E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar, Të nderuar të ftuar, Sapo kemi përfunduar analizat vjetore të punës së çdo dikasteri të ekzekutivit dhe problemet që kanë dalë më japin m

Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar,
Të nderuar të ftuar,

Sapo kemi përfunduar analizat vjetore të punës së çdo dikasteri të ekzekutivit dhe problemet që kanë dalë më japin mundësinë të reflektoj më thellë dhe në mënyrë transparente, para jush dhe publikut të gjerë, mbi rezultatet dhe mosarritjet e vitit 2003, si dhe mbi çështjet parësore dhe hapat cilësisht të rinj që qeveria duhet të ndjekë në vazhdim. Ky vlerësim publik e transparent që po bëjmë sot është bërë tashmë traditë e punës vjetore të qeverisë. Synimi i këtyre takimeve nuk është aspak propaganda, por ndarja e problemeve qeverisëse me publikun dhe sigurimi i pjesëmarrjes së tij në qeverisjen e vendit.

Viti 2003 ishte një vit shumë i pasur me ngjarje politike, të cilat konkluduan në konfirmimin e maxhorancës progresiste në pushtet me themelimin e koalicionit për Integrim. Rivlerësimi i pjesëmarrjes së partive të këtij koalicioni në qeverinë e integrimit shënoi fillimin e fazës cilësisht të re të reformave integruese. Reformat kërkojnë mbështetje publike dhe politike, pasi kostot e tyre janë për të gjithë shqiptarët, të majtë apo të djathtë qofshin ata. Procesi i Integrimit nuk është monopol i qeverive, përkundrazi ai është proces i kohabitacionit dhe i bashkimit të ideve dhe veprimeve progresiste në shërbim të së ardhmes së vendit. Nuk mund të flitet për integrim në Europë pa garantimin e integrimit të brendshëm të medimeve, ideve, veprimeve dhe kontributeve të secilit. Maxhoranca jonë progresiste bëri të mundur rivlerësimin e kontributeve të secilit, kur veproi politikisht me zgjedhjen e Presidentit të Republikës me konsensus të gjerë parlamentar. Ne rivlerësuam kontributet edhe kur filluam reforma të rëndësishme si reforma zgjedhore dhe ajo e kthimit dhe kompensimit të pronave, apo të institucioneve të rëndësishme të shtetit si SHISH, Kontrolli i Shtetit, në sistemin gjyqësor dhe në prokurori etj. Natyrisht jo gjithçka ka shkuar ashtu siç pritej, sepse procesi i kohabitacionit politik në vend stopoi në 6-mujorin e dytë të 2003, duke i hapur rrugë veprimeve kaotike politike, që shoqëruan edhe procesin elektoral të tetorit. Në vlerësimin tonë afishimi opozitar i politikës për kohabitacion ka qenë i lidhur thjesht me interesa të politikës së çastit, për ndonjë vend pune në qeveri, gjykata apo për ndonjë mandat të pamerituar. Kështu, Koalicioni për Integrim" mbetet maxhoranca më solide e mundshme për të filluar fazën e dytë të thellimit të reformave. Këtë gjë na e konfirmuan edhe zgjedhjet administrative të vjeshtës së vitit 2003, të cilat riprovuan mbi të gjitha vullnetin mbarëpopullor për reforma.

Më lejoni të konfirmoj se ekzekutivi gjatë vitit 2003 ka arritur të përmbushë shumicën e objektivave politikë, ekonomikë e socialë, të përcaktuara për këtë vit, dhe kjo ka ndikuar dukshëm në shpejtimin e progresit të gjithanshëm të vendit, si dhe ka krijuar një bazë të qëndrueshme për rezultate edhe më të shumta në të ardhmen.

Të nderuar pjemarrës,

Vitin e shkuar, Shqipëria u përfshi në një numër të konsiderueshëm angazhimesh ndërkombëtare të rëndësishme. Mbështetja për operacionin ushtarak në Irak, duke kontribuar edhe me pjesmarrjen e forcave komando në trupat e koalicionit, dhe vënia në dispozicion të tyre e porteve dhe bazave ushtarake, miratimi me unanimitet nga Parlamenti i marrëveshjes rreth artikullit 98 të Traktatit të Romës mbi krimet e luftës, pjesëmarrja aktive në strukturën e re ndërkombëtare SHBA-Karta e Adriatikut, qëndrimet e matura dhe konstruktive të vlerësuara tashmë ndaj çështjeve të sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, nënshkrimi me NATO-n i marrëveshjes për shkatërrimin e armëve të mbledhura, ftesa për të qenë pjestare dhe pjesëmarrja në grupin e 69 vendeve, që kanë rënë dakord të shkëmbejnë informacion dhe të kenë bashkëpunim institucional kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, janë vetëm disa nga angazhimet që dëshmojnë se Shqiperia tashmë është pjesë e familjes së vendeve demokratike dhe luan një rol aktiv brenda saj.

Viti 2003, ishte një vit me stabilitet të qëdrueshëm ekonomik si rezultat i mbarëvajtjes së një spektri të gjerë reformash strukturore, veçanërisht për zhvillimin e shëndetshëm të sektorit privat. Ne bëmë, hapa vendimtarë në rrugën e integrimit interaktiv me botën, veçanërisht nëpërmjet liberalizimit të tregjeve dhe privatizimit të sektorëve strategjikë, të cilat janë fusha të një përafrimi më të shpejtë me standartet evropiane. Bashkëpunimi ekonomik me vendet partnere u zgjerua, duke lidhur një sërë marrëveshjesh të tregëtisë së lirë, ku përfshihen marrëveshjet me të gjitha vendet e rajonit. Vendi ynë kontribuoi në arritjen e një progresi të dukshëm për krijimin e sistemit të njësuar energjitik midis Shqipërisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, që do të përmirësojë furnizimin e tyre me energji elektrike me anë të një shfrytëzimi më të frutshëm të burimeve natyrore të rajonit. Përfundimi i negociatave vetëm dy ditë më parë në Uashington për ndërtimin e TEC-it të ri të Vlorës, është një tjetër sukses në këtë drejtim dhe dëshmi se reforma në sektorin energjitik ka ecur me ritmet e duhura. Nga ana tjetër realizimi i privatizimit më të suksesshëm në historinë e privatizimeve shqiptare, pra i Bankës sonë të Kursimeve, duke iu shitur gjigandit Reifaizen, pas fillimit të privatizimit gjithashtu të sukseshshëm të INSIG-ut, përbëjnë një provë se edhe e ardhmja e tregut financiar dhe atij bankar që përbën një nga bazat e zhvillimit ekonomik të vendit, është në udhë të mbarë.

Këto qëndrime e arritje janë vlerësuar maksimalisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë, gjë që është shprehur qartë në një numër të madh marrëveshjesh të rëndësishme të lidhura gjatë vitit 2003.

Çelja e negociatave me Bashkimin Evropian më 31 janar 2003 me prezencën edhe të presidentit të Komisionit Europian, Romano Prodi, për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit; përfundimi i negociatave për 50 nene, ndërkohë që janë në proces 29 të tjerë nga 135 që ka në total draft marrëveshja e stabilizim asociimit; negocimi i të gjithë protokolleve dhe anekseve shtesë që shoqërojnë draft marrëveshjen; miratimi nga Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore i marrëveshjes së dytë të kredisë për zbutjen e varfërisë, në bazë të rezultateve pozitive për një numrër të shumtë kategorish ekonomike; lidhja e marrëveshjes mbi Qiejt e Hapur me ShBA, nënshkrimi i kontratës me gjigandin amerikan Lockheed-Martin për një investim prej 32 milion USD për instalimin e sistemit të kontrollit të trafikut ajror; apo lidhja e kontratës me General Electric për një investim prej 75 milion USD për ndërtimin e një rrjeti modern hekurudhor, të cilat përfaqësojnë edhe kontratat më të mëdha të lidhura ndonjëherë nga Shqipëria me kompanitë amerikane; janë disa nga këto marrëveshje. Këto konfirmojnë plotësisht arritjet e gjithanshme të vitit 2003, progresin e pakthyeshëm të demokracisë, stabilititetin politik, sukseset e reformave dhe qëndrimet e matura politike në dobi të ruajtjes së paqes e stabilitetit dhe të forcimit të partneritetit ndërkombëtar.

Tashmë ne gjendemi në kulmin e luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe korrupsionit. Kujtoj se në analizën e para një viti si dhe në programin e qeverisë, lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit si dhe lufta kundër informalitetit në ekonomi, përbënin një angazhim prioritar.

