Poliçan, asgjësohen 113 kg zhivë
Ekspertët shkatërruan 113 kg zhivë dhe kimikate të tjera të mbetura stok në ish-uzinën e armëve në Poliçan. Ata kanë shpërthyer lëndët e rrezikshme në paraditen e ditës së djeshme. Në qytetin e Poliçanit ishin të pranishëm edhe shumë forca të ushtrisë dhe të policisë. Nuk mungonte as ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, që shoqëroi me sy gjithë aktivitetin e shkatërrimit të lëndës luftarake. Nga shpërthimi i lëndës së rrezikshme u krijuan re gjigande tymi në qiell, por ekspertët thanë se nuk përbën rrezik, pasi ajri i lagësht në këto ditë dimri nuk do të lejojë ndotjen në zonat e banuara. Disa orë para shkatërrimit të municioneve, banorët e zonës përreth ish-uzinës së armatimit u evakuuan për arsye sigurie. Lënda e rrezikshme luftarake ka qenë e grumbulluar për vite të tëra në ish-uzinën e armëve të Poliçanit. Asgjësimi bëhet në kuadër të shkatërrimit të municioneve luftarake të vjetruara që ndodhen në depot ushtarake ne vend prej më shumë se 40 vjetësh.