Diçka, që nuk e kam pasur kurrë në Gjermani, e që nuk e kam as sot-përveç Kampionatit Botëror në Futboll, e tani Kampionatit Evropian, gjatë së cilit jam për Gjermaninë.
Kur mësuesit na pyesin për pushimet tona verore, unë jam nxënësja me dy atdhe. Kjo më bën më të fuqishme dhe më të pasur, por kërkon edhe shumë forcë. Ka ditë kur ndihem më shqiptare, gjatë se cilave me mungon lehtësia dhe shakaja, të cilat i has çdo ditë në Kosovë. Gjatë këtyre ditëve më me dëshirë dëgjoj muzikë shqiptare, e jo gjermane apo angleze, më mungon familja. Kur bisedoj me prindërit e mi, nganjëherë flas për :gjermanët” dhe “për ne shqiptarët”. Shokëve ju them: “Ne, në Gjermani”.
Në të vërtetë jam e lumtur që jam shqiptare dhe që jetoj në Gjermani. Kam dy kultura dhe bonusin e të huajit-edhe pse ai nganjëherë është ngarkesë. Kur jam e suksesshme më lavdërojnë dyfish më shumë, kur nuk jam turpërohem dyfish më shumë.
Në vitin e maturës u nisëm për ekskursion në Madrid. Në kontrollin kufitar paraqes pasaportën time të Kosovës, në dorë mbaj disa dokumente. Spanja nuk e ka njohur Kosovën, por konsullata spanjolle më tha se nuk do të kisha problem, nëse më jepet një leje e besueshme se jam pjesëmarrëse e ekskursionit.
Në kalimin kufitar, një femër më ndau anash. “Jeni shqiptare nga Kosova, nuk mund të hyni”, thotë ajo. “Por konsullata më tha se për ekskursione ekzistojnë rregulla të veçanta?”, e pyeta unë. “Nëse ju lejoi të hyni, mund të ndodhë që nuk do të ju lejojnë të dilni”.
Hidhërohem që vendosa të vijë në ekskursion. Nëse nuk më lejojnë të hyjë, atëherë as që dëshiroj të shkojë atje. Pas një gjysmë ore, femra u dorëzua. Kur hipa në aeroplan, bashkë-nxënësit e mi filluan të bëjnë shaka. “Egzonë, nxirre tepihun tënd për lutje dhe fillo të falesh, ti terroriste e vogël”. Qesha me zor. Sërish rashë në sy pa vullnetin tim. (Der Spiegel)