USAID: 92% e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni është i përhapur gjerësisht
Eljona Ballhysa
Dy organizata amerikane, USAID-i në bashkëpunim me IDRA-n, kanë publikuar dje sondazhin mbi perceptimin e korrupsionit nga qytetarët shqiptarë për vitin 2010. Në bazë të këtij sondazhi bëhet e ditur se 92% e shqiptarëve të intervistuar mendojnë se korrupsioni në Shqipëri është i përhapur kudo. Madje, mbi 30% e të intervistuarve pohojnë se kanë dhënë ryshfet gjatë vitit 2010. Ky është raporti i gjashtë i USAID-it që realizohet në Shqipëri për perceptimin e korrupsionit nga qytetarët shqiptarë. Duke u bazuar në shifra duket qartë se niveli i korrupsionit është i lartë dhe se të shumica e shqiptarëve janë prekur nga ky fenomen negativ.
Perceptimi
Sondazhi vë në dukje se perceptimi mbi korrupsionin në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë. Vlerësimi mesatar i publikut të gjerë mbi korrupsionin e perceptuar të institucioneve në sondazhin e vitit 2010 është 62.4 pikë, në shkallën nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë “shumë i ndershëm” dhe 100 do të thotë “shumë i korruptuar”. Drejtuesit fetarë, Presidenti, ushtarakët, media, mësuesit e shkollave publike dhe drejtuesit e OJF-ve vazhdojnë të konsiderohen si më pak të korruptuar ndër 20 grupet dhe institucionet e vlerësuara. Nga ana tjetër, doganierët, tatimorët dhe doktorët janë vlerësuar si më të korruptuarit. 91.8% e të intervistuarve në kampionin e publikut të gjerë mendojnë se korrupsioni ndërmjet zyrtarëve publikë është “shumë i përhapur” ose “disi i përhapur”. Në sondazhin e vitit 2010, qytetarët kanë rënë pre e korrupsionit mesatarisht me 1.31 mënyra nga 10 mënyra të mundshme. Treguesi i viktimizimit është pothuajse i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Sektori i shëndetësisë vazhdon të mbetet sektori më i përmendur për korrupsion. Në vitin 2010, 33.5% e të intervistuarve deklarojnë se i kanë paguar ryshfet një doktori ose infermieri gjatë vitit të kaluar. Në përgjithësi publiku shqiptar ka një perceptim negativ mbi kontributin e institucioneve të ndryshme në luftën kundër korrupsionit. Vlerësimi mesatar i 9 institucioneve është 42.4 pikë. Ky vlerësim është poshtë mesit të shkallës së vlerësimit nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë “nuk ndihmon aspak” dhe 100 do të thotë “ndihmon shumë”. Ashtu sikundër dhe gjatë viteve të shkuara, vetëm media vazhdon të shihet sikur po ndihmon në luftën kundër korrupsionit. Ajo është vlerësuar me 61 pikë në vitin 2010. Të gjitha grupet dhe institucionet e tjera të vlerësuara kanë marrë më pak se 50 pikë. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, drejtuesit fetarë dhe gjykatat konsiderohen si institucionet që kontribuojnë më pak në luftën kundër korrupsionit. Vetëm ushtarakët janë vlerësuar me më shumë se 50 pikë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është vlerësuar me 28 pikë, sindikatat me 32 pikë dhe partitë politike me 32 pikë, duke treguar se janë institucionet te të cilat qytetarët shqiptarë kanë më pak besim.
Transparenca
Si publiku i gjerë, ashtu dhe punonjësit e sektorit publik, mendojnë se në përgjithësi transparenca e institucioneve shqiptare është e ulët. Vlerësimi mesatar i nëntë institucioneve është poshtë mesit të shkallës së vlerësimit nga 0-100, ku 0 do të thotë “aspak transparent” dhe 100 do të thotë se “shumë transparent”. Publiku i gjerë i ka vlerësuar institucionet me 38.7 pikë, ndërsa punonjësit e sektorit publik me 48.9 pikë.
Gjyqësori
Besimi i qytetarëve shqiptarë në sistemin gjyqësor në vitin 2010 ka pësuar rënie. Vetëm 35.9% e të intervistuarve deklarojnë se kanë “shumë besim” ose “disi besim” në sistemin gjyqësor, 10.7 pikë përqindje më pak se në vitin 2009. Përqindja e të intervistuarve që kanë “pak besim” ose “aspak besim” në sistemin gjyqësor është shumë e lartë, 64.1%. Trajtimi i publikut nga ana e gjykatave është përkeqësuar në vitin 2010. 38% e të intervistuarve që kanë pasur të bëjnë me gjykatat deklarojnë se janë trajtuar “keq” ose “shumë keq”, 11.3 pikë përqindje më keq se në vitin 2009.
Ekonomia
Perceptimi i publikut të gjerë mbi situatën ekonomike është i njëjtë me atë të një viti më parë dhe nuk ka ndryshuar shumë që prej vitit 2005. Më shumë se gjysma e të intervistuarve, rreth 53.9%, mendojnë se situata ekonomike e vendit është “e keqe” apo “shumë e keqe”. Ata që mendojnë se ekonomia do të jetë në stanjacion gjatë vitit të ardhshëm, janë rritur nga 35.3% në vitin 2009 në 39.8% në vitin 2010. 23.3% e të intervistuarve deklarojnë se presin që ekonomia të përkeqësohet gjatë vitit të ardhshëm.
Të dhëna
Janë intervistuar 1200 persona të moshës mbi 18 vjeç
Marzhi i gabimit për këtë kategori është ± 2.8%
Janë intervistuar 600 punonjës të sektorit publik
Marzhi i gabimit për këtë kategori është ± 4.0%
Përfundime
92% e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni është i përhapur kudo
33.5% e të intervistuarve deklarojnë se kanë paguar ryshfet
53.9% mendojnë se situata ekonomike e vendit është “shumë e keqe”
64.1% e të intervistuarve deklarojnë se s’kanë besim te sistemi gjyqësor
Sektori i shëndetësisë vazhdon të mbetet sektori më i përmendur për korrupsion
Qytetarët deklarojnë se nuk kanë aspak besim te partitë politike
6 Maj 2010