Të mos përdoren "pretekste" për ndërhyrje në Siri

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Mikhail Bogdanov, ka thënë se pretendimet për përdorimin e armëve kimike në Siri nuk duhet të përdoren si pretekst për ndërhyrjen e huaj ushtarake në këtë vend.Bogdanov, i cili është i dërguar i Kremlinit në Lindjen e Mesme, ka thënë se “nëse ka dëshmi serioze të përdorimit të armëve kimike në Siri, këto informacione duhet të verifikohen dhe të mos përdoren për arritjen e synimeve të caktuara”, transmeton REL.
Ai i ka bërë këto komente të shtunën në Bejrut, një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka paralajmëruar Damaskun se çdo përdorim i armëve kimike do të ndryshonte mënyren e qasjes së Uashingtonit ndaj krizës.
Të enjten, zyrtarë amerikanë kanë thënë për herë të parë se ka prova që regjimi sirian, sipas të gjitha gjasave, ka përdorur armët kimike në sasi të vogla, por “për të konfirmuar dyshimet, duhen hetime të mëtejshme”.
Konflikti civil në Siri ka shpërthyer në mars të vitit 2011. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 70,000 njerëz kanë humbur jetën në luftime./Indeksonline/