E Diel, 1 Nëntor 2026

Të miturit: Dino ka kryer veprime të këqija me ne

Dy dëshmi tronditëse që fundosin pozicionin e të pandehurit Dino Kristodulu. Përgjatë dëshmive të dy të miturve që kanë zgjatur rreth 5 orë, ata e kanë drejtuar gishtin përmes monitorëve të televizionit nga salla tjetër te Kristodulu, si personi që i ka dhunuar seksualisht e fizikisht në mënyrë sistematike kur ishin në qendër. Dy të miturit kanë dëshmuar dje për 5 orë me radhë në Gjykatën e Tiranës, përmes video-konferencës së mundësuar nga TVSH-ja, në ngarkim të dy britanikëve të akuzuar për pedofili, Dino Kristodulu e Robin Arnolds. Të shoqëruar nga psikologia dhe mësuesja e tyre, dy fëmijët janë pyetur një nga një nga trupi gjykues, prokurorja dhe avokatët e të pandehurve. I pari që ka rrëfyer dhunën seksuale dhe atë fizike të ushtruar nga i pandehuri Dino Kristodulu ka qenë 10-vjeçari, i cili për gati 2 orë ka shpjeguar tmerrin që ka përjetuar në qendrën e drejtuar nga David Braun. Sipas 10-vjeçarit, i vetmi që e ka dhunuar seksualisht për disa kohë në qendër ka qenë Dino. “Dino është sjellë keq me mua. Ai ka kryer veprime të këqija me mua”, - ka deklaruar fëmija, i cili tashmë strehohet në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” dhe që deklarohet nga mësuesit e tij se është një ndër nxënësit më të mirë të shkollës. Më pas, vendin e 10-vjeçarit e ka zënë një tjetër i mitur, 14 vjeç, dëshmia e të cilit zgjati më tepër sesa ishte parashikuar. Edhe ai, sipas burimeve nga gjykata, mësohet të ketë deklaruar se personi që ka ushtruar dhunë fizike dhe seksuale ndaj tij ka qenë Dino Kristodulu. Seanca u zhvillua si zakonisht me dyer të mbyllura, për shkak të moshës së dëshmitarëve, të cilët janë të gjithë nën 14 vjeç. Prej disa seancash, pyetja e fëmijëve është mundësuar me video-konferencë, me qëllim shmangien e përballjes me dy të pandehurit. Po në të njëjtën mënyrë është vepruar nga gjykata edhe në rastin e David Braun. Gjatë seancës, mësohet se i pandehuri Kristodulu është përpjekur të mohojë akuzat direkte të fëmijëve, dëshmitarë të skenave të tmerrshme dhuneje seksuale e fizike me të.

Skandali në qendër

Pas zbulimit të skandalit në fondacionin “Fëmijët e tij”, dëshmitë e para u dhanë kundër dy të pandehurve të ekstraduar nga Anglia, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold. Vetë fëmijët kishin dhënë emrat e dy personave që kanë abuzuar seksualisht me ta. Ndërkohë që pas fëmijëve, edhe David Braun u mundua të mbulojë veten një seancë para vendimit, duke deklaruar se ata që abuzuan me fëmijët ishin pikërisht Kristodulu dhe Arnold. Për disa kohë me radhë procesi mes personave të akuzuar për pedofili ka qenë në një dosje të vetme. Por, për shkak të ekstradimit me vonesë të Kristodulut dhe Arnolds, dosja u veçua dhe David Braun u gjykua më vete. Fëmijët kanë dhënë dëshmi rrëqethëse edhe kundër David Braun, i cili pretendon se është impotent dhe nuk mund të kryejë asnjë lloj marrëdhënie. Braun u dënua nga gjykata me 20 vjet burg. Ndërkohë që Dino Kristodulu është personi i përmendur më shpesh nga fëmijët. Madje me emrin e tij janë shkruar edhe parulla kundër. Ai sipas fëmijëve ka qenë më mizori. Përveç dhunës seksuale, ka ushtruar edhe dhunë fizike, pa lënë mënjanë atë psikologjike. Rreth 40 fëmijë të qendrës kanë qenë nën presion për vite me radhë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›