E Diel, 1 Nëntor 2026

Mos e zbuloni!Nga Dafina Myrtaj, “Express”Pas një muaji, kur ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, do të vijë në Kosovë, ndoshta do të dëshpërohet me pamjen e tij të paraqitur në shtatore. Kështu mendojnë shumë artistë kosovarë. Sipas tyre, kjo sh

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Mos e zbuloni!Nga Dafina Myrtaj, “Express”

Pas një muaji, kur ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, do të vijë në Kosovë, ndoshta do të dëshpërohet me pamjen e tij të paraqitur në shtatore.

Kështu mendojnë shumë artistë kosovarë. Sipas tyre, kjo shtatore nuk është aspak e denjë për të nderuar figurën e mikut më të madh të kosovarëve - Clinton. Të një mendimi të tillë janë edhe shumë kryeqytetas, të cilët për herë të parë patën rastin ta shohin shtatoren para dy ditësh.

“Kjo skulpturë nuk duket e mirë. Ndoshta unë nuk marr vesh shumë nga arti, mirëpo edhe fëmijëve nuk iu pëlqen. Nuk i përngjan Clinton-it. Gabimi tjetër në këtë rast është që nuk ka vend të duhur për ta vënë këtë shtatore”, - thotë kryeqytetasi Besnik Krasniqi.

Mënyra e marrjes së vendimit për të vendosur shtatoren e Clinton-it, për Fahredin Spahinë, drejtorin e Galerisë së Arteve të Kosovës, është e çuditshme.

Ai thotë se me këtë rast janë anashkaluar të gjitha procedurat e mundshme për ta bërë një gjë të tillë.

“Pa e mohuar për asnjë çast qëllimin e mirë të autorit dhe gjithë përpjekjen e tij për ta realizuar shtatoren, mendoj se është dashur të mendohet më mirë nga autoritetet që kanë vendosur për vendosjen e saj në ketë shesh. Në fakt, ata nuk kanë respektuar procedurat për krijimin dhe vendosjen e një shtatoreje në një vend publik. Në raste të tilla shpallet konkurs publik dhe ftohen skulptorët e vendit, por shpesh dhe ndërkombëtarë që të konkurrojnë me boceta të krijuara si bazë për veprën e kërkuar”, - thotë drejtori Spahija.

Shtatoren që do të përurohet në muajin që vjen, Spahija e krahason me shtatoret e shesheve në Korenë e Veriut dhe me ato të punuara në Shqipëri gjatë periudhës komuniste.

“Është një skulpturë që nuk përkon me rrjedhat e artit modern. Është skulpturë socrealiste. Në Korenë e Veriut e kam parë një shtatore të tillë, si në Shqipëri. Një shtatore vendoset në shesh për zbukurim të vendit e jo për bastardimin e tij. Në aspektin artistik mendoj se shtatorja është e dështuar, ka shumë defekte anatomike. Bazamenti është bërë në mënyrë të mjerë. Çdo gjë është shumë jo-dinjitoze”, - shton ai.

Ndërsa artisti Luan Mulliqi beson se qëllimi i autorit të veprës, Izeir Mustafa, për të nderuar figurën e Bill Clinton-it ka dështuar, pasi, sipas tij, ka ndodhur e kundërta.

“Në vend që të nderojmë ne personalitet e shquara, siç është Clinton, ne e kemi ofenduar atë. Ajo shtatore ka shumë defekte, nuk ka përmbajtje, nuk ka monumentalitet, ka një shfaqje të natyralizmit, i cili i shkon më tepër kah modelimi amatoresk. Një shtatore që buzëqesh bëhet vetëm për komikët, pastaj ka defekt proporcioni i figurës, lartësia e shtatores, bazamenti etj. Të gjitha janë me defekt”, - thotë Mulliqi.

Që të mos përsëriten gjëra të tilla, Mulliqi thotë se komuna e Prishtinës do të duhet që urgjentisht të formojë një Këshill për Kulturë, i cili do të merrej me vendosjen e skulpturave monumentale.

“Deri më tani kemi ngritur përmendore, të cilat ofendojnë personalitetet, të cilave i janë dedikuar ato. Në të ardhmen kurrsesi nuk bën të përsëriten gjëra të tilla. Për momentin shtatoret po i vendosin biznesmenët në bashkëpunim me ndonjë artist të papërgjegjshëm. Jemi bërë kryeqytet i kiçit”, - shton ai.

Ndërsa artisti Mehmet Behluli pohon se shtatoret e punuara pas luftës në Kosovë, duke përfshirë edhe atë të Bill Clinton-it, janë bërë shëmti e vendit.

“Në kohën tonë mund të bësh ndonjë shargarep, kastravec a ndonjë sallatë e t’i vihet emri “Bill Clinton”, e jo të bëhet asi vepre që është imitim i realitetit e që kthehen në karikaturë. Na u shëmtuan qytetet e katundet me kësi veprash të dobëta. Është gjynah për ata që kanë dhënë jetën e t’i bëhen vepra të tilla”, - thotë Behluli.

Sociologu Shemsi Krasniqi thotë se skulptura e punuar nuk i përmbush nevojat artistike të kohës sonë dhe kohërave që do vijnë.

“Përshtypja ime është se edhe në këtë rast u dëshmua zhbalancimi ndërmjet formatit të heroit dhe formës së kujtimit për të. Duket se evolucioni i shijes estetike te ne është më i ngadalshëm sesa vetë evolucioni natyror”, - thotë sociologu Krasniqi.

Që punimi i tillë në mënyrë realiste është i tejkaluar, e pohon edhe artistja Zake Prelvukaj.

“Unë nuk i përkrah këso lloj përmendoresh. Është një gjë e tejkaluar. Megjithatë, e përshëndes autorin që është kujtuar të bëjë një gjë tillë”, - thotë Prelvukaj.

Ajo pohon se para pak kohësh i është drejtuar komunës së Prishtinës me një projekt, i cili ka pasur për qëllim që në sheshin “Bill Clinton” të punohet një mozaik gjigant. Mirëpo, Prelvukaj pohon se një iniciativë e tillë ka dështuar duke mos pasur përkrahjen e komunës.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi, thotë se komuna e Prishtinës ka përkrahur vetëm financiarisht skulptorin Izeir Mustafa dhe se po ashtu ka bërë edhe ndarjen e lokacionit për vendosjen e shtatores.

“Komuna nuk është bartëse e këtij projekti. Ne kemi financuar autorin me rreth 16 mijë euro dhe kemi ndarë lokacionin. Besoj se do të ketë ndonjë shëtitore aty. Mirëpo, komuna nuk ka hyrë në vlerësimin e figurës”, - thotë Gashi.

Në anën tjetër, arkitekti Valdet Osmani pohon se do të duhej një vend më reprezentativ për të vendosur këtë shtatore. Sipas tij, parcela e ndarë nuk është e mjaftueshme për një gjë të tillë.

“Për punën që ka bërë e meriton një vend më të mirë, një shesh më të mirë. Aty është vend i vogël dhe mendoj që sheshi duhet të zmadhohet, të bëhet pikë referuese”, - thotë arkitekti Osmani.

Në një intervistë të dhënë për “Express” kohë më parë, skulptori Izeir Mustafa kishte pohuar që ideja për ndërtimin e shtatores së Clinton-it i kishte lindur në shenjë falënderimi për ndihmën e tij dhënë Kosovës gjatë kohës së luftës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›