E Diel, 1 Nëntor 2026

Të martën, shorti për “Bashën” në Gjykatën e Lartë

Dosja penale në ngarkim të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha do t’i nënshtrohet shortit elektronik në Gjykatën e Lartë, të martën e javës që vjen. Dosja voluminoze "Durrës-Kukës" është dorëzuar tashmë për gjykim. 

TIRANE-Dosja penale në ngarkim të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha do t’i nënshtrohet shortit elektronik në Gjykatën e Lartë, të martën e javës që vjen. Por, pavarësisht se dosja voluminoze Durrës-Kukës është dorëzuar për gjykim, avokatët e të akuzuarve Lulzim Basha, që aktualisht mban postin e ministrit të Jashtëm, dhe Andi Toma, ish-drejtor juridik i Ministrisë së Transporteve, nuk do të heqin dorë nga kërkesat penale për shpalljen të pavlefshme të veprimeve të prokurorisë. “Ne do të ndjekim rrugën tonë, pasi veprimet e prokurorisë janë të paligjshme dhe antikushtetuese”, - tha avokati Genci Gjokutaj, që mbron interesat e të pandehurit Andi Toma. Por, duket se çdo përpjekje e Lulzim Bashës dhe Tomës për t’i shpëtuar akuzës është e kotë, për shkak se së shpejti do të nisë shqyrtimi i dosjes në Gjykatën e Lartë. Ish-kreu i Transporteve, Lulzim Basha dhe ish-drejtori juridik i këtij dikasteri, Andi Toma kanë depozituar në Gjykatën e Tiranës dhe Apelit kërkesat penale, ku kërkojnë shpalljen e pavlefshme të veprimeve të prokurorisë, pas vendimit që tri javë më parë mori gjyqtari Sokol Tona, për ndërprerjen e hetimeve për dosjen Durrës-Kukës. Në fakt, ky vendim u dha mjaft mundësi të pandehurve të kundërshtonin prokurorinë në të gjitha veprimet e saj. Lulzim Basha dhe Andi Toma nuk e kanë firmosur dosjen penale në ngarkim të tyre, por Prokuroria e Përgjithshme, pavarësisht këtij refuzimi, e ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë. Ish-kreu i Ministrisë së Transporteve, Basha dhe ish-vartësi i tij, Andi Toma, akuzohen për abuzime me fondet e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës. Sipas ekspertëve. dëmi që i është shkaktuar shtetit kap shifrën e 232 milionë eurove. Për abuzime me fondet u akuzuan dhe ish-zv/ministri i Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtoresha e përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi. Prokuroria e pushoi akuzën për këta dy ish-zyrtarë për mungesë provash dhe faktesh.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›