E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të martën, del rivali i Armando Dukës për FSHF

TIRANE-Përballë Armando Dukës po del tashmë një tjetër kandidat, veç ambicieve të shpallura të Rudi Vatës deri më tani. Bëhet fjalë për zgjedhjet për kreun e federatës të cilat do të bëhen gjatë muajit mars. Federata shqiptare, e cila po merret me organizimin e zgjedhjeve të reja, ka drejtuar tashmë njerëz në të gjitha klubet dhe bashkitë për të shpërndarë shkresat konkrete për çështjen e propozimeve paraprake për presidentin dhe cilët do të jenë personat që duhet të votojnë në asamblenë e 9 marsit që do të mbahet në Durrës. Sulejman Starova, ish sekretar i Federatës, ish futbollist, trajner dhe me karrierë në futbollin shqiptar, tashmë ka një tjetër alternativë dhe një tjetër kandidat. "Unë kam marrë përsipër që me një grup të madh të njerëzve të futbollit shqiptar, të jem iniciatori i nxjerrjes shumë shpejt të një kandidature alternative për postin e Presidentit të Federatës përballë Armando Dukës. Kandidaturën do ta shpallim në fillim të javës, ndoshta ditën e martë, duke pasur qartazi një platformë e një strategji sesi duhet të ndryshojë futbolli shqiptar. Njerëzit që e propozojnë do të jenë personalitete të futbollit shqiptar. Jemi duke bërë gati platformën" thotë Starova, i cili ka qenë gjithmonë një oponent i hapur i presidentit aktual Armando Duka. "Kjo gjendje kaosi në futbollin shqiptar, nuk mund të vazhdojë më kështu" deklaron Starova. E në fakt, duket se para zgjedhjeve për presidentin, kampionati shqiptar nuk po shkon mirë. Akuza për trukime ndeshjesh, arbitra që dukshëm janë në favor të palëve e korrupsioni në futboll, nuk po ndalet dot as përpara ligjit të miratuar tashmë të "këmbëve të pastra". Superliga në kaos Nuk ka më asnjë dyshim se Superliga në këto momente është në një kaos total, pasi akuzat për trukim të bëra nga të gjitha krahët apo aktet e dhunës ndodhin javë pas jave. Zakonisht, dënimet e marra nga komisionet juridike të FSHF janë të rënda, por si mund të dënojë një klub ky institucion, kur pas 26 ditësh do t'i kërkojë votën? Flamurtari u dënua me dy ndeshje pa tifozë dhe më pas ky dënim u ul në një, për shkak se kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika hyri në fushën e lojës në takimin me Besën. Një masë më e lehtë nuk mund të merrej, por është fakt se Duka pret një votë nga Vlora. Ndryshe qëndroi puna me Tiranën, ku dënimet ishin disa herë më të rënda dhe kjo për shkak se klubi bardheblu duket i rreshtuar nga ata që nuk do të votojnë kreun aktual të FSHF-së. Por, reagimet, qoftë edhe me fjalë, kanë qenë minimale edhe në rastet e tjera. Federata nuk mbajti asnjë qëndrim zyrtar kur klubi Apolonia çoi 4 futbollistë në Prokurori me akuzën se kanë trukuar ndeshje apo nuk ka marrë asnjë masë për aktet e rënda të ndodhura në ndeshjet e kësaj jave, siç ishte futja në fushë e deputetit Sula dhe zyrtarëve të Shkumbinit në Laç. Arbitrat Në këtë rrëmujë totale, ku masat ndëshkuese mungojnë dhe kampionati duket si "mall pa zot", ata që e kanë shfrytëzuar në mënyrën më të mirë kanë qenë arbitrat. Gabimet nga java në javë po shfaqen gjithnjë e më monstruoze, ç'ka vërteton se ata janë në pjesën më të madhe të korruptuar. "Japim para që të mbajnë drejt", tha një drejtues klubi, pa dashur të identifikohet dje për "GSH". E në fakt, gabimet janë aq të rënda dhe të dukshme, sa pastrimi i klasës së gjyqtarëve duket një domosdoshmëri e momentit. Sa për shembuj, Kridens Meta nuk dha 3 penallti të pastra në një ndeshje për Gramozin, aq sa në njërën prej tyre Dos Santosit iu gris bluza. Ky arbitër u kthye pas vetëm 4 javësh. Po kështu, Sokol çekaj guxoi të jepte një penallti në mesfushë për Flamurtarin ndaj Gramozit, një episod Ginesi për futbollin botëror. Një tjetër gjyqtar, Ervis Peza, vetëm këtë javë dha kartonin e kuq më të paqenë në histori, duke nxjerrë nga loja Rakipoviç të Apolonisë, i cili ishte fajtor sepse nuk bëri asnjë lloj ndërhyrjeje. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›