Korrupsioni, qeverisë i duhen edhe 8 për qind
Armando Meta
Rreth 92% e qytetarëve shqiptarë pohojnë se korrupsioni është përhapur në çdo institucion shtetëror të vendit. Ky rezultat tronditës ka dalë pas publikimit të një sondazhi të zhvilluar nga IDRA, me mbështetjen e USAID-it, në lidhje me korrupsionin në Shqipëri. Niveli i lartë i perceptimit në masën 92% për korrupsionin në institucionet shtetërore përbën një rekord në historinë e shtetit shqiptar. Ky rekord i arritur tashmë lehtësisht nga ana e qeverisë së kryeministrit Berisha, ka pak gjasa që jo vetëm të thyhet në vitet që vijnë, por edhe të arrihet. Thënë troç, lufta ndaj korrupsionit është një mision i pamundur i qeverisë për t’u ndarë nga paratë e pista dhe zhvatja. Misioni i vetëm i mundur i qeverisë “Berisha” duket se është vetëm rritja e nivelit të korrupsionit në vend. Po bëhen gati 5 vjet që kryeministri Berisha e qeveris vendin si të dojë, nën sloganin e “duarve të pastra”. Dhe pas 5 vitesh ai vjen me një bilanc mjaft të hidhur, të paarritur më parë nga asnjë kryeministër, ku 92% e qytetarëve që ai qeveris pohojnë se korrupsioni është i përhapur thuajse në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar. Qeverisja e ish-kryeministrit Nano ishte përdorur si model i korrupsionit qeveritar, por shifrat e publikuara dje nga sondazhi i zhvilluar nga IDRA na bëjnë të themi pa droje se në fushën e korrupsionit, qeverisja e ish-kryeministrit Nano ishte mjaft amatoreske krahasuar me qeverisjen e kryeministrit Berisha. Situata e Shqipërisë përsa i përket korrupsionit është vërtet shqetësuese. Por më shqetësues është fakti se qeveria ka mbetur në një nivel deklarativ të luftës kundër korrupsionit duke publikuar arritje të paqena në këtë drejtim, ose duke u mjaftuar me disa ndëshkime në nivele të rëndomta të administratës. Situata në realitet është mjaft alarmante. Shihet qartë se qeveria ka humbur jo vetëm orientimin në luftën kundër korrupsionit, por me përpjekjet e saj për të ruajtur nivelet e larta të pushtetit nga ndëshkimi ligjor për aferat e tyre jo të pakta, ka frymëzuar më shumë përhapjen e korrupsionit. Rritja e çmimeve nga njëra anë dhe rritja e korrupsionit nga ana tjetër, në kushtet kur Shqipëria përballet me një krizë të rëndë ekonomike dhe politike, bëjnë të qartë se vendin nuk e pret asgjë e mirë në ditët që vijnë. Të huajt kanë pasur plot arsye për të na treguar me gisht si vend i korruptuar. Tashmë është bërë e qartë se midis qeverisë dhe qytetarëve është vendosur një mur. Por, nga ana tjetër, korrupsioni në këto nivele i qeverisë “Berisha” është edhe një mur ndarës mes Shqipërisë dhe botës perëndimore. Është e qartë se punët në këtë vend po shkojnë keq, madje shumë keq.
6 Maj 2010