Aleksandër Meksi: Në Shqipëri të gjithë duan të jenë kryetarë
TIRANË- Syzet, stilolapsi dhe librat e shoqërojnë çdo ditë. I mbyllur në bibliotekën e tij të rrethuar nga të katër anët me libra, ish-kryeministri i Shqipërisë së viteve 1992-1997, Aleksandër Meksi, tashmë i shikon me sy kritik të tjerët që qeverisin. Dëshira për të kontribuar në politikë nuk i mungon, megjithëse herë pas here hedh “shigjeta” në drejtim të saj, me anë të mendimeve të botuara në shtypin e shkruar. Si një nga kryeministrat më jetëgjatë pas viteve ’90, e shikon me skepticizëm futjen e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për të cilën thotë se për të arritur deri aty, duhet ende shumë punë. Ajo që i ka bërë përshtypje gjithmonë Aleksandër Meksit është fenomeni i “kryetarllëkut”. “Në Shqipëri të gjithëve duhet t’u thuash që ti je i madh”-thotë Meksi në një intervistë më shumë personale, sesa politike për “Shekullin”. E megjithatë, ai nuk heziton të komentojë grevën e urisë së disa deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë apo të kritikojë frymën në të cilën u hartua Kodi Zgjedhor.
Zoti Meksi, si është një ditë e zakonshme pune për ju?
Çdo ditë për mua është ditë pune, në këtë lloj “profesioni” që unë bëj sot. Filloj me pirjen e një kafeje pranë shtëpisë ku jetoj ose gjetkë, me miq e shokë, shpeshherë edhe vetëm. Lexoj gazetat në qoftë se kafeneja ka, pastaj futem në shtëpi për të lexuar apo për të shkruar, për të bërë ato që më interesojnë, ose punë personale të tjera.
Cilat janë angazhimet tuaja aktualisht?
Unë nuk kam asnjë angazhim apo detyrim, nga ato që quhen angazhime apo detyrime në Shqipëri. Merrem me analizë të politikës shqiptare, pavarësisht se me mënyrën sesi bëhet politika në Shqipëri, nuk mund të kontriuboj në të. Tani duhet licensë nga kryetarët e partive, për të marrë pjesë në të dhe jo të zgjidhen nga të tjerët, nga anëtarësia e partive dhe nga populli. Kështu që merrem me shkrime politike, zakonisht, shkrime shkencore, artistike e kulturore, duke u munduar që këtë bagazh përvoje e dijesh dhe pune të bërë më përpara, të mund ta shkruaj dhe ta bëj pronë të të gjithëve, nëpërmjet shtypit shkencor dhe atij joshkencor.
Ju përmendët politikë. A do të dëshironit t’i futeshit përsëri asaj?
S’ka shqiptar që nuk do të merret me politikë dhe këtu mund t’u them një ndodhi që ka ndodhur në vitin 1994 me një ish-nënpunës të administratës së Bushit të Parë, të cilin e solli tek unë në zyrë një këshilltar amerikan në Ministrinë tonë të Financës. Pasi diskutuam për Shqipërinë e për punën, më bëri një pyetje: “A patët vështirësi në formimin e Qeverisë dhe a kishit shumë kërkesa për njerëzit që deshën të bëheshin ministra”? Dhe unë ju përgjigja, hiç fare. “Si ka mundësi”,- m’u përgjigj ai. “Duan të gjithë Kryeministër”, - i thashë unë. Këtë ma rifreskoi nga kujtesa leximi i faqes së fundit të kujtimeve të Sejfi Vllamasit, i cili i thotë Mithat Frashërit në fillim të viteve ‘40: “Në Shqipëri të gjithë duan të jenë kryetarë, ose t’u thuash jeni të mëdhenj”. Dhe për këtë arsye, ai hoqi dorë nga marrja me politikë aktive.
Ndiheni mirë me këto që bëni dhe në këtë kohë që jetojmë. Jeni i lumtur?