Viti 2003 shënoi një sërë arritjesh të spikatura në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë trafikun e qënieve njerëzore e drogave, dhe kundër korrupsionit, si dhe vendosi bazat për vazhdimin e qëndrueshëm e institucional të kësaj lufte. Qeveria inicioi dhe zbatoi me sukses ndryshime strukturore në principin "Drejtësi e organizuar kundër krimit të oragizuar", duke krijuar për herë të parë struktura të posaçme për të luftuar krimin e organizuar, veçanërisht krijimi i task forcave operacionale që sigurojnë përqëndrimin e koordinimit të operacioneve anti krim brenda funksioneve ligjore ekzekutive të policisë së shtetit dhe hetimore të prokurorisë. U ndërmorën një numër i madh operacionesh të suksesshme policore,disa prej të cilëve në bashkëpunim me aleatët tanë,u punua për pastrimin e rradhëve të policisë së shtetit nga elementët e korruptuar e bashkëpunetorë të krimit, duke vënë përpara drejtësisë ose larguar nga puna funksionarë të të gjitha niveleve. U goditën 77 grupe kriminale duke arrestuar 233 pjestarë të këtyre grupeve. Nga organizimi i 7 operacioneve kombëtare si pjesë të luftës ndërkombëtare antitrafik, u kapën 116 kg droga të forta dhe u godit fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike në vend, duke shkatërruar 168 295 rrënjë kanabis sativa, u sigurua rend dhe qetësi e plotë gjatë sezonit turistik të verës, zgjedhjeve lokale dhe festave të fundvitit. Është thelluar lufta kundër korrupsionit në radhët e policisë së shtetit:për shpërdorim detyre janë pezulluar 17 punonjës policie, 11 u ndoqën penalisht dhe 23 të tjerë u përjashtuan, ndërsa në total për vitin 2003 u përjashtuan nga rradhët e policisë së shtetit 333 punonjës policie. Ky aktivitet kulmoi me aksionin më të fundit "Rrjeta e hekurt" i cili po realizon goditjen e krimit të organizuar dhe të pasurisë që buron prej tij. Si pasojë e këtij aktiviteti të spikatur dhe rezultativ u arrit që Shqipëria të vlerësohet e para në rajon përsa i përket luftës kundër trafiqeve sipas vlerësimit të qendrës rajonale ndërkombëtare në Bukuresht SECI-t. Nismat ligjvënëse mbi shërbimin informativ, luftën kundër pastrimit të parave, (sot një konferencë e rëndësishme rajonale me këtë temë po mbahet në Tiranë), nisma për krijimin e gjykatës se krimeve të rënda, çuan në miratimin e ligjeve përkatëse nga parlamenti, të cilat janë në përputhje të plotë me standartet ndërkombëtare.

Programi i ri i veprimeve të qeverisë për luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar ka krijuar, gjithashtu, një koordinim mjaft të frutshëm midis policisë, doganave, taksave dhe institucioneve të tjera të shtetit ligjor. Është zgjeruar me 14 përqind baza fiskale, në favor të uljes së nivelit të taksave, presioni i shtetit ndaj evazionit fiskal është rritur, strukturat doganore i janë nënshtruar një kontrolli të rreptë e të vazhdueshëm dhe një njësi e posaçme inspektimi merret me verifikimin e deklaratave doganore. Qeveria përmirësoi kuadrin ligjor të blerjeve me fonde publike dhe përgatiti politika standarte të blerjeve, të detyrueshme për të gjitha strukturat që përdorin fonde të buxhetit të shtetit, në përputhje të plotë me standartet e Bashkimit Evropian mbi blerjet, lidhjen e kontratave dhe auditimin. Bashkëpunimi i strukturave shtetërore me biznesin u fuqizua nëpërmjet lidhjes së një vargu marrëveshjesh me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, por edhe me shoqata biznesi si ato të ndërtuesve, të mediave, etj. U miratua ligji mbi konkurrencën, i cili përcakton qartë rregulla anti-monopol dhe anti-trust për të gjitha sektorët e ekonomisë shqiptare. Bashkëpunimi i këtyre strukturave edhe me ato homologe të vendeve fqinjë, por edhe të aleatëve tanë euroatlantikë, rriti forcën goditëse dhe efikasitetin e kësaj lufte. Reforma e menaxhimit të financave publike dhe forcimi i transparencës e kontrollit ndaj pasurisë të funksionarëve publikë kanë krijuar mundësi për reduktimin e korrupsionit. Këto masa dëshmojnë për vendosmërinë e palëkundur të qeverisë për të vazhduar luftën kundër krimit, trafiqeve dhe korrupsionit dhe për të mos u tërhequr për asnjë çast përballë presionit të tyre gjithnjë në rritje.

Duke u mbështetur në çështjet më të rëndësishme të diskutuara në analizat vjetore të të gjitha hallkave të administrates shtetërore, si dhe në rezultatet e monitorimit të vazhdueshem të kryer nga Këshilli i Ministrave, mund të konsiderohet se ministritë kanë kryer një punë të vlerësueshme, duke iu përgjigjur si duhet detyrave të planifikuara me karakter teknik e strukturor dhe atyre që kanë dalë si nevojë nga situatat dhe praktikat konkrete. Qeveria miratoi gjatë vitit 2003, 650 vendime normative, 65 ligje të reja organike, 31 projektligje për ndryshime dhe përmirësime të bazës ligjore si dhe rreth 80 ratifikime dhe aderime të dokumentave ndërkombëtarë.

Megjithatë, ministritë dhe institucionet qendrore nuk kanë përmbushur të gjitha detyrat për përmirësimet e nevojshme ligjore, sepse janë miratuar vetëm rreth 85% e numrit të akteve të parashikuara, ashtu si janë paraqitur më shumë për miratim rreth 20 % të projekteve të pa programuara në matricën e projekt akteve. Kjo tregon se faza e emergjencës legjislative ka përfunduar. Tashmë ne kërkojë cilësi të lartë projektimi e programimi duke lënë pas praktikat e mungesës së vizionit për të ardhmen. Duhet të pranojmë se kemi patur vështirësi në plotësimin e detyrave ekzekutive brenda afateve të programuara, gjë e cila ka rënduar në cilësinë e hartimit të akteve, çka do të thotë se së njëjtës punë na është dashur t'i kthehemi sërish më vonë nëpërmjet ndryshimeve e amendimeve.

Nga analizat rezultoi, gjithashtu, se ka vend për një përmirësim të ndjeshëm në proceset e politikëbërjes, programimit, monitorimit e menaxhimit të përgjithshëm të detyrave të vendosura. Problemi kryesor nuk është mungesa e politikave ose strategjive të formuluara, por mbingarkesa që vjen nga shpërndarja jo e drejtë e detyrave dhe burimeve njerëzore, fragmentimet dhe mbivendosjet e strukturave, si dhe një lloj shkëputjeje, nga njëra anë, ndërmjet vetë politikave të shumta, dhe nga ana tjetër ndërmjet këtyre strategjive dhe mundësive konkrete të financimit për zbatimin e tyre.

Nga analizat doli qartë se shumica e reformave të ndërmarra kanë karakter legjislativ, ndërkohë që zbatimi me kompetencë dhe korrektësi i ligjeve progreson më ngadalë. Kështu që nevoja për vlerësimin e masës së zbatueshmërisë së produkteve të veprimtarisë qeverisëse, qofshin akte ligjore e nënligjore apo strategji e politika zhvillimi, është domosdoshmëri. Prodhimi i bollshëm i këtyre dokumentave, (kujtoj këtu se janë 11 strategji e mbi 29 programe veprimi të miratuara gjatë 2003), duhet shoqëruar me realizimet konkrete, nëpërmjet zbatimit këmbëngulës e hap pas hapi të planveprimeve përkatëse, duke vlerësuar periodikisht edhe ndikimin e tyre në jetën reale, në zhvillimin ekonomik e social.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Viti 2003 konsolidoi më tej ekonominë shqiptare, gjë që u pasqyrua qartë në treguesit bazë ekonomikë e financiarë. Zhvillimet makroekonomike ishin përgjithësisht në përputhje me parashikimet. Objektivi i rritjes ekonomike prej 6% u përmbush me sukses, inflacioni u mbajt në nivelin e 3,9%, deficiti buxhetor u ruajt brenda kufijve të parashikuar dhe rezerva valutore u rrit me 186 milion lekë, ose është në nivelin e 4.7 muajve importe. Zhvillimet sektoriale të ekonomisë, përgjithësisht, kanë qenë në nivele të kënaqshëm. Këto janë shoqëruar edhe me vazhdimin e përmirësimeve në strukturën e ekonomisë, duke çuar në ulje të peshës specifike të sektorit të bujqësisë dhe në rritje të saj për sektorët e tjerë.

