E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çaji kinez, vdekjet klinike dhe OMGJ-të

Lavdosh Ferruni 

Kryetitulli i një të përditshmeje këtë fillim javë njoftonte 4 vdekje klinike dhe probleme shëndetësore të dhjetëra përdoruesve të tjerë të një produkti që quhet “çaj kinez dobësimi”. Sa kohë që vdekjet ishin vetëm klinike çaji kinez vazhdon të rrufitet nga përdoruesit dhe për të flasin vetëm përdoruesit dhe doktorët me njëri-tjetrin. Po ç’është ky produkt kinez? E para gjë që bëhet normalisht është të këqyret produkti. Një paketim i bukur plot ngjyra të feksuara me germa floriri në gjuhën kineze, me stampim një shenjë sigurie me shkronja po kineze, me një emër kinez me germa latine (Paiyouji), me pjesë të trupit të një femre elegante, por edhe me një flamur amerikan të stilizuar dhe me një USA të shkruar me germa kapitale. Në njërën faqe anësore të paketës e shkruar tmerrësisht keq në anglisht, me shkrimin më të vogël të mundshëm të lexuar ndodhet i gjithë informacioni mbi produktin. Brenda paketës janë paketëzat me përmbajtjen e lëndës së dëshiruar prej përdoruesve që kërkojnë rënie të peshës trupore. Këto janë të shkruar në njërën anë në gjuhën kineze dhe tjetrën në gjuhën ruse, ku shkruhet... se balancon ushqimin, etj.
Nëse i kthehemi përsëri përshkrimit në pjesën anësore të paketës nuk mund të mos konstatojmë se ky produkt është tepër i dyshimtë, edhe pse në krye të paketës dallohet fort e shkruara: “American Technique”. Ja në vazhdim 2 dyshime të forta. Së pari, tek vihet adresa shkruhet: “105 numbers of a north of Guangzhou in Guangzhou City”. Pra, ky produkt qenka prodhuar diku në Guangzhou, që dihet që është qytet në Kinë, edhe pse nuk shkruhet gjëkundi “made in China”. E dyta, dhe më e rëndësishmja, është se në të nuk jepet e plotë përbërja e produktit dhe se aty përmendet një kompani kineze OMGJ (Guangzhou Biotechnology Development, Limited Co.) e certifikuar GMP (Good manyfacture Practice) dhe një qendër amerikane e kërkimit gjenetik në bio-medicin. Dyshimi i madh është se në këtë produkt mund të ketë një OMGJ të rrezikshme për jetën e njeriut. Tek shohim këtë rast nuk mund të mos na kujtohet misri pa kokrra, ku burime të ndryshme thonë se ka qenë OMGJ, apo dhe skandali i prodhimit të domates në Lushnje apo patates në Korçë. Të gjitha këto produkte janë objekte kryesore të aplikimit të modifikimeve gjenetike prej kompanive bio-teknologjike.
A kemi të bëjmë me një situatë ku në Shqipëri eksperimentohen OMGJ, që prodhohen kudo në botë, kur dihet që numri i produkteve OMGJ të eksperimentuara i kalon 10 mijë? Kush mund të thotë, jo? Pse mos të futen ato në tregun shqiptar apo në bujqësinë shqiptare, kur në Shqipëri nuk ka ligj që i ndalon këto produkte? Në fakt, ka një ligj, që është ligji “Për ushqimin”, që ka hyrë në fuqi në shkurt 2008 sipas të cilit, përcaktohet mekanizmi i ndalimit të futjes në treg të ushqimeve OMGJ në Shqipëri, por problemi është se pikërisht po ky ligj në pikën e fundit të dispozitave kalimtare (neni 72) shkruan se : “Neni 28 ‘Nxjerrja në treg e ushqimeve të reja’, sipas përcaktimit të pikës 1 të nenit 27 (ku flitet dhe për OMGJ për ushqimin e njerëzve: paranteza nga autori) dhe neni 54 “Hedhja në treg e ushqimit për kafshë, që kanë në përbërje ose përmbajnë OMGJ” hyjnë në fuqi 5 vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Ja pse Shqipëria është një parajsë për eksperiment masiv me banorët e saj, të paktën edhe 4 vjet të tjera. Kush janë këta që kanë të drejtë t’i japin status lirie për 5 vjet spekulantëve dhe jospekulantëve të spekulojnë me shëndetin dhe mjedisin në Shqipëri? Për kujtesë  njëri prej tyre dihet është Xhuveli, i cili ia ka dalë që qysh prej vitit 2002 të bllokojë një ligj për kontrollin e OMGJ-ve në Shqipëri dhe vazhdon ta mbajë të bllokuar edhe pse projekt ligji për OMGJ është gati, të paktën qysh në fund të vitit 2006, i bërë dhe me asistencë të Komunitetit Evropian. Xhuveli (për shkak të reagimit të shoqërisë civile) dështoi të fuste tinëz në këtë projektligj disa nene sipas të cilëve, në vend të autoritetit kombëtar të kontrollit të OMGJ-ve vendosej vetë ministri. Por në nenin e dispozitave të fundit të ligjit “Për ushqimin”, që shtyn 5 vjet kontrollin e OMGJ-ve në Shqipëri është padyshim vetë Gjana, i cili paradoksalisht 5 vjet më parë aprovoi në Komisionin e Bujqësisë në Kuvend, që ai drejtonte, projektligjin sipas të cilit kërkohej për 5 vjet moratoriumi i OMGJ-ve në Shqipëri. Eksperimentet mund të vazhdojnë të lulëzojnë në Shqipëri. Asnjë nuk i ndalon, të gjithë i lejojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›