Mirë nuk mund të ndihesh, në qoftë se ke qenë gjithnjë i interesuar për çështje që kanë të bëjnë me vendin tënd, me shoqërinë shqiptare, me problemet, hallet dhe synimet e saj për përparim dhe aq më tepër, kur së paku, për një periudhë dhjetë-pesëmbëdhjetëvjeçare, ke qenë i përfshirë në nivelet e larta të kësaj politike, të kësaj pune dhe shikon që bëhen sende që nuk kanë asnjë lidhje me ato që ke menduar dhe që mendon e gjykon sot. Shembulli më i qartë është i ashtuquajturi Kod Zgjedhor, një hibrid i ri Dushku, i hartuar po nga ata që shkatërruan zgjedhjet në 2001-shin dhe 2005-n. Ai mënjanon alternativat ndaj dyshes që qeveris sot, pra nuk është demokratik, ata lejojnë në komisione vetëm veten e tyre, çka është më pak nga çka lejoi Alia në 1991-shin. Në këtë aspekt, greva e deputetëve është më se e drejtë si një formë proteste ndaj veprimeve të padrejta dhe antidemokratike, që do të kenë pasoja negative për vendin dhe për këtë duhet të merret një konsideratë e mbështetur. Përsa i përket ndonjë ambasadori që i del në mbrojtje Kodit të Dushkut me gjethe lisi, do t’i thosha provo t’ia kërkosh vendit tënd këtë paçavure pa e sheh ku shkon. Përsa i përket idesë, se është shumica ajo që vendos, duam të theksojmë se kjo nuk vlen për shumicën e jashtligjshme të dalë nga Dushku dhe se Demokracia nuk votohet, qoftë dhe me çfarëdo shumice, ndryshe rehabilitojmë dhunën e regjimit kriminal komunist, që merrte në zgjedhje dhe Kuvend 100% të votave.
Bëni telefonata gjatë ditës, a takoni miq?
Po, normalisht bëj telefonata, kontaktoj me miq, pyes për gjëra që më duhen ose ata pyesin dhe kërkojnë ndihmë për ndonjë gjë. Takohem me ta dhe bisedojmë. Takohem me miq të vjetër e të rinj, bashkëpunëtorë, njerëz me të cilët kemi punuar më parë ose më vonë.
Sa shpesh lexoni aktualisht?
Më shumë shkruaj, por edhe leximi zë një pjesë të konsiderueshme të ditës. Lexoj ato gazeta që më interesojnë, gazetat kryesore që i lexoj kryesisht në internet, ose në kafene. Merrem me lexime e shkrime shkencore, apo të librave, për politikën në përgjithësi, që janë të përkthyera në shqip, apo në gjuhë të huaj.
Si ju duken analizat politike që bëhen nga analistë të ndryshëm në gazeta?
Po shajnë kundërshtarët, ose atë për të cilët u është dhënë porosia të shajnë dhe lavdërojnë për punët e shkëlqyera që bëjnë krerët në vend, pa harruar këtu porositë e të huajve tëshqiptarizuar. Janë përsëritje frazash që nuk kanë lidhje me Shqipërinë fare. Sidomos nga ata që e dinë nga anglishtja sesi duhet bërë politika. Lidhur me këtë, u kam thënë mjaft prej atyre analistëve të shquar, që më kanë pyetur shumë, meqë flasin për gjithçka, që nga Obama, Kenia egjithçka. Madje, disave prej tyre, u kam thënë me shaka kur fillojnë debatet në një tavolinë: “Rregullojeni me atë shefin tuaj”, - u kam thënë,- “20 puntata në televizion me ju analistët dhe gazetarët ua bëj unë, çdo dy javë”. Gjatë kësaj kohe të përgatitem, duke lexuar shkrimet tuaja për të parë se çfarë nuk dinë dhe t’ju bëj pyetjet për ato që nuk dini dhe ato që keni thënë në ato analiza. Ata qeshin, të bindur që nuk ka për të ardhur kjo ditë.