Qeveria ka ndjekur në vazhdimësi ecurinë e mbledhjes së të ardhurave, duke kërkuar marrjen e masave të rrepta për të garantuar plotësimin e tyre sipas planit. Të ardhurat buxhetore gjithsej u realizuan në masën 91.8% ose rreth 11 miliardë lekë më shumë se në vitin 2002. Të ardhurat doganore u realizuan rreth 92.2% ose rreth 5 miliardë lekë më shumë se në vitin 2002. Të ardhurat nga administrata e tatimeve u realizuan rreth 96%, ose rreth 5.6 miliardë lekë më shumë se në vitin 2002. Megjithëse këto të ardhura rezultojnë shumë më të larta se ato të një viti me parë, mospërmbushja e detyrimeve të planifikuara tregon se ende nuk kemi arritur të krijojmë një administratë të aftë për t'u përballur e fituar ndaj evazionit fiskal dhe doganor. Jo plani, por përmbushja e detyrimit fiskal sipas ligjit mbetet targeti ynë në këtë fushë. Këshilli i Ministrave ka marrë një sërë masash për përmirësimin e gjendjes dhe ndjek nga afër progresin e këtyre sektorëve.

Shpenzimet publike u realizuan në masën 89%. Si rezultat i një politike të kujdesshme të menaxhimit të tyre, u bë e mundur ulja e nivelit të deficitit të brendshëm nën 3% të PBB-së. Qeveria ka bërë kujdes për mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve dhe rritjen e efektivitetit të përdorimit të tyre nëpërmjet një politike të studiuar, që ka pasur si synim rritjen e shpenzimeve për investime kapitale, veçanërisht në sektorët prioritarë si infrastrukturë, arsim, shëndetësi, politika sociale e bujqësi. Nga ana tjetër, janë vendosur raporte të përmirësuara ndërmjet shpenzimeve kapitale dhe atyre të mirëmbajtjes, në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëria dhe jetëgjatësia e projekteve infrastrukturore të realizuara. Shembull konkret janë investimet në infrastrukturën rrugore ku shpenzimet kapitale janë 50 % më të larta se një vit më parë.

Dua të tërheq vëmendjen e Këshillit të Ministrave dhe të gjithë administratës publike se në të gjitha këto rezultate nuk ka vend për vetëkënaqësi. Ato janë më të mira se vitet paraardhëse, por të pamjaftueshme krahasuar me kërkesat e një zhvillimi të shpejtë e të qëndrueshëm të vendit. Shqipëria ka nevoja jashtëzakonisht të mëdha të paplotësuara në infrastrukturë dhe në shërbimet thelbësore publike. Këto nevoja për shpenzime arrijnë çdo vit deri në rreth 20% të PBB. A jemi ne në gjendje, që me ritmet e sotme të mobilizimit fiskal, ta përballojmë këtë sfidë financiare dhe të kualifikohemi si vend i besueshëm në mjedisin bankar ndërkombëtar për të financuar zhvillimin?

Mobilizimi fiskal i Shqipërisë ne raport me PBB-ne, megjithë përmirësimet rrënjësore të viteve të fundit, mbetet rreth 1.5 deri 2 herë më i ulët se ai i shumicës së vendeve të Evropës Juglindore dhe këtu bëhet fjalë për shuma të mëdha fondesh, po të kihet parasysh se çdo 1% përmirësimi të këtij raporti i korrespondojnë rreth 50 milion dollarë në vit më shumë arkëtime në buxhetin e shtetit. Këtu ka hapsira të mëdha të pashfrytëzuara, të cilat kërkojnë një revolucion të vërtetë fiskal, duke rritur të ardhurat kryesisht nëpërmjet rritjes së bazës së tatimeve dhe jo rritjes së taksave. Kjo bëhet përfundimisht e domosdoshme po të kihet parasysh ulja drastike e të ardhurave doganore nga zbatimi i marrëveshjeve të tregëtise së lirë. Prandaj, Ministria e Financave duhet ta ndërtoje punën mbi një vizion të ri afatmesëm, i cili të ketë në themel një menaxhim të rreptë fiskal, që kufizon ekonominë informale, për t'i paraprirë nevojës eventuale që Shqipëria të kapërcejë kufirin për burimet financimit të IDA-s. Ky vizion duhet të shprehet sa më parë në një program reformimi, i cili t'i nënshtrohet një konsultimi të gjerë me të gjithë aktorët e interesit dhe me institucionet financiare ndërkombëtare që na asistojnë.

Rritja e qëndrueshme ekonomike do të mbetet prioriteti kryesor i qeverisjes edhe për këtë vit. Dua të tërheq vëmendjen e të gjithë ministrave dhe të administratës që ata drejtojnë, se këtu nuk është fjala thjesht që për vitin 2004 të garantojmë 1% më shumë rritje të PBB-së ose 1% më pak inflacion. Ne duhet të heqim dorë përfundimisht nga ky lloj kriteri vlerësimi sasior që lë mënjanë cilësinë e rritjes ekonomike dhe që nuk po na ndahet për më shumë se një dekadë. Progresi duhet kuptuar si një kompleks politikash, institucionesh dhe modelesh organizative, që nxisin zhvillimin e gjithanshëm ekonomik dhe prodhimin dhe japin rezultate konkrete, të matshme e të dukshme. Progresi duhet vlerësuar me impaktin që jep në jetën e përditshme të njerëzve, sepse vetëm rritja ekonomike nuk mund të sigurojë drejtësi sociale. Raportet midis njerëzve dhe raportet midis njeriut dhe institucioneve janë baza e shtetit social, për të cilin ne kemi marre angazhime serioze programore qeverisëse. Pas kaq vitesh të menduari në një kahje të vetme, ne duhet patjetër t'i rikonsiderojmë këto angazhime dhe të ndërmarrim reforma konkrete për përmbushjen e tyre.

E theksoj këtë sepse, megjithë rritjen e dukshme ekonomike, politikat tona për të ulur varfërinë dhe për të mbrojtur të varfërit, veçanërisht në fshat, nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme, krahasuar me një realitet, ku një numër i konsiderueshëm familjesh, që duket se është shumë më i madh se ai i deklaruar nga vlerësimet e kursyera zyrtare, jeton me burime mjaft të pakta jetese ose në varfëri të plotë.

Po theksoj veçanërisht varfërinë në fshat sepse kam vënë re një koncept tradicional tejet të gabuar në institucionet qendrore se çështja e fshatit është futur në rrugën e zgjidhjes që kur është ndarë toka dhe fshatarëve tashmë u duhet vetëm të punojnë më shumë. Kjo është e vërtetë: secilit prej nesh i duhet të punojë më shumë, por nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se shumë familje në fshat disponojnë ngastra shumë të vogla toke në raport me krahët e punës që kanë, cilësia e tokës është e ulët, nuk kanë asnjë mundësi financiare të zbatojnë teknologji të përparuara, nuk nxiten e ndihmohen të ndryshojnë strukturën e prodhimit dhe në mungesë të kooperimit të prodhimit të shkallës së gjerë, kanë mjaft kufizime për të dalë në treg me produkt cilësor e konkurues. Ky është spjegimi i fluksit të madh të emigracionit, veçanërisht atij sezonal e të brendshëm, që po kthehet në një fenomen shumë masiv e mjaft të dëmshëm për perspektivën e zhvillimit ekonomik të fshatit e të të gjithë vendit, si dhe në një burim trafiqesh të paligjshme brenda dhe jashtë vendit, trafik i cili nuk mund të ndalohet vetëm me masa policore, sado të sofistikuara dhe profesionale ato të jenë. Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, në radhë të parë, por edhe ministritë e tjera që lidhen me fshatin, duhet të fokusohen shumë më tepër se deri më sot në masa konkrete, që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik të fshatit dhe garantojnë përmirësimin e shpejtë të shërbimeve në fshat. Këto masa duhet të përmblidhen në një paketë prioritetesh afatmesme dhe afat gjata të bashkërenduara, e cila t'i paraqitet Keshillit të Ministrave brenda muajit shtator të këtij viti.

