Të kuqtë për tri pikë kundër Kastriotit

Albania-sport- Partizani do të përballet sot (ora 14:00) me Kastriotin në një ndeshje ku trajneri i të kuqve Hasan Lika kërkon nga formacioni i tij tri pikët.
Skuadra e kuqe ka shansin për të reduktuar deri në -2 pikë diferencën me Teutën e vendit të dytë, ndaj së cilës Partizani do të përballet edhe në gjysmëfinale për Kupën e Shqipërisë
Në ballafaqimin e parë në Krujë, Partizani barazoi me Kastriotin 2-2, ndërkohë që fitoi takimin në Tiranë me rezultatin 1-0.
Kastrioti i Petrit Haxhiaj ( një tjetër trajner i shkollës së Partizanit) ndodhet në vendin e 10 me 25 pikë (një ndeshje më pak).
Formacioni krutan është i plotë në këtë takim, ndërsa për të kuqtë, në dyshim janë Babamusta e Dhembi.
Te Kastrioti luajnë dy ish-lojtarë të Partizanit: kapiteni Shkëlzen Rustami dhe Alpin Gallo.
Takimi Partizani-Kastrioti do të gjykohet nga Kridens Meta.