Qeveria ndjen mungesën e parave, nisin vonesat e pagave të administratës
Ervin Koçi
Qeveria shqiptare ka dhënë shenjat e para të mungesës së likuiditetit të nevojshëm për pagesën e pagave dhe pensioneve. E para që ka ndjerë mungesën e parasë ka qenë administrata publike, e cila pagesën e muajit mars e mori disa ditë me vonesë, në një kohë që pagesat e muajit prill janë vonuar mbi një javë. Në mjaftë qarqe vështirësinë e mungesës së parave e kanë ndjerë administrata e bashkive dhe komunave, sektori i shëndetësisë dhe arsimit. Por vonesat po vijojnë edhe në kryeqytet në shumë institucione shtetërore të cilat po hasin vonesa në pagesa. Pagat nuk po jepen më në datën e caktuar edhe për uniformat blu, të cilat kanë nisur të ankohen për këtë fenomen tashmë të përsëritur. Zyrtarë të ndryshëm të institucioneve shtetërore janë shprehur se, kur kanë shkuar për të tërhequr pagat në banka, janë njoftuar se ato nuk kanë kaluar akoma. Përgjegjësinë kryesore duket se e ka ministria e Financave, e cila nuk po di se ku ti dërgojë më parë fondet që grumbullohen nga taksat dhe gjobat. Deri tani dy gropa të mëdha janë hapur në buxhet. Njëra nga përmbytjet e ndodhura disa herë resht në tre muajt e parë të vitit në zonën e Shkodrës dhe Lezhës, në një kohë që gropa tjetër vijon të shkaktohet nga rruga Durrës-Kukës.
Borxhi
E zhytur në borxhe të mëdha, qeveria po pret që të marrë sërish një superborxh për të çuar përpara investimet publike, pagesat e pagave dhe pensioneve, si dhe shlyerjen e një pjese të borxheve të vjetër. Por tani për tani, qeveria duket se i ka braktisur përpjekjet për të emetuar bondet e para në euro të vendit tonë, pasi u pa që edhe pas arritjes së marrëveshjes së ndihmës mes Greqisë dhe FMN-së, situata në tregjet financiare ndërkombëtare vijon të mbetet e pasigurt. Sipas një burimi pranë qeverisë, i cili nuk dëshiron të identifikohet, plani për emetimin e bondeve është efektivisht “i ngrirë”. Duket se kjo është një mënyrë e zgjedhur nga qeveria për të pranuar në heshtje dhe pa zhurmë se përpjekja e tretë në tre vjet për emetimin e eurobondeve dështoi. Ende nuk është vendosur se si do të veprojë qeveria për të mbuluar gropën e krijuar nga mosemetimi i eurobondeve. MF-ja pati planifikuar të shpenzonte gjysmën e huasë së marrë përmes eurobondeve për të mbuluar shpenzimet e buxhetit të shtetit të këtij viti.
Eurobondet
Shqipëria pati planifikuar të emetojë eurobondet të enjten e kaluar, por asnjë investitor nuk u afrua për të blerë, për shkak se investimet në bondet e qeverisë greke japin aktualisht interes më të lartë se sa ofronte Shqipëria, ndërkohë që bondet greke janë më cilësore se ato të vendit tonë, sipas klasifikimit të “Standard & Poor’s”. Të dielën, Athina nënshkroi një marrëveshje ndihme me FMN-në dhe Bashkimin Europian me vlerë 120 miliardë euro, gjë që mendohej se do t’i qetësonte investitorët dhe do të ulte interesat stratosferike që kërkohen sot për blerjen e bondeve greke. Të hënën, interesat e borxhit të Greqisë u reduktuan me 1-1.5 për qind, por kjo nuk qe e mjaftueshme. Dje, bursat në të gjithë botën ranë, së bashku me euron, ndërsa interesat e borxhit grek pësuan rritje. Bondet 10-vjeçare të Greqisë u rritën me 36 pikë bazë dhe u shkëmbyen për 8.8 për qind. Euro humbi 1 për qind kundrejt dollarit, duke u këmbyer për 1.3 USD, nga 1.31 USD që vlente të hënën.
