E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mbahesh me thonj pas KQZ-së

Akrobacitë spektakolare të partive për të ruajtur balancat politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duket se nuk po kanë fund. Prej të mërkurës së kaluar, partitë politike e vetë Parlamenti i Shqipërisë u përfshinë në një debat të ethshëm maratonë, që kishte në qendër një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili sipas shumicës në qeverisje duhej zëvendësuar për shkak të largimit nga koalicioni të partisë, që e kishte propozuar, duke rivendosur kështu balancën mes forcave politike në KQZ. Si lëvizje e tentuar të kryhej në mes të një procesi parazgjedhor, natyrisht që do kishte së pari efektin e pasigurisë tek trupa e KQZ-së, apo kujtesën se fati i çdo anëtari nuk varet nga puna e tij e përkushtimi ndaj ligjit, por nga partia që e ka propozuar, në rastin konkret nga akrobacitë politike. Ndërhyrja e fortë kundërshtuese, më shumë jopublike e aktorëve ndërkombëtarë, bëri që kërkesa për zëvendësimin e të njëjtit anëtar, të justifikohej me shkelje profesionale të tij në detyrën e mëparshme, duke e zhvendosur debatin në Kuvend nga prishja e balancave tek figura profesionale e anëtarit të KQZ.
Përtej justifikimit të rishikuar, balanca politike mbetet arsyetimi jo publik i kësaj përplasjeje të re pozitë-opozitë në Kuvend. Duhet thënë se Shqipëria është vendi që ka eksperimentuar më shumë se kushdo tjetër në botë të gjitha sistemet e mundshme zgjedhore, me plot 8 ndryshime në 12 vjet pluralizëm, e krahas sistemit zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si administruesi i një procesi, nga i cili del fituesi ose humbësi në garën e radhës, ka qenë epiqendra e vëmendjes e partive politike në Shqipëri. Parimi i balancës, ku shumica qeverisëse ka numrin më të madh të anëtarëve të propozuar, ishte rezultat i një marrëveshjeje politike mes Partisë Socialiste e Partisë Demokratike në vitin 2003, e konfirmuar si e tillë në çdo ndryshim të mëpasshëm që i është bërë Kodit Zgjedhor, duke njohur të drejtën e shumicës në pushtet për të propozuar një anëtar më shumë në çdo rikonfigurim të trupës së KQZ-së.
Kjo tendencë u certifikua plotësisht në riformatimin që iu bë KQZ-së me Kodin e vitit 2007, duke e kthyer nga një organ gjithëpërfshirës, në një organ bipartizan të dy partive të mëdha PD-PS. Ky akt i dy partive të mëdha u kritikua gjerësisht nga ndërkombëtarët e shoqëria civile në Shqipëri, jo vetëm pasi partitë e vogla nuk u përfshinë as në Komisionet Zonale Zgjedhore e Qendrat e Numërimit të Votave, por edhe sepse mungoi transparenca, u monopolizua vendimmarrja dhe mungoi debati i vërtetë me shoqërinë civile, e vetë partitë e vogla politike, çka u evidentua si një nivel i ulët i demokracisë vendimmarrëse e gjithëpërfshirëse. Nxjerrja e Kodit Zgjedhor nga Kushtetuta në vitin 2008 dhe heqja edhe e të drejtës së Presidentit si aktor mbi palët për të propozuar një anëtar, e çimentoi politizimin e KQZ-së.
Ekspertë të Komisionit të Venecias e të Fondacionit të njohur Ndërkombëtar për Sistemet e Zgjedhjeve (IFES) e konsideruan shqetësues politizimin e KQZ-së, duke evidentuar se askund në botë Komisioni Zgjedhor nuk u shërben interesave të partive, por të popullit dhe sistemit. E megjithatë, kjo nuk i pengoi partitë politike që ta anashkalonin këtë shqetësim edhe në ndryshimet e mëpasshme që i bënë Kodit Zgjedhor, duke ruajtur monopolin e tyre mbi KQZ-në. Mënyra se si partitë propozojnë e miratojnë anëtarët e KQZ-së në Kuvendin e Shqipërisë, reflekton pikërisht kjo lloj balance. Ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor në vitin 2008 vendosën mekanizmin e votimit me shumicë të cilësuar, 5 me dy, e ruajtur edhe në Kodin aktual (neni 24) në kërkim të një konsensusi më të madh, se ai i konfigurimit të pastër sipas propozimeve të partive politike 4 me 3.
