Berat, lagjja rreth stadiumit nën ujë
BERAT- Çarja e kolektorit të ujërave të larta prej më shumë se 1 viti ka bërë që pjesa më e madhe e lagjes "30 Vjetori" të qytetit të Beratit të gdhihet mes ujërave çdo ditë. Kjo situatë rëndohet sidomos në ditët me shi. Janë rreth 1,200 banorë të 18 pallateve përreth stadiumit "Tomorri", që përballen çdo ditë me ndotjen dhe erën e keqe, të shkaktuara nga akumulimi i ujërave në të gjithë sipërfaqen përreth tyre. Banorët shprehen se kjo situatë ka qenë prezente prej vitesh në këtë lagje, por ajo është përkeqësuar muajt e fundit nga çarja e këtij tubacioni dhe shpërthimi i ujërave të tij. Banorët dyshojnë se ndoshta këto ujëra të larta janë përzierë edhe me ndonjë tubacion të çarë të ujërave të zeza në këtë zonë, pasi era e fekaleve ndihet edhe brenda shtëpive të tyre. "Jemi të detyruar të mbajmë fëmijët të mbyllur brenda për t'i shpëtuar nga infeksionet", shprehet Elmas Bregu, banor i kësaj lagjeje. Sipas tij, të gjithë përballen çdo ditë me të njëjtin problem, atë të vështirësisë së kalimit në lagjen e tyre për të shkuar në punë e fëmijët në shkollë. Të ndodhur në këto kushte, banorët janë drejtuar shumë herë në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve, por deri tani askush nuk ka marrë asnjë masë për të ndërhyrë. Drejtori i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, Fatmir Shehu, u shpreh se problemet që lindin në këtë zonë kanë të bëjnë me kolektorin e ujërave të larta, i cili si rezultat i mospastrimit në vite është bllokuar në më shumë se gjysmën e sipërfaqes së tij. Sa herë që reshjet janë me intensitet të lartë, kolektori shpërthen përpara sheshit të stadiumit "Tomorri" dhe në të gjithë bllokun e pallateve përreth tij. d.xh