Veçanërisht kujdes duhet të bëhet për të konsideruar ndërhyrje të menjëhershme që lidhen me shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore: pyjeve, kullotave dhe zonave të mbrojtura, të cilat në mënyrë paradoksale nuk konsiderohen si burim të ardhurash për fshatin dhe po shpërdorohen, megjithëse zënë më shumë se gjysmën e siperfaqes së vendit. Ministria e Bujqesisë dhe Ushqimit duhet të ndryshojë e para konceptin tradicional mosvlerësues për këtë pasuri të çmuar. Thelbi i reformave duhet të çojë edhe në shpejtimin e transferimit tek komunat të një pjese të sipërfaqes pyjore për përdorim e menaxhim, realizimin e një reforme të thellë institucionale, që bazohet në ndarjen e funksioneve të menaxhimit e të kontrollit, duke krijuar sa më parë një inspektoriat pyjor më vehte, zgjerimin e sipërfaqes së zonave të mbrojtura dhe hartimin e planeve të menaxhimit të tyre, si dhe mënyrat e rritjes së të ardhurave të komunave nga këto pasuri natyrore. Kjo paketë reformash, së bashku me përmirësimet e nevojshme ligjore, duhet të paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave brenda muaji prill të këtij viti.

Në ekonominë e tregut modelet e konsumit dhe të prodhimit ndryshojnë me shpejtësi ekstreme dhe kërkojnë një kapacitet të madh përshtatjeje e novatorizmi. Prandaj janë të domosdoshme strukturat, institucionet, normat dhe rregullat që favorizojnë zhvillimin e sektorit privat, konkurrencën, futjen në treg të operatorëve të rinj dhe një mobilitet me të madh të forcave të punës. Nëse e lidhim me realizëm rritjen tonë ekonomike me numrin e vendeve të punës që krijohen, do të shohim se progresi nuk është edhe aq i madh sa duket dhe se ka vend që për këtë çështje të rikonsiderojmë me seriozitet të madh kufirin midis tregut dhe shtetit.

Shteti duhet të bëjë detyrën e tij dhe jo të justifikohet me tregun. Tashmë, pas 13 vitesh tranzicioni, ne nuk mund të vazhdojmë të arsyetojmë me pasojat e mbylljes së ndërmarrjeve pas vitit 1990. Sepse 13 vite janë të mjaftueshme për të ristrukturuar tregun dhe për të përshtatur forcat e punës me kërkesat e reja të tregut. Politikat e punësimit duhet të lehtësojnë dinamikën e rritjes së ekonomisë, por deri më sot ne nuk kemi vendosur ende ndonjë lidhje funksionale midis tyre. Këto politika duhet të jenë politika brenda tregut dhe jo kundër tij. Shteti duhet të luftojë për çdo vend pune, për ta favorizuar që të krijohet, për ta mbështetur që të konsolidohet, për ta nxitur që të shumohet.

Shteti duhet të luftojë për çdo vend pune, në rradhë të parë, të sektorit privat dhe jo thjesht për të shtuar vendet e punës në sektorin shtetëror, siç veprohet rëndom. Raporti aktual i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor me ata të punësuar në sektorin shtetëror është rreth 1 me 1. Në shumë rrethe të vendit ky raport vazhdon të jetë disa herë në favor të punësimit në shtet, ku dominon arsimi dhe shëndetësia. Kjo dëshmon për prapambetje të theksuar të zhvillimit të sektorit privat. Prandaj kërkohen politika të veçanta, që të nxisin zhvillimin e sektorit privat prodhues në këto zona dhe të krijojnë vende të reja pune.

Forcat e punës po segmentohen në mënyrë preokupuese. Midis atyre që kanë një punë të garantuar dhe atyre që e kanë humbur atë dhe përpiqen të kapërcejnë vështirësitë e të rifuten në punë, tashmë po konsolidohet një kategori, pothuajse e përbërë nga të rinj, që nuk u jepet ndonjë ndihmë a kujdestari që të përfshihen në tregun e punës. Ata nuk ndjejnë siguri e mbrojtje për të ardhmen. Roli i Ministrisë së Punës dheÇështjeve Sociale në këtë aspekt duhet të jetë shumë më i madh se deri tani. Ajo nuk është thjesht një ministri që llogarit e shpërndan ndihmën ekonomike apo nxit mbështetjen sociale. Strukturimi dhe zgjerimi i tregut të punës dhe vetë punësimi si pasojë janë detyra themelore të saj. Kjo do të thotë se treguesi kryesor i rezultateve për këtë ministri nuk duhet të jetë numri i reformave të ndërmarra apo i akteve ligjore të përgatitura, por numri i të punësuarve në secilin rreth. Ritmet aktuale të punësimit me ndërmjetsimin e zyrave të punës tregojnë qartë se ne kemi dështuar me zyrat e punësimit, duke i kthyer ato thjesht në mbajtëse evidencash punësimi. Prej tyre nuk gjenerojnë ide që rrisin punësimin. Prandaj, në këtë Ministri kërkohet një platformë e re pune për të gjitha çështjet që lidhen me tregun e punës. Kjo platformë të paraqitet në qeveri para mbylljes së gjysmës së parë të vitit.

Në këtë këndvështrim duhet të analizojmë edhe objektivat tona për marrëveshjet e punësimit jashtë vendit nëpërmjet thellimit të reformave për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Qeveria ka përfunduar të gjithë fazën përgatitore për fillimin e programit të veprimeve të paketës Shengen. Në vitin 2003 ne reformuam të gjithë bazën ligjore të shërbimit të Gjendjes Civile të Shtetit, hartuam dhe miratuam strategjinë e menaxhimit të kufijve, hartuam me miratuam legjislacionin bashkëkohor në fushën e transportit, kështu që tani mbetet ndërhyrja e programuar në secilën nga fushat prioritare që lidhen drejtpërdrejt me adoptimin e rregullave të lëvizjes sipas standartit të Shengenit. Në programimin e punës parashikohet që kjo paketë komplekse të plotësohet brenda këtij viti.

Ky vit që sapo kemi filluar do të jetë viti i reformave të thella të çdo sektori që siguron lëvizjen e lirë. Nuk mund të vazhdojmë të punojmë në ankthin permanent se mos na korruptohet ndonjë polic i kufirit që të lejojë ndonjë trafik e as me shqetësimin e mungesës së fondeve për sigurimin e mjeteve moderne që ndihmojnë në luftë kundër trafiqeve apo krimit të organizuar. Të gjitha këto duhen siguruar me çdo kusht, qoftë edhe duke përdorur fondet e buxhetit të varfër të shtetit. Ky është prioritet sepse lidhet me detyrimin kushtetues të shtetit për sigurimin e lëvizjes së lirë të shtetasve të tij. Në Europë nuk mund të lëvizim nëse vazhdojmë të demonstrojmë krim të organizuar apo trafiqe, nëse vazhdojmë të demonstrojmë paaftësi për të menaxhuar kufijtë shtetërore, nëse demonstrojmë përkushtim për punët më të rëndomta të Europës, në vend të vlerësimit të punës në Shqipëri.

Reforma në gjendjen civile është pa asnjë diskutim më e rëndësishmja për çdo politikëbërje të shtetit. Shteti që nuk ka të inventarizuar shtetasit nuk mund të ndërtojë politika të sukseshme. Thashë pak më parë se kemi përfunduar reformën ligjore në këtë fushë, por ende mungojnë veprimet konkrete për krijimin e database-it qëndror të regjistrit civil si dhe paisjen e shtetasve me dokumenta të standarteve europiane. Në këto kushte këtë vit duhet të plotësojmë urgjetisht atë që s'kemi mundur ta bëjmë më parë as ne e as të tjerët para nesh. Avantazhet e kësaj reforme janë të shumta. Përfundimi i saj do të thotë lista të sakta votuesish, politikë më adekuate sociale, siguri më shumë për lëvizjen e lirë, menaxhim më i mirë i territorit, si dhe arritje e një standarti bazik për lëvizjen e lirë. Kjo kërkon, mbi të gjitha, një bashkëveprim të ngushtë të institucioneve të qeverisë qendore me ato të pushtetit vendor.