Pasojat
Qeveria shqiptare dëshironte të tërhiqte 300-400 milionë euro borxhe në tregun ndërkombëtar, duke emetuar bonde me vlerë minimale 50 mijë euro dhe me vlerë maksimale 99 mijë euro. Nga këto, 200 milionë euro do të përdoreshin për të shlyer para kohe dhe rrjedhimisht për të riskeduluar një kredi sindikale me vlerë 200 milionë euro, që u tërhoq në maj 2009, me interesin katastrofal prej euribor plus 9.65 për qind. Tani qeverisë do t’i duhet të marrë hua në tregun e brendshëm për të mbuluar shpenzimet e programuara të këtij viti. Nga ana tjetër, eurobondet synonin të zgjidhnin edhe një problem që mund të dalë në vitin 2012, kur qeverisë do t’i duhet të shlyejë interesa borxhi publik dhe principal me vlerë të përgjithshme prej 90 miliardë lekësh, ose 900 milionë dollarë.
BOX///////////////////////////////
Qeveria premton sërish rritje pagash dhe pensionesh, përgjysmohet TVSH-ja
Qeveria po përgatit rritjen e pagave dhe pensioneve, por deri tani nuk është e qartë sesa do të jetë ajo, por dihet kriteri i përgjithshëm. “Rritje më të mëdha do të pësojnë rrogat e ulëta dhe pensionet e ulëta. Rritja më e vogël do të jetë për rrogat e larta. Pagat e zyrtarëve më të lartë do të rriten aq sa është inflacioni ose 1 për qind më shumë, pasi ky është rregulli”,- tha dje Kryeministri Berisha. Sipas kryeministrit, fondi i rritjes së rrogave dhe pensioneve për këtë mbulohet pothuajse i gjithi nga fondi i shpëtuar prej heqjes së makinave dhe shoferëve të zyrtarëve. Ndërkohë qeveria do të zbatojë vitin e ardhshëm taksën 10 për qind për ilaçet e importuara. Sipas kryeministri Berisha kjo nuk është vetëm pjesë e reformës në shëndetësi, por ul ndjeshëm spekulimin me çmimin e ilaçeve. Kryeministri foli edhe për raste të mashtrimit me çmimet e importit, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me çmimet më të larta jo vetëm në rajon.
BSH: Qeveria të tregoj kujdes me eurobondet
Kur qeveria po bëhet gati për të marrë rreth 400 milionë euro borxh në tregun ndërkombëtar, Banka e Shqipërisë i kërkon asaj të bëjë kujdes. Në raportin e stabilitetit financiar për vitin 2009, Banka thotë se, “rritja e borxhit të jashtëm duhet të ndiqet me vëmendje pasi duhet vlerësuar rreziku i interesave të larta dhe aftësia e buxhetit për të përballuar pagesat për shlyerjen e tij në të ardhmen”. Sipas BSH-së, krahasuar me vitin 2007, borxhi i jashtëm i Shqipërisë është rritur me 8.7 për qind ndaj produktit të brendshëm bruto. E konvertuar në vlerë, kjo do të thotë se vetëm në dy vite borxhi i jashtëm i Shqipërisë është rritur me mbi 1 miliardë e 100 milionë dollarë. BSH-ë vëren se borxhi i jashtëm është gjithmonë i rrezikuar nga goditjet e kursit të këmbimit. Sipas bankës orientimi ndaj borxhit të jashtëm është më me risk pasi që dy vitet e fundit, vihet re një rritje e fortë e kredive që qeveria ka marrë me interesa të luhatshme nga jashtë, të cilat ndryshojnë në bazë të ecurisë së euriborit. Kursi dhe ecuria e normave referencë paralajmëron BSH-ë mund të japin efekte të konsiderueshme në buxhet. Ndaj autoriteti qendror monetar në vend, i kërkon qeverisë një përcaktim të saktë dhe kritere të disiplinuara për marrjen e borxhit të huaj në vazhdimësi, në mënyrë që të përballohet kostoja e rifinancimit ose e shlyerjes së tij në momentin e maturimit.
6 Maj 2010