Nga ana tjetër, në emër të dakordësimit politik për arnime të reja në Kodin Zgjedhor, më 19 korrik 2012 Kuvendi i Shqipërisë votoi ndërprerjen e mandatit të trupës së KQZ, e zgjedhur në vitin 2009 dhe emërimin 3 muaj më vonë të një trupe të re, për shkak të një marrëveshjeje të re politike (4 me 3) e aspak për arsyet për të cilat Kodi parashikonte ndërprerjen e mandatit të kësaj trupe zgjedhore.
Këto janë fakte të freskëta në memorien e gjithsecilit e prandaj “qarjet” publike të partive politike se KQZ është e pavarur, e se po cenohet pavarësia e saj, janë krejt pavend. Debati shterpë në distancë për ditë me radhë, apo edhe ai maratonë në parlament i të njëjtëve aktorë, dëshmon se sa të interesuara janë partitë politike që të vazhdojnë ta kenë “nën hyqëm” KQZ-në, si akuzat për shkelje të Kushtetutës, ashtu edhe përfoljet nominale të anëtarit të KQZ.
Çfarë mund të bëhet?
Në raportet e fundit të monitorimit të zgjedhjeve në Shqipëri, por edhe e opinioneve të kërkuara nga Komisioni i Venecias, është evidentuar nevoja e një KQZ-je jo politike, pasi procesi i administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri duhet të jetë jo politik, siç ndodh në shumicën dërrmuese të vendeve demokratike në botë. Por jehona e këtij evidentimi që dakordëson edhe opinionin publik, mbaron me efektin e vetë zgjedhjeve dhe aktorët politikë, teksa bëjnë arnimet e radhës në Kodin Zgjedhor, as që e venë në diskutim mundësinë e lëshimit të organit administrues të zgjedhjeve, për ta rikthyer në një organ të pavarur, duke filluar që tek mënyra e propozimit, në zbatim të neneve 12, 13 e 17 të Kodit Zgjedhor, që sanksionojnë pavarësinë e secilit anëtar të KQZ-së. Shembujt pozitivë nuk mungojnë as në Shqipëri. Kolegji Zgjedhor është një model i tillë i përzgjedhjes rastësore larg ndikimit të partive politike. Edhe trupa e KQZ-së mund të përzgjidhet fare mirë njëlloj si Kolegji Zgjedhor. Pra, të identifikohen të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret për të qenë anëtar i KQZ-së, e të përzgjidhen më pas me të njëjtin short rastësor me gogla, siç ndodh me anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, përfshi kryetarin e nënkryetarin e KQZ. Kjo do shkëpuste atë lidhje direkte që krijohet pashmangshmërisht me propozuesin, do mundësonte një trupë të përkushtuar vetëm ndaj ligjit e do shmangte në të ardhmen edhe çdo lloj të papriture, që sjellin akrobacitë politike shqiptare apo investimet disaditore e debatet qesharake maratonë për interesa të pastra politike e aspak qytetare.
Kjo është një zgjidhje krejt e thjeshtë, që kërkon diçka po aq të thjeshtë: vullnet politik. A janë gati partitë politike që t’ia shkëpusin kordonin umbilikal KQZ-së, që në ardhmen të mos kenë mundësi për dirigjim të të propozuarve të tyre? Që KQZ-ja e ardhshme të ketë referencë vetëm ligjin, e asnjë lloj ngjyrë apo akrobaci elektorale? Kjo është sfida reale tek e cila duhet të përqendrohen partitë politike, e bashkë me to, edhe për vetë organizatat ndërkombëtare, që në rolin e “mbikëqyrësit” që vlerëson proceset zgjedhore në Shqipëri, duhet të kërkojnë përmbushjen e standardeve në mënyrë të plotë e jo të pjesshme.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›