Gjedhët, numërohen 400 mijë në gjithë vendin
Janë dashur vetëm pak muaj për të krijuar një regjistër për gjedhët në vendin tonë. Tashmë rezultojnë të numëruara apo të regjistruara rreth 400 mijë gjedhë. Një nga objektivat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për këtë vit ishte regjistrimi i blegtorisë. Për këtë qëllim, qeveria dha një financim prej 1.2 milion lekësh nga buxheti i shtetit. Procedimi i regjistrimit të blegtorisë nisi në 6-mujorin e dytë të këtij viti dhe deri më tash, sipas të dhënave të vetë MBUMK, janë regjistruar rreth 400 mijë gjedhë. Ndërkohë i gjithë procesi për regjistrimin e blegtorisë pritet të përfundojë në fund të këtij viti. Deri më tash është regjistruar mbi 95% e blegtorisë në të gjithë vendin. Zbatimi i këtij projekti të ri që nisi në 6-mujorin e dytë të vitit 2008, ka për qëllim krijimin e kartelave shëndetësore të kafshëve bujqësore, me të gjitha të dhënat e nevojshme për sigurinë ushqimore që plotësojnë në prodhimet blegtorale. Sipas MBUMK-së, regjistrimi i blegtorisë është një nga proceset më të rëndësishme që ka ndërmarrë dikasteri i Bujqësisë, si një nga kriteret e BE-së për rritjen e sigurisë ushqimore dhe të eksporteve të produkteve blegtorale në tregjet e huaja. Blegtoria vlerësohet si një nga sektorët kryesorë në ekonominë shqiptare që jep mbi 27% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto. Shqipëria, e vendosur të plotësojnë standardet e BE-së, të kërkuara për sektorin e bujqësisë, është e detyruar të plotësojë një ndër kushtet e vendosura për të regjistruar çdo kokë gjedh. Ministria e Bujqësisë është ajo që do të zbatojë këtë projekt. Burime zyrtare pranë MBUMK bënë me dije se ka nisur në shkallë vendi procedurat për regjistrimin e blegtorisë. Matrikulimi i blegtorisë është një pikë e përmendur në raport-progresin 2007, që Shqipëria duhet të plotësojë. Pasi një ndër kushtet e eksporteve drejt BE-së të shtazëve është matrikulimi. Ndaj vendi ynë është i detyruar të plotësojë këtë kusht, pasi ne ende nuk mund të eksportojmë produkte shtazore. Specialistët theksojnë se matrikulimi është shumë i rëndësishëm për sigurinë ushqimore në tërësi, si një proces, si një zinxhir, i cili fillon nga stalla tek tavolina. Në kuadër të programit të ri të mbështetjes së BE-së, që titullohet IPA 2008, do të realizohet edhe një projekt për matrikulimin dhe identifikimin e fermave blegtorale. Për vitin 2008, nga buxheti i shtetit janë dhënë 1.2 milion dollarë për matrikulimin e gjedhit. Do fillohet me 700 mijë krerë gjedhë dhe në projektin e IPA-s ka dhe një të tillë edhe për të imtat. MBUMK ka siguruar paratë dhe po synon të bëjë një proces identifikimi, i cili të jetë i qëndrueshëm dhe funksional. Pas fazës së parë të regjistrimit që do të bëhet nga shteti, fermeri do të jetë i detyruar ta bëjë atë në vijimësi.