Sa e madhe është biblioteka juaj dhe a keni në të libra të veçantë?
Kam mjaft libra, të rrallë nuk e besoj, të vyer po, të paktë mund të janë ata që mund të mos i kenë të tjerët. Librat e rrallë nuk kanë qenë të lejuar në kohën e parë, ata që i kanë, ose ua ka dhënë dikush tani, ose kanë qenë të privilegjuar të kishin të drejtën të mbanin libra të rrallë, se me përjashtim të veprave me kapakë të kuq, të tjerat kanë qenë të ndaluara, apo jo?
Keni lexuar ju libra të ndaluar?
Sigurisht, të gjitha ato që qarkullonin dorë më dorë, vetëkuptohet në duar të sigurta dhe kam mbajtur libra,në atë kohë, si për shembull, “Shqipëria e vërtetë”, e Besim Qorrit, Niçen, Epiktetin e të tjera.
Në qofte së një ditë biblioteka juaj do të merrte flakë, për cilët nga librat do t’ju vinte me keq?
Për të gjithë, sepse të gjithë i kam zgjedhur vetë, pothuajse.
Po aktualisht me çfarë libri po punoni?
Unë po mundohem të ripunoj në nivelin e sotëm të dijeve dhe literaturës shkencore, disertacionine shkallës së parë,Kisha e Mesopotamit në Sarandë, për ta botuar në gjuhë të huaj, që të lexohet nga ata që vijnë e vizitojnë Shqipërinë. Po punoj dhe për një përmbledhje shkrimesh të botuara, por me shtesa dhe shkrime të pabotuara, me titull “Sprovë për ese”.
A kemi ne Shqiptarët një histori, për të cilën duhet të jemi krenarë?
Të gjithë vendet kanë historinë e tyre dhe historia, përgjithësisht, nuk është për t’u mohuar, as e turpshme. Është historia e një populli, është rruga në të cilën ky popull ka ecur gjatë shekujve, gjatë kohës. Të gjitha historitë e të gjitha vendeve, kanë momente pozitive dhe momente negative. Historia as të vjen mbrapa, e as e korrigjon dot, as e shkruan ti me ferman, siç u gënjen mendja sot atyre që nxehen kur flitet që do rishkruar historia. Historia gjithnjë rishkruhet dhe kuptimi i fjalës rishkrim, do të thotë të shkruash sërish atë që është apoke shkruar dikur, nuk do të thotë të ndryshosh të tërën, por të përdorësh fakte të reja dhe me interpretime të kohës. Historia është ajo që është, as nuk e korrigjon dot dhe as i shpëton gjyqit të saj. Unë jam dakord që kjo histori të rishkruhet. Unë kam qenë i pari në gazetë që kam shkruar se përse duhet rishkruar historia dhe, pati nga ata profesionistë që më mbështetën. Ajo rishkruhet mbi fakte, mbi dokumente dhe për historinë e Shqipërisë, këto dokumente mungojnë dhe nuk po shohim që ky boshllëk të mbushet.
I ndiqni edicionet e lajmeve?
Jo dhe po kështu as dhe debatet!
Po shtypin?
Një, tre, katër gazeta, në të cilat shoh për ca gjëra që më interesojnë, i printoj për t’i mbajtur dhe për të shkruar për ato çështje që kam unë ndërmend të shkruaj. Lexoj edhe gazeta të jashtme, ku pas një dite, mbase të gjithë artikujt për VIP-a e kuriozitete, do t’i gjeni në shtypin shqiptar.
Si e shihni ju politikën shqiptare, tani që jeni larg saj?
Bëj vërejtje herë pas here, lexuesit i mjaftojnë ato. Unë normalisht kam opinionet e mia dhe këto i konfrontoj me realitetin, nuk ka nevojë të quhen të miat ato gjëra që janë sheshit apo që i bën gjithë bota demokratike.
Për cilat arsye do të përfshiheshit në politikë?
