E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të krijosh “ngjyrën” tënde



Të formohesh si piktor është një rrugë e gjatë që shkon nga 15-18 vjeç. Është një profesion arti që kërkon investim kohor dhe material për të mësuar gjuhën e saj. Artistët që merren me pikturë figurative tek ne, pak a shumë e kanë kaluar këtë përvojë. Kjo ekspozitë, që organizohet prej 12 vitesh, ka afruar rreth vetes një pjesë të piktorëve tanë figurativë, që kanë arritur rezultate në ngjyrë dhe në vizatim.

Pse këmbëngulet në ruajtjen e kësaj rruge? Një prej mënyrave për të arritur rezultat është të ruash një drejtim në art, për të hyrë më thellë në mundësinë e tij. Kjo të krijon përparësinë të arrish në pikën e lartë: të krijosh “ngjyrën” tënde. Sa më shumë t’i përkushtohesh një fushe aq më i mirë është rezultati.

Duke mos përjashtuar asnjë metodë shprehjeje pamore, kjo ekspozitë do të ruajë, këtë profil për t’i dhënë mundësi artistëve të rinj, që e kanë të afërt pikturën, të ekspozojnë në një mjedis konkurrent dhe vlerësues.

Në ekspozitat e mëparshme “Nëntor” kanë qenë pjesëmarrës, deri në ndarjen e tyre nga jeta, piktorë të tillë me një krijimtari artistike të lartë si Sadik Kaceli, Ismail Lulani, Isuf Sulovari, të cilët kanë lënë gjurmë të thella në artin tonë të pikturës.

Kombinimi i ngjyrave është një mister, të cilën as vetë autori nuk e shpjegon dot, por në thelb është një shprehës i veçantive të tij. Ai zbulon tipin e artistit. Ngjyrat, edhe kur duket sikur “imitojnë” natyrën, ruajnë karakterin e piktorit. Ato në sytë e spektatorit janë të dallueshme.

Tema në ekspozitë nuk është ndonjë prioritet. Secili artist mund të mbajë qëndrim social, filozofik për jetën dhe shoqërinë sipas koncepteve dhe angazhimit të tij, por pika e përbashkët dhe që përbën veçantinë, është se si i përdor krijuesi ngjyrat brenda sipërfaqes së tablosë.

Krahas kompozimeve me subjekte, në ekspozitë ka dhe natyra të qeta, të cilat gjatë gjithë historisë së artit kanë paraqitur objektet e përditshme të njeriut, ku artisti na bën të dukshme atë që ne duhet të shohim. Peizazhi evidenton ato pamje që kanë tërhequr vëmendjen e piktorëve për të veçantat që kanë. Portretet, sjellin në ekspozitë njerëzit me cilët krijuesit janë ndeshur në aspekte të ndryshme të jetës dhe ju kanë lënë mbresa. Të gjitha këto të para si në anën e tyre tërheqëse apo dhe në të kundërtën, si probleme.

Piktura dhe në çastet e saj të hidhura është e hijshme për t’u parë. Kjo është veti e ngjyrës në vetvete dhe pastaj,- më kryesorja, që artistit ajo i jep veçanti.

*Piktor dhe kritik

Organizues i ekspozitës “Nëntor 12”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›