Ish-të përndjekurit politikë do i qetësojë vetëm firma e Topit
Krerë të degëve të shoqatave të ish-të përndjekurve politikë në Mirditë e në Fier, por edhe drejtuesi i Shoqatës “Vatra” në SHBA i kërkojnë presidentit Bamir Topi dekretimin e menjëhershëm të Ligjit të Dosjeve. “Firma qetëson shpirtrat tanë, çrrënjos të keqen e sjell pajtimin”, thonë ish-të përndjekurit, kurse vonesa e harresa identifikojnë institucionin e presidentit në llogoren e atyre që s’kërkojnë dënimin e krimeve të komunizmit dhe mbështesin indirekt segmentet gjakatare të diktatorit Hoxha
TIRANE - Shoqata e të përndjekurve politikë të rrethit të Mirditës, Fierit, por edhe shoqata “Vatra” në SHBA, i kërkojnë me ngulm Presidentit të Republikës Bamir Topi, që të dekretojë pa humbur kohë ligjin për hapjen e “Dosjeve” dhe i bën thirrje klasës politikë të implementojë menjëherë ligjin.
Një zëri, ish të persekutuari dhe të burgosurit politik, vlerësuan miratimin e ligjit në Kuvend dhe përcollën thirrjen e tyre në drejtim të kreut të shtetit për të dekretuar ligjin e dënimit moralisht të sistemit komunist, që i kushtoi kombit, dhunë dhe gjenocid të vazhdueshëm.
Ish-të persekutuarit e Mirditës: Zoti President, mos u vononi më, është në përgjegjësinë tuaj
“Ne, ish-të persekutuarit e Mirditës përcjellim thirrjen tonë për dekretimin sa më të shpejtë të ligjit të lustracionit. Me këtë dekretim, ju ndihmoni që ligji të mundë sa më shpejt t’i qetësojë shqiptarët, gjithnjë në nevojë për liri, përmes frymës demokratike dhe efekteve të leximit të germave!”. “Sikurse të gjithë popujt e tjerë të robëruar nën perandorinë e së keqes, nën diktaturën komuniste, edhe ne shqiptarët duhet të mos i ndalim përpjekjet tona për ringritjen e moralit, njohjen e gjenezës së lindjes sonë morale. Jemi të bindur se vetëm një ligj i tillë shërben denjësisht këtij qëllimi.
Ne e kërkojmë këtë koherencë të institucioneve shqiptare në kohën kur vendi ynë i dashur ka ende gjurmët e dhimbjes dhe të gjakut, themelet e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit, gulagë që mbajtën brenda pleq e plaka, fëmijë e gra, shumë prej të cilëve i humbën përjetësisht varret, pavarësisht nëse ishin priftërinj apo hoxhallarë.
“Lustracioni sa më i shpejtë bëhet i domosdoshëm dhe sjell qetësimin e shpirtrave, duke shmangur krejtësisht keqkuptimet për termat më të debatuar ndër interpretuesit e shumtë të panoramës tonë politiko-sociale.
Shqipëria nuk ka më nevoj të ketë një qendër të privilegjuar, apo një burim privilegjesh, prej nga të vijojë rrënimi i jetës së tjetrit. Ajo s’ka nevojë të përsërisë ato flijime deputetësh, intelektualësh, bijsh e bijash të pafajshëm, sakrifica të pashembullta për asnjë komb tjetër në Evropë.
