E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Gërdecit, jetë çadrash

TIRANE – Pasi i shpëtuan mrekullisht shpërthimeve të Gërdecit, një tjetër rrezik iu kanoset familjeve të këtij fshati. Një pjesë e tyre jetojnë në çadra të vendosura poshtë shtyllave elektrike të tensionit të lartë, deri në 6000 vat. Ramadan Koldashi, kryefamiljari i njëres prej këtyre familjeve, rrëfen për “Korrieri” se vetëm një natë më parë, në familjen e tij për pak sa nuk ka ndodhur një tragjedi. Vajza e tij, gati mbeti e vdekur nga një lidhje e parregullt elektrike, e cila e ndihmonte për të qenë funksionale për gatim. “Nuk ka aspak siguri tek lidhjet elektrike që na kanë bërë. Mbrëmë vajzën time për pak sa nuk e zuri korrenti, teksa po piqte bukën në tavën elektrike”- shprehet Ramadan Koldashi, kryefamiljari që nuk ndihet aspak i sigurt për njerëzit e tij dhe për veten. Ai shpjegon se mungesa e një lidhjeje të sigurt që duhej t’i ishte bërë tavës, ka rrezikuar seriozisht jetën e vajzës së tij 25-vjeçare. Një tel i marrë nga shtylla e i futur në çadër brenda për të gatuar ushqimet modeste duket se për disa sekonda ka tmerruar familjarët, të cilët kanë parë vajzën të dridhet nga tundja e korrentit. “Ka shpëtuar për mrekulli. Për disa momente u shokuam të gjithë”. Pas shpërthimit, familjes Koldashi, e ardhur nga Kukësi në Tiranë në vitin 1989, e cila ka në përbërjen e saj nëntë persona, i janë vënë në dispozicion dy çadra. Por si për fatin e tyre të keq, shtylla e tensionit të lartë u ka qëlluar sipër kokave të tyre, duke u kthyer kështu në një rrezik të vërtetë për familjen kuksiane. Duke vazhduar rrëfimin e tij Ramadani thekson se shumë familje të zonës aty pranë, kalojnë tela për të përcjellë energjinë elektrike në shtëpitë e tyre që po rikonstruktohen ose në çadrat e familjeve të tjera aty pranë. Mbrëmja e një nate më parë ka qenë problematike për banorët e Gërdecit që jetojnë në çadra, pasi reshjet e shiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë orëve të natës e deri në mëngjes herët, kanë futur në çadra pothuajse të gjithë shiun e rënë. Disa hapa më tutje, të afërm të kësaj familjeje, familja Dragjoshi, tregojnë se fatmirësisht në familjen e tyre nuk kanë fëmijë të vegjël dhe se e kanë kaluar natën pa vënë gjumë në sy. “Mbrëmë kemi vuajtur shumë. Çfarë ka rënë jashtë është futur këtu brenda. Nuk kemi fjetur asnjë moment”- tregojnë të pikëlluar.

Ndërsa burime pranë policisë ushtarake bëjnë të ditur se gjatë emergjencës së Gërdecit janë shpërndarë në total 578 çadra, prej të cilave 378 nga rezervat e shtetit dhe 200 të tilla të dhuruara nga shteti francez. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›