E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do të unifikojmë diplomat Shqipëri-Kosovë-Maqedoni



Gjatë aktivitetit të organizuar dje me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Studentëve në mjediset e Teatrit Kombëtar, Kryeministri i vendit, z. Sali Berisha, premtoi njësim të diplomave në të gjitha universitetet shqiptare, qofshin në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, si edhe praktika të njësuara. Kryeministri i kërkoi ministrit të Arsimit, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në këtë aktivitet, që të nisin negociata në lidhje me këtë çështje.

“Zoti ministër, - iu drejtua Kryeministri, ministrit Tafaj, - duhet që të unifikojmë sa më parë diplomat, kudo që ato lëshohen në universitetet shqipfolëse. Praktikat duhet të jenë unike. Ne po i unifikojmë ato me të gjithë Evropën, sepse nuk mund të mos ndihemi të kënaqur që, së paku, kremtojnë këtë ditë pasi kemi realizuar dhe kemi shënuar arritje të mëdha dhe historike, së pari në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, - tha Kryeministri Berisha.

Sipas tij: “Në thelbin e tij më të thellë dhe më të fshehtë ideali studentor është ideali evropian. Kjo është e vërteta! Është kënaqësi e madhe që sot ne kremtojmë ditën tuaj pasi për Shqipërinë janë marrë vendime historike për integrimin e saj në Bashkimin Evropian”.

Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, rektori i Universitetit të Tiranës, organizator i këtij aktiviteti, prof. dr. Dhori Kule, premtoi ndërtimin sa më shpejt të kampusit të ri universitar të Universitetit të Tiranës.

“Dua t’ju siguroj se shumë shpejt universiteti ynë do të ketë kampusin e vet madhështor të ngritur në mjediset e hyrjes së Qytetit Studenti. Meqenëse është sot me ne, dua të falënderoj Kryeministrin Berisha, i cili e ka mbështetur fuqimisht këtë projekt, që do të mundësojë krijimin e një infrastrukture bashkëkohore, jo vetëm në Universitetin e Tiranës, por edhe në universitetet e tjera”, - theksoi rektori.

Dita Ndërkombëtare Studentore lidhet me protestën e studentëve të Universitetit të Pragës, në vitin 1939 kundër pushtimit të Çekosllovakisë nga forcat naziste. Në atë protestë u ekzekutuan 9 studentë dhe u internuan në kampe përqendrimi më shumë se 1200 të tjerë, ndërkohë që të gjitha universitetet dhe kolegjet e vendit u mbyllën menjëherë nga forcat naziste.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, Kryeministri Berisha theksoi forcën e studentëve në zhvillimin e kombit shqiptar. “Përfaqësuesi i studentëve të Prishtinës theksoi këtu Murin e Berlinit. Po, kombi polak u ngrit si vigan nga kantieri i Gdañskit. Kjo është e vërteta! Kombi hungarez u ngrit nga qytetarët e Budapestit. Dhe ajo çka është unike, kombi shqiptar në të gjitha betejat për lirinë e tij ka pasur studentët”, - tha Kryeministri.

Në aktivitetin e zhvilluar në Teatrin Kombëtar përshëndetën edhe drejtuesit e Këshillit Kombëtar të Studentëve të Shqipërisë, Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës dhe Qeverisë Studentore të Universitetit të Tetovës. Ndërkohë, të pranishëm ishin edhe ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, zëvendësministrja, znj. Nora Malaj, rektorët e universiteteve publike dhe jopublike si edhe dekanët e fakulteteve të tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›