E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumira e fundit për humanistin Dhimitër Xhuvani

 

alma mile

E mbylli karrierën e tij si skenarist me një vepër humane “I dashur armik”. Kredoja e tij për dashurinë për njerëzit. Ndërsa vazhdonte ende të shkruante letërsi. Dje, në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundjeje të rëndë, u nda nga jeta, në moshën 75-vjeçare, shkrimtari dhe skenaristi Dhimitër Xhuvani. Po ikën pa bujë, siç ishte dëshira e tij. Trupi i pajetë përcillet sot për në banesën e fundit në orën 10:00. Autor i rreth 50 veprave letrare, mes të cilëve 15 ishin skenarë filmash, Xhuvani mbetet një nga emrat e rëndësishëm të letërsisë shqipe. Një shkrimtar i guximshëm, që spikati qysh në fillimet e viteve ’60, me veprat e para. Madje, edhe do të dënohej për këtë “guxim të tepruar”. Do ta paguante me disa vite riedukim romanin “Tuneli”, që nuk ishte veçse pasqyra e Shqipërisë në kohën kur u botua, në 1966. Pas “rehabilitimit”, ai vazhdoi të shkruajë romane, tregime, drama e skenarë. U bë i njohur dhe i dashur për publikun me filmat “Rrugicat që kërkonin diell”, “Mëngjese lufte” e deri tek më i fundit, “I dashur armik”, të cilin e realizoi me të birin, regjisorin Gjergj Xhuvanin.
Ngushëllimet familjes Xhuvani ia shprehu edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, sipas të cilit Dhimitër Xhuvani, ishte një ndër krijuesit më të fuqishëm të letërsisë shqipe. “Letrat shqiptare, humbin një prej princërve të tyre më të shquar, një nga krijuesit më të fuqishëm të letërsisë shqipe. Bota intelektuale humbet intelektualin e madh. Dhimitër Xhuvani është një personalitet i rrallë në botën e letrave dhe të mendimit shqiptar, i cili sintetizoi, ndofta më mirë se kushdo tjetër, krijuesin e shquar e të talentuar me qytetarin me integritet të lartë moral dhe njerëzor”, tha kryeministri Berisha, duke shtuar se ata që e kanë njohur nga afër, e kanë admiruar po kaq për njerëzinë, mirësinë, intelektualizmin dhe qytetarinë që ai rrezatonte. “Ai lë një emër të madh, lë një boshllëk të madh”,  tha kryeministri.
Prej disa vitesh shkrimtari vuante nga zemra, ku iu nënshtrua edhe një operacioni në Leçe të Italisë. Ndërkohë, vazhdonte të shkruante. Pas botimit të romanit “Dashuri e harruar”, një vit më parë, Xhuvani kishte në duar një tjetër roman, të cilin paraprakisht e kishte quajtur “Përdhunimi”. Një roman mbi fatin e intelektualit në kohën e diktaturës. Zemra e tradhtoi ende herët dhe nuk mundi ta shohë të botuar këtë roman dhe shumë vepra të tjera, dorëshkrimet e të cilave i mbante në studion e tij, ku kalonte pjesën më të madhe të ditës. Me dhimbjen e familjarëve dhe njerëzve të dashur, bashkohen edhe shumë kolegë të tij, shkrimtarë e kineastë. 

Vepra letrare

“Kambanat e fundit”             (1958)
“Midis dy netëve”             (1962)
“Tuneli”                 (1966)
“Përsëri në këmbë”             (1970)
“Fan Smajli”             (1971)
“Zgjimi i Nebi Surrelit”         (1976)
“Shtegu i Bardhë”             (1976)
“Do të jetojmë ndryshe”         (1979)
“Vdekja e zotit Kaloti”         (1981)
“Bota ime”             (1984)
“Dhimbja e dritës”             (1990)
“E diel pas vdekjes”             (1992)
“Kambana e thyer e Kremlinit”         (1996)
“Kryqëzimi i dytë i Krishtit”         (1996)
“I mbyturi i Otrantos”         (1998)
“Fytyra e vdekjes”             (1999)
“Kupa e helmit”             (2001)
“Dashuri e harruar”             (2008), etj

Skenarë

“I dashur armik”             (2004)
“Funeral Business”             (1999)
“Një ditë nga një jetë”         (1994)
“Bardhë e zi”             (1986) 
“Kronikë e atyre netëve”         (1986)
“Melodi e pandërprerë”         (1985)
“Përtej mureve të gurta”         (1979) 
“Rrugicat që kërkonin diell”         (1975)
“Brazdat”                 (1973)
“Mëngjese lufte”             (1971)
“Montatorja”             (1970)

Kumbaro: Si realizuam me Xhuvanin “Rrugicat që kërkonin diell”

