E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Kolokiumin e 5-të mbi Ilirinë e Jugut dhe Epirin antik

Këtu në Grenobël, në Universitetin Pierre Mendes të Francës, nga data 8 tetor deri më datën 11 tetor zhvillohet Kolokiumi i 5-të mbi Ilirinë e Jugut dhe Epirin antik. Është kolokium ndërkombëtar, i cili ndjek kolokiumin e parë të zhvilluar në vitin 1984 në Clermon-Ferrand të Francës, me iniciativë të profesorit Pierr Cabanes. I katërti kolokium është zhvilluar edhe ai po këtu, në Universitetin e Grenobël 2, në vitin 2002. Është dita e dytë dhe kumtesave interesante shkencore i janë bashkangjitur diskutimet e shkencëtarëve të mbledhur nga universitete të tjera të botës. Gjejmë rastin dhe takojmë organizatorin e kolokiumit, profesorin e historisë antike të Universitetit të Grenoblës, zotin Jean Luc-Lamboley. Pas falënderimit për organizimin e mrekullueshëm të aktivitetit, e pyetëm për më gjerë në lidhje me pjesëmarrjen, shumëllojshmërinë e temave dhe mbështetjen financiare. Profesori vuri në dukje se në kolokium marrin pjesë 75 specialistë nga universitete të ndryshme të botës, nga Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, USA, Britania e Madhe, Italia, Rumania, Gjermania dhe sigurisht nga Franca. Për sa u përket temave, ato janë përqendruar në studime që kanë të bëjnë me shkëmbimet ekonomike dhe kulturore në antikitet në zemër të Ballkanit, në atë zonë që sot bën pjesë në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoni. Kumtesat dhe diskutimet janë ndërdisiplinore, si në fushë të arkeologjisë, epigrafisë, numizmatikës dhe mbulojnë një kohë nga prehistoria e deri në antikitetin e hershëm. Punimet kanë marrë shkas, veçanërisht pas hapjes dhe krijimit të lehtësirave ligjore për ndërtimin dhe funksionimin e ekspeditave shkencore në Shqipëri.

Kolokiumi, si edhe ata të mëparshmit, është mbështetur nga Ministria e Jashtme franceze, nga Ministria e Kulturës e Francës, nga rajoni i Grenoblës, Universiteti i Grenoblës, ndërmarrje, si dhe Shoqata Miqtë e Apolonisë. Mbështetja financiare është realizuar jo vetëm për ardhjen dhe jetesën e 75 specialistëve në Grenobël, por edhe për çdo gjë që ka nevojë një veprimtari e tillë, deri te botimi i materialeve. Pyetjes për kontribut financiar për këtë kolokium nga qeveria shqiptare, profesori i nderuar iu përgjigj me ngritje supash. Por, ai e kaloi vështirësinë duke vënë në dukje gëzimin e madh të mjedisit shkencor për të ballafaquar punimet mes specialistësh. Sepse kjo është faza kur ata diskutojnë para se materialet të marrin dritën e botimit. Kolokiumin e ndjek edhe zoti Cabanes. Pyetjes sonë se përse dhe si lindën kolokiumet për Ilirinë e Jugut dhe Epirin antik, profesori i nderuar iu përgjigj duke iu referuar tezës së tij studimore të vitit 1965, kur atë e vuri për herë të parë në kontakte me mjedisin mes kufijve të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë, si edhe fjalët e profesorit të vet të atëhershëm, Luis Robert. Profesori, studiuesit të ri të atëhershëm, Cabanes, i rekomandoi që punën studimore duhej ta zgjeronte në gjithë atë zonë që dikur romakët e quanin Epir i Vjetër dhe Epir i Ri. Pas shumë vjetësh, në sajë të kushteve të reja për një punë shkencore jashtë suazave ideologjike, profesor Cabanes arriti jo vetëm të zgjerojë zonën e studimit, por edhe të mbledhë në sheshe pune dhe tryeza shkencore specialistë nga vendet e Ballkanit dhe e gjithë bota shkencore e interesuar. Profesori ka shkruar tri libra për këtë pasion dhe punën të tij shkencore dhe tani është duke shkruar librin e katërt me shqiptarin Faik Drini. Ajo që shpreh me kënaqësi profesori është pjesëmarrja e shumtë në diskutim e specialistëve të rinj, përveç atyre me përvojë. Një respekt të veçantë profesori shprehu për mikun tonë të përbashkët, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Francë, zotin Ylljet Aliçka. Neritan Ceka, në konferencë është më i vjetri specialist mes shqiptarëve. Në kolokium është edhe Olgita Ceka, arkeologe e brezit të tretë të familjes së vet. Neritani na shpjegoi se interesimi i madh për studimet në trevën e Ilirisë së Jugut dhe Epirit ka ardhur ngase specialistët nuk rreshtin së nxjerri dokumente dhe fakte të reja në të gjitha disiplinat e duhura, në të mirë të shkencës. Zonjën Shpresa Gjongecaj, drejtore e Institutit të Arkeologjisë, e gjeta mes 28 kolegëve të saj të institutit. "Kemi ardhur shumë arkeologë e specialistë nga gjithë vendi, tha zonja Shpresa, ndonëse mundësitë tona financiare nuk na e lejojnë një gjë të tillë. Entuziazmi i kolegëve është i madh, veçanërisht kur kujtojmë se dikur në vitin 1984 vinin 2-3 specialistë, dhe ata të zgjedhur sipas kontributeve absurde të atëhershme". Çudisë time në lidhje me mungesën e kontributeve financiare të shtetit shqiptar në këtë sektor të rëndësishëm që ka lidhje me nxjerrjen në dukje, botërisht, të kulturës shqiptare, propagandimin e Shqipërisë në botë, zonja Gjongeci iu përgjigj me një fjalë të thjeshtë: "No comment". Nuk e zgjata, sepse u bashkova dhe unë me entuziazmin e specialistëve këtu, në botën e bukur të dëshmive kulturore të Ilirisë së Jugut dhe Epirit në lashtësi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›