Drejtori i Policisë së Shtetit, takim me homologun francez për rritjen e bashkëpunimit
Bashkëpunimi midis policisë shqiptare dhe asaj franceze ka qenë temë e bisedës midis drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe atij të Francës, Frederik Pechenard. Po ashtu drejtuesit e lartë policorë të të dyja vendeve ndanë të njëjtin mendim për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet policive të të dyja vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit operacional në mënyrë që rezultatet të jenë konkrete, të drejtpërdrejta dhe të shpejta. Ndërkohë gjatë fjalës së tij, Burgaj bëri një ekspoze të shkurtër të punës së strukturave të Policisë së Shtetit për të luftuar me zero tolerancë krimin në të gjitha format e tij, e veçanërisht krimin e organizuar.
Po ashtu, numri një i policisë shqiptare, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore të të dyja vendeve, theksoi se së shpejti do të caktohet oficeri ndërlidhës i policisë shqiptare në Lion, i cili do t’i shërbejë më së miri rritjes së mëtejshme të këtij bashkëpunimi. Drejtori i policisë franceze gjatë fjalës së tij vlerësoi rezultatet konkrete të arritura në sajë të bashkëpunimit ndërmjet policisë shqiptare dhe asaj franceze, veçanërisht në goditjen e trafikut të automjeteve, të trafikut të qenieve njerëzore etj.
Pechenard shprehu angazhimin dhe vullnetin e tij personal për të thelluar dhe më tej nivelin e bashkëpunimit, veçanërisht atë operacional mes shërbimeve policore të të dyja vendeve. Nga shteti francez u ofrua mbështetja për trajnimin e specialistëve të strukturave të ndryshme të policisë shqiptare.