Çdo njeri i ndershëm duhet të kontribuojë. Synimet e mia kanë qenë te politika, d.m.th., diçka di nga kjo fushë. Di se mund të jap diçka të mirë dhe ajo që do të bëj unë, do të quhej kontribut dhe jo mbajtja e isos, apo thurja e lavdeve. Demokracia është pjesëmarrje dhe transparencë, në të lejohet mendimi ndryshe dhe vota e lirë dhe e ndershme në hartimin e politikave, marrjen e vendimeve dhe zgjedhjen e përfaqësuesve e drejtuesve. Jemi ende larg nga këto parime apo rregulla në të gjitha partitë dhe në sistemin politik.
Cila do të ishte ajo gjë, me të cilën ju do të ndihmonit Shqipërinë?
Për reformimin, për të hyrë Shqipëria në Evropë që e kërkuam këtu e 18 vjet me parë.
Sipas jush, sa e afërt është dita për hyrjen tonë në Evropë?
E afërt nuk është. Së pari, duhet të kesh kartën e identitetit, që nuk ua ka qejfi dy-tri qeverive të fundit ta bëjnë. Tenderi i parë për kartat e identitetit është bërë në vitin 1996, u anulua për defekte dhe u kërkua të përsëritet. U desh shumë kohë për ta bërë. Siç kanë thënë disa gazetarë italianë që, po të numërojmë shqiptarët, sipas numrit të pasaportave të marra, na dalin dhjetë milionë. Për opinionin tim personal, nuk jam që shqiptarët duhen penguar për të hyrë në Evropë, me këtë nuk pajtohem kurrë edhe kur kam qeverisur, por edhe sot. Por jam i bindur edhe për këtë që, pa dokumente të rregullta, askush nuk të beson dhe mund të ketë shumë shqiptarë që kur e dinë se janë të paidentifikueshëm, bëjnë edhe ndonjë gjë “të vogël” më me lehtësi se kur janë të identifikueshëm. Tjetra, për të hyrë në Evropë, duhen arritur pa tjetër disa standarde. Nuk po dëgjojmë nga Evropa të thotë që jeni afruar, gjysmën ehapit e keni hedhur dhe një këmbë e keni gati për ta ulur dhe të dyja këmbët bashkë të çojnë në Evropë. Sidoqoftë një ditë do hyjmë dhe pse ndokujt mund të mos i pëlqejë, sepse duhet të zbatojmë ligjet evropiane dhe jo ato të krahinës nga vijmë.
Për politikën
Merrem me analizë të politikës shqiptare, pavarësisht se me mënyrën sesi bëhet politika në Shqipëri, nuk mund të kontriuboj në të. Tani duhet licensë nga kryetarët e partive, për të marrë pjesë në të dhe jo të zgjidhen nga të tjerët, nga anëtarësia e partive dhe nga populli
Për grevën
Kodi mënjanon alternativat ndaj dyshes që qeveris sot, pra nuk është demokratik, ata lejojnë në komisione vetëm veten e tyre, çka është më pak nga çka lejoi Alia në 1991-shin. Në këtë aspekt, greva e deputetëve është më se e drejtë si një formë proteste ndaj veprimeve të padrejta
Për librin e ri
Unë po mundohem të ripunoj në nivelin e sotëm të dijeve dhe literaturës shkencore, disertacionine shkallës së parë,Kisha e Mesopotamit në Sarandë, për ta botuar në gjuhë të huaj. Po punoj dhe për një përmbledhje shkrimesh të botuara, por edhe të pabotuara, me titull “Sprovë për ese”.
Hyrja në BE
Për të hyrë në Evropë, duhen arritur patjetër disa standarde. Nuk po dëgjojmë nga Evropa të thotë që jeni afruar, gjysmën ehapit e keni hedhur dhe një këmbë e keni gati për ta ulur dhe të dyja këmbët bashkë të çojnë në Evropë. Sidoqoftë një ditë do hyjmë dhe pse ndokujt mund të mos i pëlqejë.