Reforma për lëvizjen e lirë bëhet për tiu përshtatur politikave të emigrimit të lëvizjes së lirë të Bashkimit Evropian. Politikat e lëvizjes së lirë dhe në mënyrë të vecantë të punësimit nuk mund t'i trajtojmë në mënyrë të njëanshme. Duhet punuar me shtetet e Bashkimit Evropian për rritjen e mundësive të punësimit legal të përkohshem ose të përhershëm. Këto politika do të ndihmojnë t'i kundërvihemi emigracionit ilegal, i cili, siç e thashë më lart, nuk mund të bazohet vetëm në kontrollin e kufijve dhe punën e policisë së shtetit. Kërkohet një dialog me vendet pritëse, jo vetëm për marrëveshjet e ripranimit, që janë kusht për progresin e integrimit, por edhe për të intensifikuar programet e bashkëpunimit, për të rritur mundësitë e krijimit të më shumë vendeve të punës. Ministria e Punëve të Jashtme duhet të jetë bashkëpërgjegjëse për këto detyra, të cilat duhet të përfshihen në axhendën e përfaqësive tona jashtë shtetit, si pjesë përbërëse e treguesve për matjen e efektivitetit të punës së tyre.

Ne duhet të kemi një program shumë më aktiv për zbutjen e varfërisë dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm e të njëhershëm të rajoneve të ndryshme të vendit. Ky program duhet të udhëhiqet nga cilësitë ekonomiko-shoqërore, gjeografike e demografike të secilit rajon dhe burimet natyrore e njerëzore, si dhe nga nevojat konkrete të tij. Jo vetëm në momentin e nisjes së rrugës së ekonomisë së tregut rajonet kanë pasur zhvillim të pabarabartë, por edhe për mëse 12 vjet ato janë zhvilluar me shpejtësi të ndryshme, përgjithsisht pa ndonjë përkujdes të veçantë për rajonet e varfëra, duke përjashtuar këtu përkujdesjet propogandistike për përfitime politike. Në këtë kontekst rajonal, me tiparet dalluese të çdo rajoni, janë mundësitë për një zhvillim më efektiv. Shfrytëzimi i këtyre mundësive dhe përballja me sukses me këto sfida kërkon një qasje të koordinuar rajonale. Është momenti të reflektojmë seriozisht për këtë çështje.

Aktualisht, politikat tona të zbutjes së varfërisë janë përmbledhur në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik e Social, ku ne kemi bërë një progres të dukshëm, si në përmirësimin e përmbajtjes së dokumentit, ashtu edhe në procesin e monitorimit të zbatimit të tij. Buxheti i alokuar për sektorët që lidhen drejtpërdrejt me varfërinë është rritur nga viti në vit dhe për vitin 2004 është planifikuar të jetë rreth 10% më i lartë se në vitin 1998. Është e vërtetë se kjo është një arritje e rëndësishme, por analiza e mësipërme bën të domosdoshme që ne të kalojmë në një stad të ri në lidhje me planifikimin strategjik, duke bërë disa përmirësime thelbësore.

Nga ky këndvështrim i ri do të thoja se në këtë dokument bie në sy një nivel i pamjaftueshëm analitik, mungojnë të dhënat e plota e reale mbi shkallën e varfërisë në nivel lokal, veçanërisht në zonën rurale. Të dhënat që na janë vënë në dispozicion, nuk na japin mundësi për të kuptuar e argumentuar qartë statusin dhe dinamikën e varfërisë, sa dhe si ndikohen këto nga politikat që zbatojmë dhe nga alokimet buxhetore. Duke mos njohur e matur këtë impakt, ne ecim me një dozë të madhe subjektivizmi.

Shkalla e përparësisë të ndërhyrjeve për zbutjen e varfërisë lë, gjithashtu, për të dëshiruar. Ne duhet të heqim dorë përfundimisht nga rastet e vendimeve të rastësishme, nga lista prioritetesh të paraqitura nga çdo ministri, thuajse të parakorduara me njëra-tjetrën. Ne duhet ta përmbysim këtë llogjikë dhe të ndërtojmë një llogjikë të re. Ne duhet të mbështetemi tek treguesit prioritarë që duhet të arrijmë dhe të konsiderojmë prioritare vetëm ato ndërhyrje që ndihmojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e këtij treguesi, pavarësisht se cilës ministri i takojnë. Kjo është plotësisht e mundur të realizohet, sepse tashmë kemi arritur të përgatisim programe transparente zhvillimi në nivele kombëtare e sektoriale. Pikërisht këto programe janë baza e diskutimit mbi prioritetet.

Një dobësi tjetër themelore në politikat tona për zbutjen e varfërisë është se qeveria është fokusuar shumë deri tani në zhvillimin e sektorit publik. Në fakt, rritja ekonomike e vendit dhe zbutja e varfërisë, si në çdo shtet demokratik, lidhen në një masë edhe më të madhe me nivelin e zhvillimit të sektorit privat. Duke qënë se e ardhmja e tij varet shumë nga menaxhimi i sektorit publik, ne kemi filluar dhe jemi duke bërë një punë efektive për t'i bashkërenduar si duhet programet e qeverisjes, të reformës legjislative, politikave tregtare, zhvillimit të sektorit financiar, administrimit të taksave dhe privatizimit të shërbimeve themelore, të cilat, të gjitha së bashku, janë të domosdoshme për të thelluar luftën kundër informalitetit dhe për zhvillimin e një sektori privat efektiv. Ekziston një perceptim në komunitetin e biznesit që klima ende nuk është sa duhet mbështetëse, veçanërisht në lidhje me konkurrencën e korrupsionin. Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave, në të gjitha këto aspekte, duhet të jenë shumë më aktive se deri tani.

Të nderuar pjesëmarrës,

Zbatimi i Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik e Social varet në një masë të madhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Nëpërmjet nismave të përbashkëta rajonale ose individuale ato luajnë një rol vendimtar në përmbushjen e objektivave tona të zhvillimit. Partneriteti dhe përputhja e ndihmës së huaj me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Social ka qenë, pa mëdyshje, fusha më e vështirë e punës sonë. Mosvlerësimi sa duhet i ketij problemi, kompetencat e paqarta të strukturave shtetërore për programimin e ndihmës dhe mungesa e koordinimit, tashmë kanë rrezikun që të kthehen në tradicionale, gjë që ne nuk do ta lejojmë më tej.

Si rezultat, nuk është arritur të sigurohen raporte të arsyeshme e të balancuara midis mbështetjes për zhvillimin e demokracisë dhe të institucioneve të saj me përmirësimin e qeverisjes në mbështetjen e drejtpërdrejtë për zbutjen e varfërisë. Nuk është arritur të sigurohen raporte të arsyeshme midis mbështetjes me asistencë teknike dhe mbështetjes me programe zhvillimi. Nuk është arritur të sigurohet një shpërndarje e arsyeshme e pranisë së donatorëve në rajone të ndryshme të vendit dhe aktualisht ka rajone të mbipopulluara me programe donatorësh, që shpesh punojnë për të njëjtën gjë, ndërkohë që në disa rrethe pothuajse nuk ka fare prani programesh të tilla. Nuk është arritur të sigurohet një monitorim i përbashkët i programeve dhe një kërkesë korrekte llogarie e ndërsjellë mbi mosrealizimet si dhe transparencë mbi eficiencën e programeve. Nuk është arritur të sigurohen raporte të arsyeshme midis mbështetjes së administratës qendrore dhe asaj lokale. Edhe në nivel lokal ka mbipopullim me donatorë të disa bashkive dhe pothuajse nuk punohet në nivel këshillash qarku dhe aq me pak në nivel komunash.

