E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i energjisë, OSSH kërkon rritje 43% të tarifave



Rritja e çmimit të energjisë në vitin 2010 ka gjasa të tronditë konsumatorët shqiptarë, nëse ajo do të aplikohet në bazë të kërkesave të bëra nga tre operatorët e energjisë, KESH, OST dhe OSSH. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë në nivelin 43 për qind, por duke e ndarë aplikimin e kësaj rritjeje përgjatë dy vjetëve, në 2010-2011. Enti Rregullator i Energjisë ka mbledhur dje në një seancë dëgjimore të gjithë grupet e interesit për të dëgjuar pretendimit e tyre rreth rritjes së çmimit të energjisë. Në këtë seancë dëgjimore, të gjithë operatorët e energjisë, KESH, OST dhe OSSH, kanë kërkuar rritjen e çmimit duke paraqitur edhe pretendimet e tyre në një seancë dëgjimore të organizuar nga ERE. Drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së,

Josif Heisek, bëri publike kërkesën e kësaj kompanie të paraqitur pranë ERE-s për rritjen e çmimit të energjisë në masën 43 për qind. “Kompania ime gjendet në një situatë shumë të vështirë, humbjet janë shumë më të larta se ne i prisnim dhe ato mbeten sfida jonë më e madhe. OSSH jo vetëm që këtë vit nuk do të dalë me fitim, por do të ketë një humbje rreth 10 për qind. Që tarifa të barazohet me koston duhet që çmimi i shpërndarjes të rritet me 43 për qind, prej të cilave ne kemi kërkuar që për vitin 2010 rritja të jetë 23 për qind”. Sipas tij, barazimi i kostos me çmimin i shtyn ata të kërkojnë një rritje të tillë, e cila gjithsesi duket se nuk do të pranohet nga ERE. Enti Rregullatori i Energjisë, pak më herët ka hedhur poshtë pretendimin e OSSH-së për nivelin e humbjeve që është 35.7 për qind. Por ekspertët e ERE-s janë të mendimit se kjo shifër është 3.7 për qind më e lartë, ndaj dhe nuk justifikojnë rritjen e çmimit sipas kërkesës së OSSH-së. Por si të mos mjaftojë rritja e çmimit të energjisë, ngarkesa për konsumatorët është edhe prishja e skemës së çmimeve me dy blloqe, kërkesë kjo po e OSSH-së. Sipas kërkesës të OSSH-së, çmimi i ri për familjarët kërkohet të jetë unik në nivelin 9.15 lekë për kilovat, që do të thotë për ata që konsumojnë më pak se 300 kilovat orë, rritja do të jetë 31 për qind. “Ne mendojmë se skema aktuale nuk adreson problemin e të varfërve. Sipas llogaritjeve tona, kufiri prej 300 kv është shumë i lartë dhe mbulon jo vetëm të varfrit, por edhe pjesën dërrmuese të konsumatorëve, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike”, - tha përfaqësuesi i OSSH-së. Në të njëjtën linjë me OSSH-në kanë qenë edhe dy kompanitë e tjera, KESH dhe OST, të cila kanë kërkuar nga ana e tyre rritje të çmimit të energjisë. “Tarifa e nevojshme për KESH për rigjenerimin për vitin 2010 ka rezultuar të jetë në një vlerë rreth 2.78 lekë për kilovat orë”, - tha dje në seancën dëgjimore, Artur Kurti, përfaqësues i KESH-it. Ndërsa përfaqësuesja e OST-së argumentoi rritjen e çmimit të energjisë, në raport të totalit të të ardhurave me sasinë e energjisë që do të hidhet në rrjet. “Totali i të ardhurave është 4 miliardë e 857 milionë për vitin 2010, që e vënë në raport me sasinë e energjisë që do të transmetojë në fundin e linjave tona 110 kv, do të japë tarifën 0.79 lekë për kilovat orë”, - tha dje përfaqësuesja e OST-së.

Nëse çmimi i energjisë elektrike do të rritet bazuar në kërkesat e bëra nga tri kompanitë e sistemit energjetik, një familjeje i duhet të paguajë 10 lekë për kilovat orë çmimin e energjisë pa llogaritur edhe 20% TVSH. Çmimi aktual i energjisë është 7 lekë për 300 kilovatët e parë dhe 12 lekë për ato familje që kalojnë sasinë mbi 300 kilovat.

Çmimi i energjisë si ndryshon:

KESH kërkon rritje 2.78 lekë për kilovat

OST kërkon rritje 0.79 lekë për kilovat

OSSH, rritje unike për familjarët 9.15 lekë për kilovat

Çmimi aktual i energjisë (300 kv) 7 lekë për kilovat

Çmimi aktual i energjisë (mbi 300 kv) 12 lekë për kilovat

Me këto kërkesa, çmimi familjar është 10 lekë për kilovat

Bashkë me TVSH-në, çmimi kv/orë 11.83 lekë kilovat

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›