Ndërgjegjia jonë funksionon si një instrument komunikimi me botën dhe lustracioni veç sa i jep edhe më tej kuptim bashkekzistencës sonë në botë. Kryerja e shpejtë e këtij procesi do të sjellë paqe e barazi shansesh, pasi masakrat dhe gjenocidin nuk e bënë ushtarët dhe policët, por ata që i projektuan, urdhëruan e zbatuan këto strategji gjakatare: Enver Hoxha me gjeneralët, gjykatësit e prokurorët e tij. Të përndjekurit politikë të Mirditës ju bëjnë thirrje, zoti President, ta dekretoni sa më shpejt Ligjin e Lustracionit, që kushdo të marrë vesh se kush i bëri krimet e kush e arkitektoi gjenocidin, në mënyrë që askush të mos mundë më ta përsërisë Spaçin. Ajo luginë e simbolika që ajo mbart mbijetoi, edhe përmes kalvarit të periudhës 1944-1990, dhe po rilind tani, për të lidhur Tiranën me Prishtinën. Shpejtojeni këtë proces zoti president. Le t’i ‘çlirojmë’ diktatorët dhe shërbëtorët e tyre me anë të këtij ligji, t’i lirojmë nga përgjegjësia dhe t’i lëmë të kridhen në harresë, me shpresë se aty do t’i luten Perëndisë për mëkatet e tyre.
Ne i ftojmë të gjithë për më shumë pendesë dhe për një vizion të pandashëm bashkëjetese, me besimin se ju zoti president, keni aftësitë për të kuptuar drejt të sotmen dhe për të kontribuar të lindë dhe rritet natyrshëm e ardhmja. Mirdita vazhdon të mbështetet tek: Fjala, Nderi, Familja, Miqësia dhe Dashuria Njerëzore. Ne besojmë se pas kthimit Tuaj nga Kosova, kjo krenari shqiptare - si truall dhe si qytetari - ju do ta dekretoni këtë ligj për t’i fashitur gjasat e ndarjeve mes nesh e për t’i shpëtuar shqiptarët nga honi i dekadencës shpirtërore, ku mund t’i çojë mungesa e drejtësisë.
Vetëm me kryerjen e këtij procesi, Mirdita dhe Shqipëria do të vijojnë të prodhojnë forma të përjetësisë. Mos u vononi më zoti president. Firma mbetet në nderin tuaj, kurse vonesa e harresa në përgjegjësinë tuaj.
Edhe Ish-të persekutuarit e Fierit përsërisin të njëjtin apel/Të njëjtin qëndrim kanë shprehur edhe ish të përndjekurit politikë të rrethit të Fierit. Edhe këta të fundit, me anë të letre drejtuar Topit, kërkojnë dekretim të menjëhershëm të ligjit të lustracionit, miratuar në Kuvend në ditët e fundit të vitit të kaluar.
Kryetari i shoqatës së të persekutuarve dhe të burgosurve politikë të rrethit të Fierit Selami Morina, përshëndeti miratimin e këtij ligji nga Parlamenti dhe mendon se hyrja në fuqi sa më shpejt e tij do të zbusë sado pak dhimbjen dhe vuajtjet e mëdha që shkaktoi tek shqiptarët regjimi i egër komunist.
“Ju bëjmë thirrje që akti i dekretimit të ligjit për pastërtinë e figurave zyrtare të përshpejtohet. Kalvari i pafund i zvarritjes do t’u interesonte vetëm atyre që kanë ushtruar direkt ose kanë bashkëpunuar në ushtrimin e gjenocidit të diktaturës komuniste. Dekretimi i ligjit është detyrimi më i domosdoshëm që ky shtet dhe autoritetet e tij kanë ndaj zbatimit të Rezolutës të KE kundër krimeve të komunizmit”, shprehet në letrën e tij drejtuar presidentit, kreu i shoqatës së të përndjekurve politikë Selami Morina.
Ai nënvizon se dekretimi i ligjit është detyrim moral dhe ligjor që politika duhet ta shlyejë ndaj gjithë atyre qytetarëve shqiptarë që kanë vuajtur regjimin më të egër të njerëzimit vetëm për shkak të bindjeve politike dhe aspiratave për liri.
“Ju Zoti President keni fatin që me dekretimin e këtij ligji të respektoni gjakun dhe persekutimin gjysmë shekullor të shqiptarëve”, përfundon në letrën e tij Morina.