E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar Zonja e Zotërinj, Të zgjedhur dhe drejtues, Jam këtu për t'ju siguruar ju të zgjedhurit dhe të emëruarit vendor dhe nëpërmjet jush gjithë komunitetin pukjan se kjo zonë nu

Të nderuar Zonja e Zotërinj,
Të zgjedhur dhe drejtues,

Jam këtu për t'ju siguruar ju të zgjedhurit dhe të emëruarit vendor dhe nëpërmjet jush gjithë komunitetin pukjan se kjo zonë nuk është xhepi i harruar i Qeverisë. Jam këtu për të vlerësuar bashkëjetesën dhe bashkëpunimin mes forcave politike edhe në qeverisjen vendore,por dhe për të nxitur e krijuar së bashku realitete që i japin fund tranzicionit në Pukë, duke e integruar më mirë dhe më shpejt këtë trevë në tregun kombëtar, atë rajonal e global. Si Kryeministër i një Qeverie Socialiste, ndihem mirë tek bashkëbisedoj dhe bashkëpunoj me ju, të zgjedhurit vendor përfaqësues të Partisë Demokratike. Kjo klimë pozitive bashkëpunimi mes pushtetit qëndror dhe vendor, pavarësisht ngjyrave politike që u përkasim duhet të shndërrohet në më shumë energji, përkushtim dhe ritëm reformash në dobi të komunitetit pukjan, të sipërmarrjes së lirë, të arsimit dhe shëndetit publik, të infrastrukturave të zhvillimit. Qeveria është e ndërgjegjshme se vështirësitë e krijuara për Pukën dhe zonat përreth gjatë viteve të para të tranzicionit nuk është e lehtë të korrigjohen. Por ne jemi të vendosur që kjo trevë, duke shfrytëzuar më mirë resurset e veta veçanërisht në pyje dhe pasuri nëntokësore, si dhe kontributin e financimeve nga buxheti qëndror të rigjallërohet dhe të integrohet në tregun kombëtar e më gjerë. Kështu Qeveria po vazhdon të zgjerojë lehtësitë e sipërmarrjes private në industrinë minerare, si dhe po negocion me kompani të huaja kryesisht për rivënien në punë të industrisë së bakrit në veçanti, pasuri e spikatur e rrethit tuaj. Lidhur me pyjet, pas ndalimit që i bëmë masakrës mbi to me anë të një moratoriumi, po përgatisim të gjithë aktet ligjore dhe nënligjore që edhe këtë pasuri e bëjnë të shfrytëzueshme, duke e ruajtur dhe shumuar njëkohësisht.
Në mënyrë të veçantë, Qeveria po rishikon rrugët ligjore dhe instrumentat financiare të nxitjes së sipërmarrjeve të vogla e të mesme, që veçanërisht për treva si Puka janë baza e zhvillimit ekonomiko – shoqëror. Mesa duket investimet publike në infrastrukturë janë shumë të rëndësishme, por të pamjaftueshme për të zgjeruar sipërmarrjen private në formën e ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Paketa e masave që Qeveria po studion për nxitjen e sipërmarrjes private në zonat që kanë nevojë për më tepër zhvillim, përfshin dhe mundësinë e krijimit të incentivave për të gjithë ata sipërmarrës të zonave të tjera që duan të investojnë dhe hapin vende pune në Pukë dhe gjithë veriun e Shqipërisë.
Kjo iniciativë e Kryeministrit ka filluar të vihet në jetë që sot.

Po vij në Pukë menjëherë pas një vizite pune në rrethin e Matit, ku u bë publike një iniciativë e sipërmarrjes private shqiptare për të marrë në patronazh dhe për të investuar me fondet e tyre në gjithë sistemin arsimor të vendit, veçanërisht në zonat veriore ku dhe nevoja është më e madhe. Janë mbi 100 sipërmarrës dhe po kaq shkolla që përfshihen në këtë projekt, duke krijuar kështu një stad të ri bashkëpunimi mes përfaqësuesve më seriozë të biznesit në Shqipëri dhe njësive të pushtetit vendor që administrojnë institucionet arsimore. Sipërmarrjet e mëdha po vijnë për t'ju ndihmuar. A janë të afta autoritetet vendore të krijojnë kushtet që këto sipërmarrje të ushtrojnë aktivitete, të kryejnë investime dhe të hapin vende pune kudo ku po ndihmojnë? Hapësirat ligjore për një shfrytëzim më të mirë të resurseve vendore janë.

