E Diel, 1 Nëntor 2026

"Të lindësh në luftë"

Kam lindur i buzëqeshur. Shpesh edhe më kanë folur për këtë, sikur të ishte faji im. Kush ka lindur në një ishull, shpesh ka atë buzëqeshje të fiksuar që irriton banorët e qyteteve. Ata mendojnë kushedi ç‘sekret mban, një hipokrizi, ose mendojnë se është shenja e një shpirti të dobët, në mos të një shpirti të thjeshtë. Kur lind nga një nënë që vjen nga një ishull, me instinkt e kupton se një ditë do të duhet të përballesh me këtë fakt edhe përpara të tjerëve. Dihet edhe se (duke qenë se të gjithë bëjnë të pamundurën që ju ta kuptoni këtë), se universi nuk është ai perimetër që ti njeh, që nuk është kaq i vogël, nuk është i mirë, dhe se përreth jush njerëzit nuk kanë aspak nevojë për ju.

Ja përse njerëzit që janë rritur në një rreth të ngushtë të lidhur, siç është një ishull, ndërtojnë sa më shpejt të jetë e mundur atë buzëqeshje false që u shërben si guaskë mbrojtëse. Kur kam dalë nga izolimi im, pas asaj lufte të tmerrshme, unë kisha atë buzëqeshje të fiksuar. Shokët e mi të shkollës më pyesnin: "Përse buzëqesh gjithnjë"? Të tjerë shtonin më shumë si të më jepnin një shpjegim: "Mos ndoshta je zezak ti"?

Unë nuk dija si të përgjigjesha. Nuk e dija se si isha. Nuk e njihja tim atë. Imagjinoja se duhej të ishte si unë, me lëkurë të errtë, buzë mishtore dhe atë buzëqeshje të palëvizshme që nuk kishte asnjë domethënie. Në vazhdim mësova edhe të mbrohem. Thosha: "Nuk është buzëqeshje, është një ngërdheshje". Momenti i vetëm në të cilin buzëqeshja ime u fshi, ishte kur një aeroplan kaloi shumë ulët, pranë tokës, dhe zhurma e motorit më shurdhonte veshët. Ishte luftë. Nuk kishte burra në shtëpi, përjashto këtu dajën tim, monsieur Lucien, por nuk isha shumë i sigurt në ishte vërtet një burrë. Ishte shumë i gjatë dhe i dobët, e fliste me një zë shumë të ulët. E doja shumë. Gjyshja ime ishte e shkurtër dhe e bëshme, me një tufë flokësh të zinj dhe sy gri. Ishte ajo që vendoste për gjithçka, që i komandonte të gjithë për të gjitha. Mamaja ime ishte shumë e bukur. Më kujtohet ajo në ato kohë, ishte e gjatë dhe e dobët, me flokë pis të zeza, me një lëkurë ngjyrë buke me piper (dikush edhe ia tha një ditë), sytë i kishte ndonjëherë të zinj, e qerpikë të dendur. Verës e kalonte kohën e veshur me kostum plazhi, nën diell, në barin e kopshtit pas shtëpisë. E bënte shpesh këtë në fillim, por pastaj erdhën armiqtë dhe gjyshja ime ia ndaloi të qëndronte jashtë. Lëkura e këmbëve të saj ishte e errët gjithë shkëlqim, më pëlqente t‘i kaloja sipër majat e gishtave sikur ta përkëdhelja, ishte e butë dhe ngrohtë, si një gur i lëmuar prej detit. Ishte luftë. Nuk kishte asgjë për të ngrënë. Nuk kishte para. Lajmet duhet të ishin të ankthshme. E megjithatë më kujtohet mamaja ime si një njeri gazmor dhe e çlirët. I pëlqente të këndonte, t‘i binte kitarës. I pëlqente edhe të lexonte, mund të qëndronte për orë të tëra e zhytur në një libër si "Lindja e Jalnës". Falë saj, mbeti e ngulitur tek unë bindja se pavarësisht vështirësive të momentit, realiteti vazhdon të mbetet një sekret dhe se vetëm duke ëndërruar mund të jesh më pranë botës. Gjyshja ime ishte shumë ndryshe. Ishte një grua nga veriu. Nga zona e Arras ose nga Compiegne, nga një fis i madh fshatarësh të ashpër dhe autoritarë. Quhej Germaine. Mendoj se e kuptova shumë shpejt se çfarë domethënie kishte ai emër. I kishte zët për vdekje armiqtë që kishin pushtuar Francën. Asnjëherë nuk ua thoshte emrin. E kishte humbur burrin gjatë Luftës së Madhe. E kishte rritur djalin e saj të vetëm, dhe vëllain e vogël pas incidentit. Të gjitha këto i kuptova shumë kohë më vonë.

