E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimia e Reaganit

Trashëgimia politike e Ronald Reaganit vazhdon të jetë e fuqishme, veçanërisht për republikanët, që shqyrtojnë mundësinë e kandidimit për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012. Nga Express më 16 shkurt 2011 në ora 07:48

Amerikanët po festojnë këtë muaj 100-vjetorin e lindjes së ish-presidentit Ronald Reagan dhe po pasqyrojnë trashëgiminë e tij politike. Reagan shërbeu në postin e presidentit në periudhën nga viti 1981 deri në vitin 1989. Ai vdiq në vitin 2004. Anketat e opinionit tregojnë se Ronald Reagan vazhdon të jetë popullor edhe sot, madje është një prej arsyeve kryesore që shumë republikanëve dhe disa demokratëve u pëlqen të përmendin emrin e tij në debate aktuale politike.

Trashëgimia politike e Ronald Reaganit vazhdon të jetë e fuqishme, veçanërisht për republikanët, që shqyrtojnë mundësinë e kandidimit për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012.

Kur Reagan u zgjodh president në vitin 1980, konservatorët iu referuan kësaj fitoreje si Revolucioni Reagan, që nënkuptonte një qeveri më të vogël, ulje të tatimeve dhe rikthimin e krenarisë së Amerikës në botë.

Kur u largua nga detyra në janar të vitit 1989, Presidenti Reagan e përmendi këtë në fjalimin e lamtumirës, që mbajti nga zyra ovale.

"Fitorja ime u quajt ‘Revolucioni Reagan’, dhe unë e pranoj këtë. Por për mua ka qenë gjithnjë si një zbulim i madh, një rizbulim i vlerave dhe logjikës sonë", kishte theksuar ai.
Sot, Reagan mbetet një ikonë për shumë republikanë në arenën kombëtare, përfshirë edhe disa që mund të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ish-guvernatorja e Alaskës, Sarah Palin, mbajti fjalimin kryesor në një ceremoni për nder të Reaganit, organizuar nga Fondacioni i të Rinjve të Amerikës.

"Ndoshta e konsideroj veten një konservatore perëndimore në frymën e Ronald Reaganit, në atë lloj tradite, sepse ai e kuptonte frymën novatore të qyteteve të vogla, vlerat e punës së madhe, individualizmin e paepur dhe dashurinë për fqinjin", theksoi Palin.

Por nuk janë vetëm republikanët që duan të përmendin emrin e presidentit të 40-të amerikan. Presidenti aktual, Barack Obama i referohet herë-herë Ronald Reaganit dhe trashëgimisë së tij, madje bëri këto komente gjatë fushatës së vitit 2008.

"Unë mendoj se Ronald Reagani ndryshoi trajektoren e Amerikës në një formë që nuk e bënë as Richard Nixoni dhe as Bill Clintoni. Ai inkurajoi atë që njerëzit ndjenin dhe që kërkonin: qartësi dhe optimizëm", kishte theksuar Obama.

Gjatë fushatës së vitit të kaluar për zgjedhjet në Kongres, dhjetëra kandidatë republikanë iu referuan Ronald Reaganit dhe u zotuan të mbajnë gjallë trashëgiminë e tij politike për një qeveri më të vogël dhe për rikthimin e krenarisë së Amerikës.

Pritet që edhe republikanët, të cilët do të kandidojnë për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, do të përmendin shpesh emrin e Reaganit dhe do të përpiqen ta portretizojnë veten si udhëheqës konservatorë të modelit Reagan, të gatshëm të mos heqin dorë nga parimet themelore.

Historianët vënë në dukje disa kontradikta të trashëgimisë politike të ish-presidentit Reagan. Megjithëse uli përqindjen e shkallës së tatimit, presidenti Reagan miratoi disa ngritje tatimesh, madje ai lejoi edhe zmadhimin e qeverisë federale, ndonëse ishte zotuar ta zvogëlonte atë.

Edhe disa njerëz që vazhdojnë ta kritikojnë ish-presidentin Reagan dhe trashëgiminë e tij, e pranojnë se shpesh, gjatë presidencës së tij, ai demonstroi veti udhëheqëse. Biografi presidencial, Richard Reeves, jep mësim në Universitetin e Kalifornisë Jugore.
"Ronald Reagani mund të ketë qenë ose jo një president i madh. Shumica e njerëzve në vend mendojnë se ai ishte një president i madh. Disa të tjerë, mes tyre edhe unë, kemi rezerva. Sidoqoftë, ai ishte një udhëheqës i madh dhe shumë i zoti në ushtrimin e detyrës së presidentit. Ai e kuptonte fare mirë rolin e presidencës", thekson Reeves..

Ronald Reagani është popullor jo vetëm për konservatorët, por për shumë amerikanë të të gjitha bindjeve politike.

James Baker, ishte shef i personelit të Shtëpisë së Bardhë dhe sekretar i thesarit, gjatë presidencës së Reaganit. Kohët e fundit, ai foli në Bibliotekën Presidenciale Reagan në Kaliforni.

"Ai na ndihmoi të ri-zbulonim identitetin tonë. Ai na rikujtonte historinë tone dhe na sfidonte të kishim ëndrra të mëdha për të ardhmen sonë. Në fund të fundit, kjo mund të jetë trashëgimia e tij më e madhe", tha Baker.

(VOA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›