“Go West” Prokuroria kërkon rritje të masave të dënimit për të pandehurit
Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda i ka kërkuar gjykatës rritje të masave të dënimit për të pandehurit e grupit “Go West”, duke kërkuar një rritje të 1/4 së masës së dënimit, dhënë nga gjyqtarët e Shkallës së Parë. Kjo kërkesë e prokurorit është rrëzuar dje nga avokatët mbrojtës, të cilët për gati 5 orë kanë vijuar me argumentet mbrojtëse të tyre. Gjykata e Shkallës së Parë i dënoi me 77 vjet burg e 80 milionë lekë gjobë, si dhe çlirim nga akuza e “grupit të strukturuar kriminal” për dy të pandehurit Valbona Canko e Voltan Turtulli. Masat e dënimit që varionin nga 5 deri në 13 vjet janë shoqëruar edhe me gjoba të rënda nga 8 deri në 10 milionë lekë të reja, ndërkohë që organi i akuzës në Apel ka kërkuar nga togat e zeza në konkluzionet përfundimtare që masat e dënimit të rriten ende për të pandehurit me nga 2 vjet më tepër. Akuzat që rëndojnë mbi 9 të pandehurit, dy prej të cilëve ish-oficerë policie në Rinas, kishin të bënin me “grupim të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave kriminale nëpërmjet këtij grupimi”, “falsifikim dokumentesh”, “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm” e të tjera akuza, ndërkohë që për asnjë moment ata nuk i kanë pranuar ato, si gjatë momentit të hetimit, ashtu dhe në gjykimin e çështjes. Fillimisht u fol për një grupim të madh, por që gjatë hetimit u reduktua në 9 të pandehur, pasi pjesa më e madhe e të dyshuarve të implikuar në këtë aktivitetet kriminal, sipas akuzës, i kaluan për kompetencë gjykimi një gjykate të zakonshme, shumë prej të cilëve kanë fituar edhe pafajësinë. Të pandehurit e këtij procesi janë Nikolin Cako, Edmond Bejko, Eljano Canko, Altin Flamuri, Përparim Kateshi, Voltan Turtulli, Valbona Cako, Selman Murati dhe Avdi Leka.