Kjo tregon se ne nuk e kemi definuar vetëm në pozicionin që na takon. Në se nuk ka koordinim të ndihmës së huaj, kjo është, përveç të tjerash, edhe dobësi e jona. Ne duhet të kërkojmë dhe të punojmë që donatorët të veprojnë sëbashku. Ne duhet të përpiqemi që ata të harmonizojnë politikat e tyre të ndihmës me nevojat tona priopritare. Ne duhet të këmbëngulim për transparencën mbi programet. Ky harmonizim do të reduktojë mbivendosjet dhe përsëritjet që kanë filluar të vihen re midis programeve të donatorëve të ndryshëm, por, fatkeqësisht, kohët e fundit, edhe midis projekteve paralele brenda programeve të të njëjtit donator. Prandaj kërkoj që çdo ministër të jetë përgjegjësi kryesor për programet e ndihmës së huaj të sektorëve që ka në varësi dhe të merret drejtpërdrejt me forcimin e strukturave përkatëse në ministrinë e tij. Brenda muajit prill të këtij viti, secila ministri të analizojë çdo program të ndihmës, përputhjen e tij me prioritetet e zhvillimit dhe ecurinë e zbatimit, të identifikojë problemet që lidhen me strukturat tona menaxhuese e zbatuese dhe të marrë të gjitha masat e duhura për përmirësimin e gjendjes. Për programet që zbatohen në nivel lokal, ministritë të kërkojnë edhe bashkëpunimin e strukturave të pushtetit vendor. Brenda muajit qershor të këtij viti, në bazë të një raporti të përbashkët të Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave, Këshilli i Ministrave do të marrë të gjitha vendimet e duhura për përmirësimin e punës së strukturave që merren me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Social dhe me koordinimin e ndihmës.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Përmirësimet rrënjësore të mësipërme janë të lidhura ngushtë me kapacitetet tona institucionale, forcimi i të cilave është një çështje komplekse, që ndikohet nga shumë faktorë. Unë dua të veçoj nevojën e madhe që kemi në administratën tonë publike për shndërrimin e njohurive në kapacitete reale pune, gjë që kërkon motivim të veçantë për t'u arritur. Mungesa e motivimit është shprehur zakonisht në cilësinë e ulët të punës, lëvizjet e stafeve, largimet për punë të paguara më mirë, si dhe në tendencën e lëvizjes së punonjësve e sidomos drejtuesve në ndikimin e frekuencës së ndryshimeve qeveritare. Motivimi është një çeshtje shumë më e thellë se sa paga dhe në mënyrë të pashmangshme na rikthen në analizën e reformës së shërbimit civil, i cili është baza e modernizimit të administratës publike.

Nuk ka dyshim që në administratën publike ne kemi arritur të bëjmë 2-3 vitet e fundit më shumë se është bërë gjatë gjithë dhjetëvjeçarit të kaluar. Por, në këndvështrimin e analizës së mësipërme, ne matemi me objektiva shumë më ambicioze.

Ritmet e shtrirjes së shërbimit civil në të gjithë administratën publike janë rritur pas vendimit të marrë nga qeveria për shtrirjen e frymës së ligjit të shërbimit civil në emërimet e punonjësve të admisnitratës. Sidoqoftë ende kërkohen ndërhyrje të vendosura nga ana jonë. Deri më sot ky shërbim është shtrirë në një pjesë të administratës qëndrore, të administratës së bashkive dhe të qarqeve, si dhe në disa struktura të tjera të pavarura. Nga pikpamja sasiore, këta përfaqësojnë ende rreth 1/10 e administratës publike.

Rritja e profesionalizmit të nëpunësve civilë nëpërmjet përmirësimit të procesit të konkurimit real, transparent, profesional dhe të bazuar në meritat e kandidatëve është, gjithshtu, shumë e ngadaltë. Sistemi i testimit për çdo vend pune ka rezultuar me kosto të lartë, me kohëzgjatje që nuk i përgjigjet dinamikës së kërkesave të administratës publike, mjaft i copëzuar dhe që nuk favorizon konkurrencën reale. Administrata publike nuk mund të presë 4 muaj për të plotësuar një vend pune. Përzgjedhja nga titullari ndërmjet 3 kandidatëve me renditje më të mirë ka rezultuar subjektive. Marrja në punë me kontrata të përkohëshme nga vetë ministritë, duke dëmtuar konkurrencën, është kthyer, gjithashtu, në një rregull të pashkruar. Kështu, gjatë vitit 2003 janë rekrutuar me procedura konkurrence rreth 270 nëpunës gjithësej, por njëkohësisht nga vete ministritë ka të raportuara rreth 100 vende pune me kontrata të përkohëshme.

Forcimi i kapacitetit institucional lidhet ngushtë, gjithashtu, me qëndrueshmërinë e strukturave të institucioneve, të cilat kanë filluar të përdoren nga disa ministra si justifikim për të lëvizur nga vendet e punës punonjësit me statusin e nëpunësit civil. Megjithëse këto raste nuk janë të shumta në numër, ato dëmtojnë rëndë imazhin e shërbimit civil, prandaj duhet ndaluar menjëherë praktika e lëvizjeve të pakontrolluara të stafit brenda institucioneve të komanduara nga ministrat.

Shembujt e mësipërm tregojnë qartë se reforma e shërbimit civil nuk është vlerësuar siç duhet nga ministrat dhe konsiderohet jo si reformë e çdo ministrie, por si një punë që i takon vetëm Departamentit të Administratës Publike. Procesi i përzgjedhjes dhe procedurat e konkurimit kanë nevojë për përmirësime rrënjësore. Duhet kaluar urgjentisht në shpallje të njësuara në bazë profesioni, të cilat rrisin fshehtësinë e përzgjedhjes, si dhe në përzgjedhje të drejtpërdrejtë e të detyrueshme sipas renditjes së bërë, pavarësisht vendit të punës, që do të plotësohet. Të gjitha këto duhet të gjejnë pasqyrim me urgjencë në amendimet e nevojshme që i duhen bërë ligjit mbi shërbimin civil. Funksioni i mbrojtjes së administratës publike nga diferencimet politike, për të cilin u miratua edhe ligji aktual, tani mund të konsiderohet i tejkaluar. Na duhet një ligj me një fushë veprimi më të gjerë, i cili garanton një kthesë të shpejtë sasiore e cilësore. Ne duhet të marrim të gjitha masat, që, duke shfrytëzuar edhe ekspertizën e huaj, të paraqesim këto amendime të ligjit për miratim brenda muajit maj të këtij viti, pasi t'ja nënshtrojmë një diskutimi të gjërë me punonjësit e administratës publike dhe me qarqet akademike.

Në stadin e tanishëm të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit, forcimi i kapaciteteve lidhet ngushtë edhe me rishikimin e rolit të shtetit dhe pasqyrimin e këtij roli në organizimin funksional e strukturor të institucioneve. E them këtë sepse, pavarësisht se shteti ka hequr dorë nga disa funksione, institucione të caktuara vazhdojnë të ekzistojnë brenda strukturave shtetërore dhe të shpenzojnë burimet financiare të shtetit. Gjate vitit 2003, ne kemi bërë disa hapa thelbësore në këtë drejtim, duke rishikuar funksionet e institucioneve qendrore dhe reduktuar strukturat në varësi të drejtpërdrejt nga Këshilli i Ministrave, duke përmbushur kështu edhe objektivin që përcaktuam në analizën vjetore të një viti më parë. Megjithatë, ne vazhdojmë të kemi mbivendosje funksionesh në një rrjet të stërmadh institucional, sistemi i koordinimit dhe komunikimit administrativ dhe politik mbetet i pazhvilluar, aq sa shpesh herë institucionet apo njësitë brenda tyre paraqiten si ishuj të izoluar brenda administratës shtetërore. Prandaj tani duhet të përqëndrohemi në përcaktimin e misioneve të qarta, pra edhe të strukturave, veçanërisht në ministri të tilla si ajo e Ekonomisë, Financave, Punëve të Jashtme, Integrimit, dhe rishikuar disa fuksione të tyre, që lidhen me ministritë sektoriale. Duhet të finalizohet, gjithashtu, brenda muajit mars, procesi i filluar i kalimit në varësi të ministrive të 6 institucioneve, që sot janë në varësi të Këshillit të Ministrave dhe brenda muajit qershor, të përfundohet studimi dhe të përcaktohen masat që duhen marrë për rreth 40 institucione të tjera, që aktualisht janë në varësi të ministrive, por funksionet e tyre nuk përqasen me rolin e sotëm të shtetit.

Krahas këtyre masave, gjatë këtij viti, duhet të finalizojmë kategorizimin në ministritë e linjës për specialistët dhe pergjegjësit e sektorit dhe të vëmë në zbatim sistemin e ri të pagave të kategorizuara. Të përgatisim dhe të fillojmë të zbatojmë një strategji trainimi të punonjësve të administratës publike. Të përgatisim e të zbatojmë, gjithashtu, një program të hollësishëm për forcimin e kapaciteteve trainuese, duke marrë të gjitha masat e duhura administrative e buxhetore për rritjen e eficiencës se Institutit të Trainimit që kemi ngritur dhe për kthimin e tij në një qendër dokumentimi të përvojave të shërbimit civil dhe në një qendër informimi mbi zhvillimet në administratën publike.

