BE ndalon hyrjen e Asma al Assad në vendet perëndimore

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian kanë vendosur të ndalojnë udhëtimin në vendet perëndimore të gruas së Bashar al-Assad, Asma al-Assad . Gjithashtu BE ka vendosur që ndaj saj të vendosen edhe një sërë sanksionesh që përfshijnë edhe bllokimin e aseteve.
Lajmin e kanë konfirmuan për “BBC” burime të sigurta diplomatike. Asma al-Assad, e lindur në Britani, figuron midis 12 emrave të rinj të funksionarëve sirianë të shtuar në listën e personave të cilët nuk u lejohet të udhëtojnë në vendet e Eurozonës, listë kjo e kryesuar nga presidenti Bashar al Assad.
Është ende e paqartë nëse sanksionet do të ndalojnë 36-vjeçaren që të udhëtojë edhe në Britani, pavarësisht pasaportës britanike që zotëron.
Sanksionet ndaj Zonjës së Parë të Sirisë vijnë pas akuzave të përsëritura të grupeve të opozitës se Asma al-Assad është njësoj përgjegjëse për masakrat që po ndodhin nëpër vend.