Qeveria çon ne Kuvend kontratën 78 milionë euro me Eurocopter
TIRANË - Qeveria shqiptare dërgon dje në Kuvend një kontratë me vlerë 78 milionë euro për blerjen e 5 helikopterëve ushtarakë shumë-rolësh nga kompania europiane Eurocopter. Kjo blerje vlerësohet si shpenzimi më i madh i bërë nga Shqipëria vitet e fundit për Forcat e Armatosura. Një kontratë me vlerë të konsiderueshme për buxhetin e qeverisë shqiptare është dërguar në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë prej tij viston e hyrjes në fuqi. Është fjala për kontratën me vlerë 78 milionë euro që qeveria shqiptare ka arritur me kompaninë europiane Eurocopter që drejtohet nga francezët, për blerjen e 5 helikopterëve ushtarakë që po vlerësohet si blerja më e madhe e Shqipërisë për forcat e saj të armatosura. Kontrata, që nuk ka gjasa të mos miratohet nga deputetët e shumicës, parashikon një pagesë me këste nga qeveria shqiptare që do të shtrihet deri në vitin 2013.
Qeveria thotë se e ka fuqinë paguese për një blerje të tillë për shkak të rritjes se buxhetit për ushtrinë, i cili tani kap 2 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto. Ajo thotë se me këta helikopterë Shqipëria pritet të ketë një flotë ajrore konkurruese. Aktualisht Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë një inventar të varfër, me disa helikopterë të prodhuar mes viteve 65’-75’, me fuqi motorike dhe me kapacitete të vogla teknike dhe operacionale. Helikopterët e rinj janë të tipit Cougar-AS532 të versionit ushtarak, të familjes Super-Puma. Qeveria thotë se me ta do të plotësohen misionet e transportit të trupave në luftim, operacionet e kërkim-shpëtimit, transportet mjekësore si dhe ato të personaliteteve.
Pranga të dënuarit me 2 vite e 6 muaj për trafik drogë
DURRËS - Vihet në pranga i dënuari me 2 vite e 6 muaj burg për prodhim dhe mbajte të lëndëve narkotike. Polica e qytetit bregdetar ka arrestuar ditën e djeshme Bledar Plakun, ndaj të cilit Gjykata e Durrësit, më datë 02.12.2008, kishte caktuar dënimin e tij me 2 vjet, 6 muaj dhe 6 ditë burg, për veprat penalë të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike dhe mbajtjes pa lëne të armëve e municioneve luftarake. Sipas uniformave blu të Durrësit mësohet se më datë 27.03.2008 në lagjen Nr. 17, në rrugën hyrëse të qytetit, janë ndaluar e kontrolluar nga shërbimet e Policisë, Bledar Plaku, Bledjan Karaj dhe Bledi Garo. Gjate këtij kontrolli Plakut iu gjet sasia prej 2, 8 gram Cannabis Sattiva dhe 3,4 gram heroinë. Kapja e Bledar Plaku u bë i mundur në banesën e tij në fshatin Shënavlash.
3 Shkurt 2010