Të ndërtosh në 2008, kushton më shtrenjtë
Kostoja e ndërtimit është rritur në vitin 2008. INSAT ka publikuar dje shifrat e kushtimit në këtë sektor. Sipas INSTAT, në 3-mujorin e tretë të këtij viti ka një rritje prej 1.5 për qind të kostos së ndërtimit. Nga të dhënat vihet re se është rritur çmimi i materialeve, ka rritje të grupit “shpenzime për paga”. Po të vihet re grafiku i indeksit të kushtimit në ndërtim, kostoja është rritur në tremujorin e tretë. Kjo ka bërë që sektori i ndërtimit të paguajë më shumë për objektet që ndërton, duke rritur kështu koston e ndërtimit. Ndërtuesit kështu kanë shpenzuar më shumë për të realizuar projektet e tyre. Por shtrenjtimi i ndërtimit padyshim që reflektohet edhe tek qytetari, që është blerësi. Ndërtuesit koston e reflektojnë në çmimin e apartamenteve, çka do të thotë një faturë më e kripur për qytetarët. Në tremujorin e tretë të 2008, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 128.8 për qind (Trem.IV 1999=100), duke shënuar një rritje 0.4 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar një rritje 1.5 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.1 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime direkte” është rritur 0.5 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi rritje kanë shënuar nëngrupet “Shpenzime materiale” prej 0.7 për qind dhe “Shpenzime për paga” prej 0.1 për qind. Brenda nëngrupit “Shpenzime materiale” mund të përmendim rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit prej 0.7 për qind dhe çmimet e materialeve hidro-sanitare prej 0.1 për qind. Në këtë tremujor, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, indekset e çmimeve të grupeve të tjera me përjashtim të grupit “Ngritje kantieri” nuk kanë ndryshuar.