Krahas kësaj, ne duhet ti rikthehemi çështjes së forcimit të arsimit universitar sepse, nën pretekstin e autonomise se universiteteve, kemi filluar ta lëmë këtë sektor të rëndësishëm jashtë vëmendjes së shtetit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim të ngushtë me rektoratet, duhet të përgatisë brenda muajit qershor, një program afatmesëm për të mbështetur forcimin e universiteteve dhe për të nxitur dëshirën e të rinjve për të studjuar brenda vendit. Kjo është në rradhë të parë një çështje jetike për rritjen e cilësisë së përgatitjes së kuadrove dhe frenimin e largimit të trurit, por është, gjithashtu, një çështje shumë e rëndësishme ekonomike, për shkak të numrit gjithnjë e më të madh studentëve, që studjojnë jashtë vendit. Nga ana tjetër krijimi i strukturave thithëse edhe në administratë i atij grupimi të madh të rinjsh që kanë studjuar gjatë këtyre viteve të demokracisë jashtë shtetit, ka ardhur koha që të merret në konsideratë seriozisht nga ana e ministrive dhe institucioneve publike. Dukuria e mbylljes përballë kësaj prurjeje që do t'i jepte një stimë të re punëve duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Për këtë arsye kërkoj që nga Ministri i Shtetit për koordinimin, brenda muajit qershor të kemi një strategji të qartë se si ky kapacitet i vyer mund të vihet në funksion të rritjes së efektivitetit të strukturave tona.

Në fokusin e vitit 2003, kanë qenë edhe disa ndërhyrje të rëndësishme në përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Natyrisht ne nuk duam të fshihemi pas kompetencave strikte ligjore, të cilat shumësyresh dëshmojnë për një pavarësi totale nga ekzekutivi. Sidoqoftë ne jemi ata që votohemi nga publiku, pavarësisht se nuk është detyra jonë të japim drejtësi. Qeveritë janë thjesht palë ndërgjyqëse para gjykatave dhe realizojnë presionin pozitiv ndaj tyre në emër të interesave të gjera të publikut. Gjithsesi, në bazë të detyrimit kushtetues të menaxhimit të jetës në vend, qeveria ka ndihmuar prokurorinë dhe gjyqësorin me bazë më të mirë ligjore, me mbështetje më të madhe financiare dhe politike si dhe me strukturim më të mirë, si psh me krijimin e Gjykatave dhe Prokurosisë së Krimeve të Rënda, si dhe të sistemit të pagave në gjyqësor.

Në mënyrë të vecantë krijimi i Gjykatave të Krimeve të Rënda, si dhe reformimi i sistemit të pagave në gjyqësor, mbeten dy ngjarjet më të rëndësishme për vitin 2003, përsa i takon reformave të bëra. Përsa i takon veprimit të drejtësisë së organizaur kundër krimit të organizuar, ai lë shumë për të dëshiruar. Drejtësia e vendimeve gjyqësore është ende një makth i qytetarëve dhe institucioneve, ndonëse viti që sapo kaluam ka qene viti më i mirë përsa i takon zbatimit të vendimeve gjyqësore. Kjo sigurisht ka rritur besimin e njerëzve tek gjykatat, por ende jo tek drejtësia. Për pasojë, rruga për vetgjyqësi është ende e hapur dhe krimi që buron prej saj është shumë i rëndë.

Marrëdhëniet me Prokurorinë e shtetit, gjatë vitit 2003 kanë qenë më të mirat ndër vite. Nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ekzekutivit me prokurorinë kanë ndihmuar së tepërmi hetimin penal si dhe zbulimin e shumë veprave penale të pazbuluara më parë. Rezultatet e deritanishme sidomos ato antitrafik, dëshmojnë se bashkëveprimi është gjithmonë i dobishëm.

Qeveria i konsideron reformat në drejtësi jo si monopol të saj, apo i ndonjë institucioni tjetër kushtetues. Ato synojnë në ruajtjen dhe pasurimin e traditës dhe mendësive pozitive të jurisdrudencës shqiptare, si dhe përshtatjen e standarteve të provuara më parë në botë për ndëshimin e kriminelëve që kryejnë krime të rënda. Kjo kërkon pashmangshmërisht aktivizimin e debatit juridik dhe shfaqjen më të shpeshtë të mendimit juridik në institucione dhe në publik. Me mendësinë se dijet e shkollës janë të mjaftueshme për të qënë profesionist i jurisprudencës, nuk mund të reformohet në nivele bashkëkohore drejtësia. Aty ku nuk fiton drejtësia, menjëherë ndërhyn politika e cila nuk bën gjë tjetër por veçse shton konfuzionin.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Megjithëse shumë prej objektivave që përcaktuam një vit më parë i kemi arritur, megjithse reformat e ndërmarra kanë synuar të prekin dhe kurrojnë probleme të bazës së qeverisjes, ne nuk mund të themi se kemi mundur ta përmirësojmë tërësisht qeverisjen. Ngritja e një sistemi qeverisës eficient është një realitet kompleks dhe që kërkon pjesëmarrje të gjerë dje efektive. Tek ne reformat e sektorëve të ndryshëm progresojnë me shpejtesi të ndryshme. Këtyre u është shtuar vitet e fundit edhe decentralizimi i shpejtë. Si rrjedhim, shteti ka aktualisht një arkitekturë qeverisëse vende-vende ende të çoroditur, të përbërë nga institucione qëndrore, rajonale, lokale, dhe qëndrore në nivel lokal, që është ndërtuar përgjithësisht e pambështetur në kritere të njësuara. Kjo në të vërtetë është pamja e jashme e çdo shteti demokratik, por koordinimi i punës mes këtyre pushteteve dhe sektorëve, mbetet ende një problem për ne. Disa ministri e mbështesin punën e tyre në nivel rajoni, disa në nivel rrethi, disa të tjera kanë në nivel vendor struktura, që mbulojnë territore, të cilat nuk i përgjigjen kufinjve administrativë të rretheve ose qarqeve. Kjo ka bërë që të përballemi me një konfuzion strukturash e kompetencash të pastandartizuara. Forma dhe funksionet e këtyre strukturave ende nuk janë në nivelin e vizionit dhe të ambicjeve që ne kemi.

Gjate vitit 2003 u bënë disa hapa thelbësorë e shumë të sukseseshme për fuqizimin e pushtetit vendor dhe decentralizimin e përgjegjësive, gjë që dëshmoi qartë vullnetin tonë politik për të thelluar reformën e decentralizimit, për forcimin e bashkëpunimit të pushtetit qendror me atë vendor dhe për një vizion të qartë të Ministrisë së Pushtetit Vendor e Decentralizimit. Ky ishte dhe viti i parë i aplikimit të ndryshimit të mënyrës së mbledhjes së të ardhurave lokale, që dha rezultat për bashkitë e mëdha, të cilat rezultuan me një tejkalim deri në 20%. Të sukseseshme rezultuan edhe transferimi i funksioneve të veta, që lidhen me planifikimin urban dhe menaxhimin e tokës, duke bërë efektive ushtrimin e funksioneve në përputhje me ndryshimet ligjore për lejet e sheshet e ndërtimit, si dhe krijimin e hapësirave për ngritjen e Këshillave të Rregullimit të Territorit në çdo njësi vendore. Ndërkohë, nuk realizuam detyrat për funksionet që lidhen me furnizimin me ujë dhe kanalizimet. Transferimi i ujësjellsave tek organet e qeverisjes vendore nuk u arrit, megjithëse përfundoi inventarizimi për të 53 ujësjellsat dhe po jepen fonde për t'i cliruar ato nga borxhet që i kanë shtetit. Nuk u bë, gjithashtu, transferimi i rrugëve urbane për administrim nga bashkitë.

Ne duhet të njësojmë urgjentisht kuptimin mbi decentralizimin si një proces ndryshimesh komplekse dhe jo thjesht si transferim kompetencash. Ne duhet të kemi një mendim të përbashkët mbi çfarë do të transferojmë dhe rrugën se si do ta realizojmë këtë transferim. E them këtë sepse ministritë sektoriale, të kapura fort pas slloganit të decentralizimit, kanë paqartësi serioze dhe mendime e masa të pakoordinuara për zgjidhjet konkrete që ofrojnë, aq sa në disa raste shkojnë shumë larg duke mos pasur parasysh kapacitetet menaxheraiale e në disa raste të tjera vetëm bëjnë sikur decentralizojnë. Ne duhet të ndalojmë menjëherë garën e transferimit të njëanshëm të kompetencave nga ministritë tek organet e pushtetit vendor, për aq kohë sa ministritë sektoriale nuk kanë kuptuar siç duhet se çdo hap duhet të jetë i rakorduar mirë me vetë pushtetin vendor dhe kapacitetet e tij. Ministri nuk mund të vendosë në mënyrë të njëanshme për të transferuar një kompetencë pa diskutuar hollësisht me atë që do ta marrë dhe zbatojë këtë kompetencë. Shembulli më tipik i mënyrës se si nuk duhen transferuar kompetencat është projektligji për strehimin, i cili është kundërshtuar nga pushteti vendor sepse ja kalon këtë përgjegjësi bashkive, kur ato nuk kanë as fonde dhe as politika strehimi.

