Vendimi, të shoqërohen me forcë Agim Shehu e Fatos Klosi
Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi shoqërimin me forcë nga policia të Agim Shehut dhe Fatos Klosit për në seancën e ardhshme. Shkak për ndërmarrjen e një hapi të tillë ekstrem për shoqërimin e dëshmitarëve është bërë mungesa për të disatën herë e Shehut e Klosit, njëri duke pretenduar se nuk ndodhet në Shqipëri, ndërsa tjetri duke ndërruar përherë banesat. Madje, gjykata ka vendosur të shoqërohen me forcë edhe 13 dëshmitarët e tjerë, të cilët kanë nxjerrë arsye nga më të ndryshmet dhe të pabesueshme për organin e akuzës dhe gjykatën për mospjesëmarrjen e tyre në gjyq. Në procesin për zhdukjen e Remzi Hoxhës, në vitin 1995, në seancën e djeshme duhej që të dëshmonte ish-zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, deri në 1997, por ai sërish nuk është paraqitur. Trupi gjykues ka deklaruar se në këtë institucion është sjellë një letër në të cilën thuhet se Shehu nuk ndodhet në Shqipëri, pretendim i cili është mbrojtur fort edhe nga avokatët e të pandehurve. Por, reagimi i prokurorit të çështjes, Xhevat Hana, ka qenë i menjëhershëm. Ai ka deklaruar se Agim Shehu është në Tiranë dhe se çdo ditë shkon në punën e tij në Ministrinë e Financave. Vetë prokuroria ka hetuar për vendndodhjen e Shehut. Pikërisht pas këtyre investigimeve, prokurori i çështjes ka kërkuar shoqërimin me forcë të Shehut në sallën e gjyqit, për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në vitin 1995. Gjithashtu, për të dëshmuar në sallën e gjyqit dje ishte thirrur dhe ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, por dhe ky nuk është paraqitur. Edhe për Klosin, Prokuroria kërkoi thirrjen e tij dhe shoqërimin me forcë në sallën e gjyqit në seancën e ardhshme. Arsyeja ka qenë se kur ftuesi i gjykatës shkon në banesën e Klosit, përherë i thuhet se ai nuk jeton më aty, por ka ndërruar banesë. “Pse përditë i ndërroka banesat ky?”, - ka ironizuar prokurori Xhevat Hana, i cili deklaroi se adresa e Klosit ishte e saktë dhe e verifikuar nga akuza. E gjendur përballë përgjigjeve të tilla gjatë këtyre seancave, ndërkohë që prokuroria deklaron se adresa e Klosit është ajo që është dhënë prej tyre sepse e kanë verifikuar, nga gjykata u vendos shoqërimi me forcë nga policia për këtë shtetas.