Ishte filmi i tij i parë, ndaj dhe kujtimet i ka shumë të gjalla. Regjisori Saimir Kumbaro kujton bashkëpunimin me skenaristin Dhimitër Xhuvani, në filmin “Rrugicat që kërkonin diell”, ku ai ishte regjisor. “Kam realizuar filmin e parë me Dhimitër Xhuvanin. Dhimitri ishte një burrë shumë i urtë, por kishte një humor fin. Ishte shumë i këndshëm dhe ishte kënaqësi të rrije me të. Kishte të gjitha cilësitë e një njeriu modest dhe asnjëherë nuk e vinte veten në pozita superiore. Unë isha fare i ri aso kohe, fillestar. Sapo kisha mbaruar studimet dhe punoja në Kinostudio. Por pavarësisht kësaj, ai na trajtonte si të barabartë. Fillimisht “Rrugicat që kërkonin diell” i ishte besuar regjisorit Hysen Hakani, por meqë ai u sëmur në atë periudhë, Organizata Bazë e Partisë dhe regjisori Kristaq Dhamo propozon që ky film të na besohej mua dhe Rikard Ljarjes. Xhuvani më besoi 100% dhe tregoi gjithë gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar. Nuk ishte si skenografët e tjerë që të linin skenarin në dorë e të bëje ç’të doje me të. Sa herë që kishim nevojë të shtonim një skenë, apo personazh, apo të bënim ndonjë ndryshim, ai ishte i gatshëm për të na ndihmuar. Nuk e kurseu asnjëherë ndihmën për të rinjtë. Ai erdhi “kokulur” në Kinostudio, pasi sapo ishte kthyer nga një riedukim, pas romanit “Tuneli”, ndonëse vetëm ai njeri nuk kishte nevojë për riedukim. “Tuneli” është një roman që nuk i ngrinte himn klasës punëtore, por tregonte me vërtetësi dhe hynte thellë tek karakteret e asaj kohe. Ishte kjo arsyeja pse ai hëngri “një dajak” nga sistemi i kaluar, që nuk nguronte të bënte “shembuj” artistë dhe shkrimtarë. Ai ishte një njeri që asnjëherë nuk i bëri “fresk” partisë. Me të flisja hapur, por edhe ai kishte besim tek unë. Kemi qenë miq të mirë, dy njerëz që e donin njeri-tjetrin. Dhimitër Xhuvani e mbylli karrierën e tij me një bashkëpunim me të birin tek “I dashur armik”, ku ai shprehte shpirtin e tij human, dashurinë e madhe që kishte për njeriun”.

NE KROLOGJI

Vdekja e tij është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, por edhe për gjithë kulturën dhe letërsinë kombëtare dhe për ata mijëra lexues e shikues që kanë ndjekur me interes e vëmendje veprat e krijuara prej Dhimitër Xhuvanit gjatë gjithë jetës së tij. Dhimitër Xhuvani lindi më 23 maj 1934 në Pogradec, në një familje intelektuale. Pas mbarimit të shkollës së mesme për mjekësi ka punuar për disa vjet me radhë në zonën e Librazhdit. Më pas studioi në Moskë për letërsi. Pas kthimit në Shqipëri, punoi në shtypin letrar pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Pas botimit të romanit “Tuneli” u dënua nga regjimi i kohës dhe u detyrua të punojë si punëtor në kantiere të ndryshme ndërtimi. Me shpirtin krijues që e karakterizonte, me dashurinë për letërsinë dhe artin, me  humanizmin e gjerë dhe të pashoq, shkrimtari vazhdoi të shkruante dhe të botonte deri në fund të jetës së tij. Korpusit të tij krijues i përkasin një numër i madh tregimesh, novela, romane, drama, skenarë filmash artistikë, etj. Veprat e tij të para “Kambana e fundit”, “Midis dy netëve”, “Tuneli” etj., dëshmojnë për një shkrimtar që u vu në radhët e para të asaj plejade shkrimtarësh shqiptarë, të cilët bënë përpjekje të shumta për të zhvilluar dhe emancipuar këtë letërsi, për ta zhvilluar atë më tej. Xhuvani deri në fund të jetës së tij i mbeti besnik kësaj prirjeje dhe iu për kushtua me devocion dhe me të gjithë  energjitë përparimit të saj. Një kontribut të ndjeshëm Dhimitër Xhuvani ka dhënë edhe në fushën e dramaturgjisë dhe të kinematografisë kombëtare. Skenarët e shumtë dhe mjaft të njohur e radhisin atë ndër emrat më të përmendur të shkrimtarëve që ndihmuan për zhvillimin e kinematografisë sonë. Një nga skenarët më të njohur të tij “I dashur armik”, të cilin e realizoi në bashkëpunim të ngushtë me të birin, është pritur mjaft mirë edhe në festival e aktivitete prestigjioze ndërkombëtare. Xhuvani kaloi një jetë, të cilën ia kushtoi me devocion letërsisë, dramaturgjisë dhe kinematografisë shqiptare. Emri i tij do të  kujtohet dhe do të nderohet gjatë si një nga emrat me kontribut  të shquar në kulturën kombëtare.  Kjo nekrologji është firmosur nga Ferdinand Xhaferri, Dritëro Agolli, Dhimitër Anagnosti, Suzana Turku, Teodor Laço, Sabri Godo Bardhyl Londo, Fatos Arapi, Vladimir Prifti, Mihallaq Luarasi, Saimir Kumbaro, Rikard Ljarja, Kristaq Skrami, Aurel Plasari, Mevlan Shanaj, Petrit Malaj, Drita Pelingu, Fatos Kongoli, Musa Vyshka, Natasha Lako.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›