Edhe për babanë tim nuk mësova asnjëherë asgjë. U nis një ditë për të mos u kthyer kurrë. Por praktikisht nuk kisha asnjë kujtim të tijin. Ndoshta vetëm diçka si hije, një siluetë e largët. Nga gjyshi im, nga babai, kishin mbetur vetëm pak fotografi të vendosura në kornizë në dhomën e gjyshes. Edhe një Bibël, si dhe disa libra të Emanuel Swedenborg, prej të cilëve mësova edhe të lexoj. Mamaja ime kishte një emër shumë të ëmbël. Një emër ishulli dhe lumi, që i shkonte për shtat me buzëqeshjen dhe me ngjyrën e saj të lëkurës, si dhe me muzikën e kitarës. Quhej Rosalba. Lufta ndodh kur ke uri dhe ftohtë. A nuk bën gjithnjë më shumë ftohtë kur ndodhesh në luftë? Gjyshe Germaine thoshte se dy luftërat që ajo njihte, "e madhja" dhe pastaj ajo tjetra, "e ndyra", ajo që shpërtheu kur unë isha një vjeç, që të dyja karakterizoheshin nga vera të nxehta, të ndjekura nga dimra të tmerrshëm. Rrëfente se kujtonte që në verën e ‘14-ës trumcakët në fusha kishin kënduar: "‘st‘està, ‘st‘està!". Dhe se dy ditë më pas muret ishin pushtuar nga manifeste të mobilizimit. Germaine nuk kishte thënë se zogjtë kënduan edhe gjatë verës së ‘39-ës. Megjithatë kishte kujtuar se i biri ishte nisur nën një shi të furishëm. Kishte puthur të shoqen, më kishte marrë në krahë dhe ishte larguar pa e kthyer kokën pas. Në mal bënte shumë ftohtë që nga muaji tetor. Çdo mbrëmje binte shi.

Rrugët ishin kthyer në lumenj që bënin një zhurmë të trishtë. Kishte shumë korba në fusha, bënin mbledhjet e tyre, dhe ulërimat çjerrëse mbushnin boshllëkun në qiell. Ne banonim në katin e parë të një shtëpie të vjetër, të ndërtuar me gurë, në dalje të fshatit. Në katin e nëndheshëm kishte një dhomë të madhe bosh që në të kaluar kishte shërbyer si dyqan ushqimor, ku shiteshin edhe patate. Dritaret e dyqanit ishin murosur. Këto ishin urdhrat e armikut. Kishin frikë nga atentatet. Dhoma e madhe megjithatë shërbente akoma si magazinë. Një ditë, pronarja, zonja Carrignon, kishte hapur portën dhe unë hyrë në dyqanin që ishte në gjysmëhije, pashë raftet bosh, zamzanet e mbushura me rrjetë merimange dhe në dysheme, që dukej thuajse fantazmagorike nga drita gri, kishte rrecka dhe thasë bosh, që ngjanin me kufoma. "Çfarë do këtu? Ik, shu!". Zonja Carrignon u shfaq te dera, mbante veshur një përparëse që kishte ngjyrën e atyre thasëve të vjetër të patateve, me rrjetë merimange të ngecur nëpër flokë. Ishte e zbehtë, kishte vetëm një dhëmb që i mbështetej mbi buzën e poshtme. I trembte të gjithë fëmijët e fshatit. Lufta mbi të gjitha se ç‘mbante një erë, një erë që nuk mund ta harroj kurrë. Një përzierje mes erës së ushqimit të prishur, tymit, erës së gështenjës dhe lakrës, ishte diçka e ftohtë, shqetësuese, turbulluese.

Jeta kalon, ndryshon, harron. Por era që bie lufta mbetet, ndonjëherë edhe kthehet papritmas. Bashkë me të kthehen edhe kujtimet, ajo kohë e gjatë, e gjatë, kur të duket se ditët, muajt, vitet janë të pafundme. Kur të duket se armiku nuk do të largohet kurrë, do të qëndrojë përherë, që do të pushtojë tokën dhe rrugët e vendit deri kur t‘i vijë fundi botës.