Në 6 vitet e fundit, në adresë të pushtetit vendor janë ndërmarrë reforma të thella, të cilat kanë si qëllim, ofrimin e shërbimeve bazë publike afër komuniteteve. Kështu transferimi i disa kompetencave si, në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, në fushën e shërbimeve social-kulturore, në fushën e zhvillimit ekonomik vendore dhe në atë të arsimit dhe shëndetësisë, rritja e autonomisë financiare nëpërmjet decentralizimit fiskal, përbëjnë një reformë substanciale për pushtetin vendor. Sigurisht që kjo reformë është shtrirë dhe në 2 bashkitë dhe 10 komunat e rrethit Pukë.

Decentralizimi nuk është një proçes mekanik i kalimit të kompetencave nga qendra në bazë, por ai është një proçes që kërkon përgjegjësi, vëmendje dhe përkushtim të të zgjedhurve vendorë dhe stafeve teknike të tyre për ta përdorur atë në dobi të komunitetit. Në këtë kontekst autoritetet vendore në Pukë, që këto vite është shoqëruar me fenomenin e migrimit dhe emigrimit të menaxherëve publik, duhet të jenë shumë të impenjuara në absorbimin e këtyre kompetencave, në mënyrë që efektet të ndihen pa vonesë nga komuniteti. Në proçesin e absorbimit të reformës së decentralizimit më rezulton që Bashkia Pukë, komuna Gjegjan dhe Komuna Qaf-Mali, kanë demonstruar se këto kompetenca i kanë shfytëzuar mirë duke rritur cilesinë e shërbimeve dhe investimeve në dobi të komuniteteve të tyre. Në njësitë e tjera nuk është arritur ende në tregues të kënaqshëm, gjë që ndikon negativisht, si në jetën komunitare ashtu dhe në shpenzimin pa efektivitetin e duhur të fondeve publike buxhetore apo vendore, të cilat konsumohen kryesisht për mbajtjen me rroga të administrative përkatëse. Në rrethin e Pukës me një popullsi prej 34 mije banorë funksionojnë 10 njësi vendore, të cilat mbahen kryesisht nga të ardhurat e buxhetit të shtetit. Së bashku dhe për shkak të paketës së decentralizimit që po implementojmë duhet të angazhohemi që administratat e këtyre njësive, të zgjedhura apo të emëruara të mos vazhdojnë më të funksionojnë si qendër komunale punësimi, por të shndërrohen në administrata agresive që duke shfrytëzuar hapësirat e reja ligjore dhe resurset e çdo njësie i ofrojnë komuniteteve shërbime dhe realitete që sjellin permiresimin e pandërprere të jetës dhe sipërmarrjes.

Gjatë këtij viti dhe në vijim jemi duke thelluar reformën e decentralizimit e cila siç e theksove dhe më sipër, ka si qëllim zhvillimin e parimit të subsidiaritetit, që do thotë shërbime sa më afër qytetarit. Kështu brenda këtij viti do kalohet si funksion i vet pushtetit vendor furnizimi me ujë të pijshëm dhe kanalizimeve, kompetenca e investimeve në rrugët e bashkive etj. Kalimi i këtyre kompetencave ka efekte të ndjeshme veçanërisht në bashkitë Pukë e Fushë-Arrës, në të cilat deri tani kanë vepruar ndërmarrje me vartësi nga Qeveria dhe në zbatim të ligjit të ri do të jeni ju që do t'i administroni këto ndërmarrje. Në komunat tuaja këto shërbime janë drejtpërdrejtë në vartësinë tuaj. Mbetet angazhimi më i organizuar dhe nëpërmjet kujdesit për menaxhim, të punohet për rritjen e fondeve dhe sidomos rritjen e shkallës së efektivitetit të tyre.

Rrethi juaj ka terren dhe klime specifike. Puka eshte nje nga rrethet me dimer te ashper dhe te gjate. Keto jane factor objektiv me karakter te perhershem qe duhen marre parasysh mire per te ndertuar punen ne menyre te tille qe te lehtesohet efekti i tyre negativ. Ne kete kuptim pergatitjet per sezonin e dimrit jane te domosdoshme.

Organet e qeverisjes vendore në këtë drejtim duhet të programojnë mirë masat që varen prej tyre duke filluar nga drutë e zjarrit, riparimi i institucioneve si shkollat, ambulancat etj, duhet treguar kujdes në funksionimin e rrugëve, ujësjellësave etj.

Qeveria ka në qendër të vëmendjes plotësimin sa më mirë të nevojave që varen prej saj, veçanërisht në fushën e energjisë. Mjafton t'u them se vetëm në rrethin e Pukës Brenda vitit do të kryhet rikonstruksioni i 6 linjave të tensionit si dhe do të ndërtohen apo rikonstruktohen 6 transformatorë me peshë në furnizimin normal të rrethit. Qeveria gjithashtu është e angazhuar që ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve rurale të pajiset me teknikën e nevojshme që përballon kushtet e dimrit të ashpër, duke mbajtur hapur rrugët e komunikimit.

