“Progres-raportet po humbasin tërheqjen”Nga Arben Manaj, BBCNjë eksperte në institutin studimor Këshilli Evropian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare thotë se procesi afatgjatë i pranimit në BE të vendeve nga Ballkani Perëndimor vuan nga mungesa e besuesh
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Progres-raportet po humbasin tërheqjen”Nga Arben Manaj, BBCNjë eksperte në institutin studimor Këshilli Evropian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare thotë se procesi afatgjatë i pranimit në BE të vendeve nga Ballkani Perëndimor vuan nga mungesa e besueshmërisë. Duke folur në një intervistë për BBC në shqip, studiuesja Vesela Çërneva thotë se këto progres-raporte po e humbasin atraksionin me kalimin e kohës. Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë me seli në Londër, Bruksel dhe disa kryeqytete evropiane, ka si objektiv kryerjen e studimeve dhe nxitjen e debatit të informuar në vendet anëtare dhe aspirante për në BE, për formulimin e një politike të jashtme koherente dhe efektive e bazuar në vlerat evropiane
Pas raporteve për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku e shikoni pikën më të dobët dhe çfarë duhet të bëjnë më shumë vendet e këtij rajoni në rrugën e integrimit evropian?
Mendoj se deri më tani gjithçka është shndërruar në një rreth vicioz apo një lojë fajësimi, nëse do të shprehesha kështu. Komisioni Evropian thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk po bëjnë sa duhet dhe nuk po reformohen sa duhet për të përmbushur kriteret. Ndërsa nga ana tjetër, këto vende thonë se pranimi në BE nuk po merret seriozisht nga Bashkimi Evropian dhe tërë procesi i zgjerimit është hequr nga axhenda e BE prej një kohe të gjatë me përjashtim të rastit të Kroacisë. Këto vende nuk ndihen të motivuara sa duhet për të punuar sa duhet dhe më shumë. Mendoj se prishja e këtij rrethi vicioz është problemi më i madh. Dhe kemi të bëjmë me një problem politik dhe nuk është një problem teknik. Në një mënyrë, Komisioni Evropian po e avancon procesin sa më shumë që ka mundësi, por Komisioni Evropian ende është një organizëm shumë administrativ. Organizmi politik i BE, i cili është Këshilli i vendeve anëtare dhe Parlamenti Evropian, nuk kanë qenë mjaftueshëm bindës për të theksuar se ka një perspektivë anëtarësimi për këto vende të hedhur në tavolinë.
Zonja Çërneva, ju sapo përmendët rrethin vicioz dhe lojën e fajësimit, çka praktikisht i bën këto raporte progresi të parëndësishme, kur vjen puna te performanca e këtyre vendeve, pasi, e para, ato e kuptojnë se çfarëdo reforme që të bëjnë, BE nuk është i gatshëm për t’i pranuar ende, dhe së dyti, për pasojë këto vende të Ballkanit Perëndimor mund të vazhdojnë me po të njëjtët parametra aktualë..
E saktë. Më duket se vetëm incentivat afatshkurtra mund të funksionojnë në këtë situatë, si për shembull çështja e vizave. Procesi i liberalizimit të vizave është përshëndetur nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si një program, ku ato mund të shikojnë përfitime të mirëfillta politike për vetveten. Dhe ato po bëjnë çfarë është e mundur për të përmbushur kriteret për t’u hequr nga lista e zezë e Schengen-it apo për të pasur regjim të lirë vizash me shtetet e Bashkimi Evropian. Por, siç e thashë, ky ka qenë një objektiv shumë afatshkurtër dhe ofron vota reale për politikanët në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa procesi afatgjatë i pranimit vuan nga mungesa e besueshmërisë dhe ka qenë shumë i vështirë për të gjetur treg në radhët e publikut në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në të vërtetë këto raport-progrese po e humbasin atraksionin me kalimin e kohës.
Zonja Çërneva, cili është opinioni juaj, kur mendoni se Bashkimi Evropian do të fillojë të shqyrtojë seriozisht idenë që këto vende do të duhet të bëjnë progres real dhe të shpejt drejt BE?
Mendoj se BE ka disa probleme që duhet të zgjidhë dhe që kanë të bëjnë me pranimet e mëhershme. Mbyllja e këtyre problemeve do të ndihmojë në rikthimin e zgjerimit në axhendën e debatit politik në BE. Dhe vetëm atëherë mendoj se dikush mund të fillojë që të mendojë se do të rikthehet entuziazmi në radhët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për këtë çështje. Për momentin, mendoj se po bëjnë minimumin, më qëllim mbajtjen e derës hapur. Por të mos harrojmë se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shtete të dobëta, të cilat janë jashtëzakonisht të vështira për t’u transformuar nga brenda, pa pasur një element nxitës nga ana e BE. Dhe duhet të mos harrojmë pyetjen: A kërkon BE në të vërtetë një grup shtetesh të dobëta që do hyjnë në Bashkimin Evropian apo realisht dëshiron që këto shtete të mbesin jashtë këtij bashkimi, të pa-reformuara, dhe pa motiv për t’u reformuar? Dhe në fund të fundit, do të jetë BE ajo që do të paguajë faturën për rreziqet e sigurisë, por edhe për këtë dështim politik. Në një plan afatgjatë do të kemi progres në procesin e zgjerimit, por për momentin jemi disi në vendnumëro.
Ju përmendët më herët aspektin politik të këtij procesi. A mendoni se nisur nga përvojat e fundit të marrëdhënieve të ndërlikuara ballkanike, siç ishte rasti i Sllovenisë dhe Kroacisë, do të ishte më mirë që BE të trajtonte çështjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok sesa veçmas, çka mund të çojë në siklete e kokëçarje të tjera për Brukselin?
Faktikisht mendoj se mënyra më e mirë për ta bërë zgjerimin siç duhet është ajo rajonale. Ky rajon ka qenë në të shkuarën shumë i ndërlidhur në shumë aspekte dhe ende është i tillë. Dhe kur e them një gjë të tillë, nuk flas vetëm në aspektin etnik, ekonomik apo kulturor, por edhe në sensin e një hapësire të përbashkët politike. Ulja e të gjithë këtyre vendeve në tavolinën e negociatave do të jetë vendimtare për suksesin e procesit. Nuk besoj se veçimi i njërit apo tjetrit vend do të motivojë realisht të tjerët. Efekti në fakt, mund të jetë pikërisht i kundërti.