E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të majtët kërkojnë mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kërkesë Bashës për të hapur dyert

TIRANE- Këshilltarët e majtë akuzojnë Bashkinë e Tiranës për bllokimin e kësaj mbledhje të parashikuar për paraditen e sotme.

Sipas anëtarit të PS-së në Këshillin Bashkiak, Florian Pullazi është Bashkia e Tiranës ajo që nuk lejon mbajtjen e kësaj mbledhje.
Ai shprehet se këshilltarët e majtë janë në pritje të një përgjigje nga kryebashiaku Basha në lidhje me zhvillimin e mbledhjes.

Ndërkohë më herët kreu i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi akuzon kreun e Bashkisë, Basha për bllokim të mbledhjes së këshillit.
Në profilin e tij në Tëitter ai akuzon Bashën se ka ndërruar natën bravën e sallës së KB. 

“Të arrinte deri këtu Basha sa të nderonte natën bravën e sallës së KB, të bllokonte tel e këshillit, të ndërronte pasë e kompjuterit të KB. Turp. Të bëjmë dhe njëherë thirrje ruaj qetësinë pranoje shumicën mos e përjeto kaq me dhimbje këtë situatë. Ka një shumicë të re për qytetarët!”- shkruan Dalipi. 

Sipas tij, grupet e PS dhe të LSI i bëjnë thirrje Bashës të mos e tensionojë situatën, duke i kujtur se është në sytë e qytetarëve, mediave dhe faktorit ndërkombëtar. 

“Rreth bashkisë forca të shumta të policisë bashkiake. Do mbrojnë bashkinë nga këshilltarët? Përgjegjësia për cdo akt të nxituar e L.Bashës”- shkruan ai.

KËSHILLTARËT PS-LSI KËRKESË BASHËS PËR TË HAPUR DYERT
Ndërkohë, këshilltarët e PS dhe LSI në Bashkinë e Tiranës kanë firmosur një kërkesë drejtuar kryebashkiakut Basha, me anë së cilës kërkojnë të hapin dyert e këshillit bashkiak.

Kërkesa e tyre për të hyrë brenda bëhet me qëllim që të votohet rrëzimi i kryertarit të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, duke qënë se shumica tashmë i përket së majtës.

Por duke qënë se zyrat e Protokollit të Bashkisë janë mbyllur, këshilltarët mësohet se do ia dorëzojnë Bashës në dorë këtë kërkesë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›