Një problem tjetër që desha të tërheq vemendjen tuaj është edhe inventarizimi dhe transferimi i pronave në njësitë e qeverisjes vendore. Siç jam informuar si hap të parë, ju keni përfunduar inventarizimin dhe transferimin e ambienteve ku ushtroni veprimtarinë administrative.

Në Bashkinë Pukë po punohet seriozisht për të përfunduar sa më parë proçesin e inventarizimit të pronave të paluajtshme shtetërore. Edhe në Bashkinë Fushë-Arrës ka filluar puna, por kërkohen ritme më të shpejta për realizimin e këtij proçesi.

Mendoj se është e nevojshme që pushtet vendorë të punojnë më mirë për inventarizimin e pronave publike, pasi kjo është një nga hallkat e rëndësishme të implementimit të strategjisë së decentralizimit.

Vitin fiskal 2003, pushteti vendor e filloi me implementimin e një pakete të rëndësishme ligjore për decentralizimin fiskal. Kështu, kalimi i taksës së biznesit të vogël, i taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve të transportit, i taksës së transaksioneve të pasurive të paluajtshme në taksa vendore si dhe rritja e kompetencave të këshillave të njësive të qeverisjes vendore në përcaktimin e bazës së taksave dhe në nivelin e taksave, ka bërë që autonomia financiare të zgjerohet dukshëm. Kjo reformë ka impakte pozitive në buxhetin e njësive të qeverisjes vendore. Kështu nga zbatimi i paketës fiskale për pushtetin vendor, burimet e financimit në shkallë kombëtare për funksionet e veta të pushtetit vendor dhe për një pjesë të funksioneve të përbashkëta janë 56 % nga taksat dhe tarifat vendore dhe 44 % nga granti i pakushtëzuar që akordohet nga buxheti i shtetit për buxhetin e pushtetit vendor, përkundrejt 76% që vinte nga buxheti i shtetit në vitin 2002. Këto shifra për njësi të ndryshme janë dhe më të thella. Kështu për bashkitë Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë, Sarandë, Elbasan Shkodër etj, pesha e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore është më lartë. Për rrethin e Pukës më rezulton një situatë krejt ndryshe. Sigurisht që kushtet janë më të disfavorshme në krahasim me bashkitë që mora si shembull, por e krahasuar me rrethet të përafërta me Pukën, raportet nuk duhet të jenë të tilla. Kështu si rreth 22 % e buxhetit të njësive të qeverisjes vendore sigurohet nga taksat dhe tarifat vendore, ndërsa 78 % vjen nga transfertat e buxhetit të shtetit ose po të marrim si shembull komunen Qerret rezulton se ka parashikuar për vitin 2003 vetëm 78 mijë lekë të ardhura nga taksa mbi biznesin e vogël, shifër e cila është e papërfillshme për një komunë, e cila ndodhet në aksin kryesor të rrugës Shkodër-Pukë. Gjithashtu mbledhja e taksës së biznesit të vogël në shkallë rrethi lë mjaft për të dëshiruar. Kështu për periudhën Janar-Qershor 2003 janë arkëtuar 50 % e detyrimit nga kjo taksë kur në shkallë kombëtare, shifra është mbi 65 % e planit vjetor e mbledhur.

Këta shembuj flasin për punën e pamjaftueshme si të administratave vendore ashtu dhe të administratës tatimore në rrethin Pukë. Pushtetet vendore në këtë rreth duhet të ringjallin traditën e komunitetit në përpunimin e drurit, duhet që nëpërmjet politikave të tyre zhvilluese të hartojnë projekte vizionale për shfrytëzimin e atyre resurseve të cilat natyra i ka ofruar me bollëk, si pyjet, bimët medicinale, burimet ujore etj.

Të nderuar të zgjedhur dhe drejtues të pushtetit vendor në Pukë,
Ishin këto disa vlerësime dhe shqetësime që doja të ndaja me ju, duke ritheksuar se së bashku jemi përgjegjës para komunitetit në zonat urbane dhe rurale që qeverisim për zhvillimin dhe integrimin e tyre më të shpejtë. Me një angazhim tuajin më të përkushtuar dhe më të përgjegjshëm, Puka nuk do të mbetet një minierë në konservim, por një realitet plot resurse që mund të prodhojnë më shumë liri, më shumë sipërmarrje, më shumë vende pune dhe mirëqenie, më shumë siguri dhe drejtësi ligjore e sociale.

Punë të mbarë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›