Mungesa e parave. Si e kupton një fëmijë katërvjeçar këtë? Që gjyshe Germaine fliste me mamanë time, mbrëmjeve, pas supës me rrepa, ndërsa unë dremisja me bërrylat mbi tavolinë, duke parë vizatimet që lëviznin mbi mushama? "Si t‘ia bëjmë për qumështin, bukën, perimet? Gjithçka kushton kaq shtrenjtë!". Nuk janë paratë që mungojnë, janë mënyrat për të kaluar kohën. Mënyrat e të mosmenduarit më për kohën, kur nuk ke më frikë për ditën që merr fund, për natën, për ditën që është duke lindur. Ajo frikë që përzihet me aromën e fshatit, me të ftohtin në luginën e zënë në kurth nga dimri, nën hijen e majës së lartë të Abeilles që avanconte gjithnjë e më shumë.

Maja e lartë e malit është ajo që dominon luginën, që kërcënon fshatin. Shtëpia jonë është buzë rrugës që shkon drejt malit të lartë, në pikën ku lugina fillon e ngushtohet, duke e shtyrë ujin e lumit drejt mbylljes.

Por mua më pëlqen lumi, zhurma e tij, aroma e tij. Nuk është si aroma e kantinës që ngjitet prej dhomës së madhe, ku vjetërsirat janë si veshje të harruara. Lumi bën një muzikë gati të ëmbël, të njëjtin efekt ka tek unë edhe zëri i mamasë sime, Rosalba-s, kur këndon me kitarë, ose kur më lexon diçka mbrëmjeve, në shtratin e saj: unë dhe ajo të mbështjellë, gati të përqafuar nën shtresa, për t‘u ngrohur pak më shumë. Ose zëri i shiut që duhet të bjerë çdo mbrëmje ndërsa unë fle, kur hija e majës së thepisur të Abeilles-s avancon si një krah korbi. Dhoma në të cilën jetonim, ishte kuzhina. Tri dhomat tona ishin të errëta dhe të ftohta. Binin pranë një burimi ku uji rridhte vazhdimisht. Kuzhina binte nga rruga, me dy dritare dhe një ballkon ku gjyshja ruante në freski ushqimet që do të na duheshin për dimrin. Mbrëmjeve gjyshe Germaine vendoste letrën blu në dritare për t‘u mbrojtur prej plumbave. Unë e kaloja pjesën më të madhe të kohës në kuzhinë. Aty binte dielli edhe kur ishte kulmi i dimrit. Gjatë ditës nuk kishte nevojë për tenda, pasi nuk kishim komshinj përballë. Rruga që kalonte nën dritaret e kuzhinës ishte rruga që të çonte drejt malit. Nuk kalonin shumë njerëz aty. Mëngjeseve, aty nga ora shtatë, korrieri astmatik që vinte për të shpërndante postën bënte një zhurmë të mbytur. Kur e ndieja që vinte, vrapoja për të parë insektin e madh metalik pa fytyrë dhe pa kofano, me çatinë e mbështjellë lidhur me tela.

Stacioni i autobusit ishte pak më poshtë, në sheshin kryesor të fshatit. Duke ndenjur në ballkon, mund të dalloja përtej lëndinave, lumit, çative të fshatit të ri, kambanën kuadrate me krenarinë e atyre numrave romakë. Asnjëherë nuk ia kam dalë mbanë të shikoj orën, besoj se ajo ishte prishur që në fillim të luftës. Më duket se shënonte mesditë. Në pranverë, kuzhina mbushej me miza. Gjyshe Germaine thoshte se ishin armiqtë që i kishin sjellë me vete. "Para luftës nuk kishte kaq shumë". Daja im, monsieur Lucien, e tallte shpesh. "Po ti nga e di? I ke numëruar"? Por ajo nuk dorëzohej. "Po, në ‘14-ën erdhën edhe në Compiegne, ti duhet ta kujtosh këtë. Re me miza. Thuhej se i kishin marrë me vete dhe i hidhnin mbi ne për të na demoralizuar". Për të luftuar kundër tyre, gjyshja Germaine varte rripa letre të gomuara në llambë. E në pamundësi për t‘i ndryshuar, ajo përdorte gjithnjë të njëjtat rripa letre, të cilat i pastronte çdo mbrëmje. Por duke vepruar në këtë mënyrë, ia hiqte shtresën e ngjitësit e pas pak kohe kurthi shërbente si një vend pushimi për mizat. Sa i përket monsieur Lucien, ai përdorte një metodë më radikale. I armatosur me një vrasëse mizash, çdo ditë nisej për gjueti. Thoshte se as që i shkonte ndërmend të hante mëngjes nëse më parë nuk do të kishte vrarë 100 mizat e tij. Kështu unë mësova edhe të numëroj...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›