Ministritë e linjës, në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit dhe Shoqatat e Pushtetit Vendor të përcaktojnë listën e përgjegjësive që do të transferohen dhe detyrimet që duhet të përmbushen nga secila palë. Këtu të mbahet parasysh se funksioni i ministrive do të jetë përcaktimi i politikave dhe i kritereve për zbatimin e tyre, dhe se do të jetë pushteti vendor ai, që, në bazë të këtyre kritereve, duhet të marrë vendime konkrete. Në këtë kuptim, nuk ka pse, për shembull, numrin e taksive të nevojshme për një bashki apo çmimin e një bilete autobuzi ta vendosë Ministria e Transporteve. Kjo duhet të përcaktojë standartet dhe vendimet konkrete mund t'i marrë fare mirë Këshilli Bashkiak.

Deshiroj të ndalem, gjithashtu, posaçërisht në problemet urbane, të cilat vijnë duke u ndërlikuar, ndërkohë që perpjekjet për zgjidhjen ligjore të tyre kanë mbetur në mes. Tashmë edhe me skeptikët e kanë kuptuar se ne nuk mund të vazhdojmë më me amendamente të ligjit ekzistues të urbanistikës, por duhet ta reformojmë plotësisht këtë sektor, duke përgatitur sa më parë ligjin e ri, i cili duhet të marrë në konsideratë përvojën e madhe institucionale dhe të grupeve të interesit, të akumuluar gjatë gjithë kësaj etape të zhvillimit të shfrenuar urban. Kjo konsiderohet si një sfidë e jona për vitin 2004.

Ne duhet të reformojmë funksionet e policisë bashkiake duke i dhënë asaj një rol shumë më të gjerë nga sa ajo ka deri tani. Për këtë duhet të fillojmë me transferimin e funksioneve të policisë ndërtimore, në mënyrë që me problematikën e ndërtimeve pa leje të merret policia bashkiake, dhe policinë e ndërtimit ta kthejmë në një inspektoriat shtetëror të urbanistikës. Kjo do të krijojë mundësitë, së paku në bashkitë kryesore, që policia bashkiake të marrë funksionet e parandalimit dhe të bllokimit të ndërtimeve pa leje. Kjo do të plotësojë, gjithashtu, boshllëkun ekzistues të funksioneve të kontrollit të cilësisë së ndërtimeve dhe të përmbushjes prej tyre të disa parametrave thelbesore, të përcaktuara qartë në legjislacionin ekzistues të ndërtimit, por të pakontrolluara nga shteti.

Ne duhet përfundimisht të zgjidhim problemin e legalizimeve, për ti dhënë fund njëherë e mirë si demagogjisë ashtu edhe instrumentalizimit politik të kësaj çështjeje, por edhe sepse çdo vonesë po shoqërohet nga investime të shumta pa leje, të cilat vazhdojnë të rrisin koston e legalizimit. Prandaj, brenda muajit mars të këtij viti, të përfundojmë një ligj të posaçëm për legalizimin, ku të përfshijmë në bllok të gjitha zonat që përmbushin parametrat dhe kanë karakteristika të njëjta. Kjo detyrë është plotësisht e mundur të realizohet, sepse tani e njohim mirë problematikën dhe i dimë parametrat ku duhet të bazohet ligji.

Ka ardhur koha, gjithashtu, që shteti të luajë një rol rregullator për strehimin, në kushtet kur çmimet e banesave në tregun privat janë mjaft të larta, krahasuar me koston e ndërtimit. Për ta lehtësuar tregun, organet e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me Ministrinë e Rregullimit të Territorit e Turizmit dhe Entin e Banesave, të shikojnë mundësitë për ndërtime banesash me fonde publike për të ndihmuar familjet në nevojë dhe për të ndërhyrë si rregullator në tregun e banesave. Të përcaktohen, gjithashtu, politika nxitëse për sektorin privat, në lidhje me krijimin e zonave të reja urbane dhe ekonomizimin e truallit. Për këtë qëllim, Ministria e Rregullimit të Territorit e Turizmit të paraqesë brenda muajit qershor të këtij viti bazën ligjore përkatëse.

Çështja e fuqizimit të pushtetit vendor lidhet ngushtë edhe me nismën tonë për të ndërmarrë reformën e ndarjes territoriale administrative të vendit, si fillim për njësite vendore të nivelit të parë. Reforma territoriale tashmë është një domosdoshmëri për t'i hapur rrugë thellimit të decentralizimit dhe përmirësimit rrënjësor të cilësisë së shërbimeve për komunitetet, veçanërisht për zonën rurale. Këshilli i Ministrave është i vendosur që gjatë këtij viti të realizojë të gjitha hapat e duhura ligjore e institucionale për të filluar zbatimin e kësaj reforme. Kjo lidhet me nevojën urgjente të optimizimit të raportit popullsi/territor, me të ardhura më proporcionale të rajoneve të ndryshme të vendit, me thellësinë e autonomisë fiskale të tyre, me rritjen e aftësisë për investime, me eficiencën e shpenzimeve administrative, me koston e shërbimeve për frymë dhe me heqjen dorë perfundimisht nga ndarja e fondeve të buxhetit, veçanërisht të shëndetësisë dhe arsimit, bazuar në kritere, që nuk përputhen plotësisht as me situatën e sotme demografike dhe me nevojat reale, por veçanërisht që nuk marrin parasysh zhvillimet e brendshme migratore. Kjo lidhet, gjithashtu, me nevojën e përshtatjes së kësaj ndarjeje me kriteret e Bashkimit Evropian, për t'i paraprirë kërkesave të ardhëshme të procesit të integrimit. Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit duhet të paraqesë sa më parë paketën ligjore përkatëse, duke marrë në konsideratë të gjitha mendimet që janë dhënë gjatë procesit të gjerë të konsultimit me aktorët e interesit. Kjo paketë duhet të jetë e tillë që të pranojë mundësinë e rishikimit ne vazhdim te ndarjes territoriale administrative të njësive vendore të nivelit të dytë, sipas kritereve të Bashkimit Evropian.

Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar,
Të nderuar të ftuar,

Kur para disa javësh ne formuam Koalicionin për Integrim me pjesëmarrjen e disa Partive të spektrit të majtë deri tek të qendrës së djathtë, ne dëshmuam se realisht tashmë Shqipëria ndodhet në një stad të ri të rrugës së saj drejt integrimit europian, ne dëshmuam se koalicioni i quajtur "Koalicioni për Shtetin", i krijuar në vitin 1997 e kishte kryer me sukses misionin e vet dhe se procesi i reformave, i harmonizuar plotësisht me procesin e integrimit tashmë futet përfundimisht në një stad të ri. Vizita ime e para disa ditëve në Bruksel, takimet e nivelit të lartë si dhe raundi i radhës i negociatave me BE-në, dëshmuan edhe një herë se ecuria jonë në këtë proces integrimi në strukturat euroatlantike tashmë jo vetëm është përfundimisht e pakthyeshme, por është në rrugë të mbarë. Tërësia e reformave që kemi marë përsipër kërkon qartësisht angazhimin e të gjithë aktorëve të një jetë normale demokratike, të shoqërisë civile dhe të aktorëve të tjerë të progresit. Këto reforma kërkojnë saktësisht që edhe opozita të marrë përgjegjësitë e veta, ato përgjegjësi që asaj i takojnë në çdo shtet demokratik. Fakti që kjo opozitë i është kthyer gjuhës së vjetër të konfliktualitetit absurd tradicional, nuk do të jetë kurrë një shkak që ne të ulim ritmin e reformave si dhe kërkesat tona konsistente për të përmbushur standartet demokratike të jetës së vendit që garantojnë liritë dhe të drejtat për cilindo shqiptar.

Ju faleminderit të gjithëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›