VV diskuton për rolin e gruas në shoqëri

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren në një takim aktiviste dhe aktivistë të Prizrenit ka diskutuar për rolin e gruas në shoqëri.
“Në Prizren, gruaja është fare pak ose aspak e përfshirë në institucionet lokale, kryetari, nënkryetarët, kryesuesi janë burra, madje edhe Asamblenë e Prizrenit kemi shumë pak gra, në këtë rrafsh gjithashtu të gjitha drejtoritë komunale udhëhiqen nga burra”, ka thënë kryetari i Qendrës së VV-së në Prizren Arbër Rexhaj.
Ndërsa Aida Dërguti, nënkryetare e këtij subjekti, foli për gjendjen e pabarabartë mes statusit të gruas dhe burrave. Ajo potencoi se aktivizimi i gruas në të gjitha lëmitë e jetës shoqërore dhe politike përherë ka sjellë ndryshime. Pa aktivizimin e grave, që përbëjnë gjysmën e popullsisë në Kosovë nuk mund të ketë ndryshime rrënjësore. “Gratë duhet të kenë mendim dhe koncept politik, prandaj ato edhe duhet të marrin pjesë aktivisht në jetën publike pavarësisht vështirësive dhe pengesave që i kanë”, tha Dërguti.
Ndërkaq Teutë Rrusta, nga sekretariati i Gruas Aktiviste në VV, foli për rëndësinë që duhet të ketë pjesëmarrja e gruas në sekretariat, sepse aty, sipas saj, ato nuk merren vetëm me çështje të grave por edhe me probleme të ndryshme politike. “Prandaj Lëvizja Vetëvendosje! dallon në organizimin e gruas, sepse subjektet tjera krijojnë forume ku gratë merren me gra. Ne angazhohemi që gruaja të ketë koncept politik dhe të merret me çështje të përgjithshme shoqërore dhe politike”, ka thënë Rrusta./Indeksonline./