E Diel, 1 Nëntor 2026

Të nderuar punonjës dhe drejtues të Shërbimit Informativ të Shtetit, Përveç detyrës për të menaxhuar fillimin e takimit me ju, nuk kam thjesht detyrimin për të folur, por kam të njëjt

Të nderuar punonjës dhe drejtues të Shërbimit Informativ të Shtetit,

Përveç detyrës për të menaxhuar fillimin e takimit me ju, nuk kam thjesht detyrimin për të folur, por kam të njëjtin vullnet që na bashkon dhe që shpreh edhe padurimin e përgjithshëm të qytetarëve, të partnerëve, për më shumë rezultat në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit dhe abuzimit me të drejtën shtetërore administrative, me të drejtën private në tregun formal, veçanërisht në veprimtari ekonomike informale, që ul nivelin e përgjithshëm të funksionimit të administrimit publik në vend dhe krijon prapambetje apo vonesa në sigurimin e kënaqshëm të plotësimit të detyrimeve ligjore për të gjitha institucionet, si edhe për ju si institucion i pavarur kushtetues me mision dhe funksione që nuk i merr dot askush tjetër.

Jam këtu për shkak të atributeve të Kryeministrit që, sipas ligjit ka në varësi Shërbimin Informativ Shtetëror dhe të atributit të drejtimit, kontrollit, koordinimit të veprimtarisë së këtyre institucioneve. Jam këtu edhe si Kryeministër, që këtë detyrë te vazhdoj ta bëj në tryeza intitucionale, ku drejtuesit e shërbimit, të policisë së shtetit, të Prokurorisë së Përgjithshme, të shërbimeve të tjera të specializuara të ushtrisë, të doganave, të fiskut, në partneritet me gjyqësorin, shqyrtojnë hapsirat dhe mangësitë e koordinimit ndërinstitucional të veprimeve për të goditur dobësitë e shoqërisë apo të institucioneve dhe për të pakësuar rreziqet ndaj shtetasve dhe ndaj shtetit që vijnë nga krimi i organizuar, terrorizmi në rastin më të keq, paraindustria e trafiqeve, të ndërpresin veprimin e paligjshëm të cilitdo, rreziqe që cënojnë edhe sigurinë kombëtare, përveç sigurisë së shtetasve në ushtrim të lirive dhe të drejtave themelore, sipas ligjit.

Jam sot këtu me padurimin për të diskutuar sëbashku me ju hapësirën për më shumë rezultat, për një performancë më të qëndrueshme në plotësim të detyrës suaj ligjore ndaj vendit dhe ndaj institucioneve të tjera. Për këtë arsye nuk mund të mos pres me maturi edhe vlerësimet e ecurisë suaj pozitive, që sapo vuri në dukje Z.Hysenaj, veçanërisht të lidhura me faktin se në 18 muajt e fundit, që kur është ndryshuar fryma dhe përbërja e ekipit drejtues të shërbimit, janë realizuar plotësisht çpolitizimi i këtij institucioni. Ky është një fakt që duhet të qetësojë dhe publikun që askush, personalisht apo me strukturë legale a të kamufluar nga ky institucion nuk i shërben më politikës së ditës, apo interesave politike konfliktuale të ndonjë pale.

Besoj se kjo fazë e parë e reformës, e shoqëruar me përmirësime në kuadrin ligjor që normon punën dhe funksionin tuaj me strukturime që duhet të vazhdojnë dhe në përmirësim të administrimit të fondeve, burimeve njerëzore dhe me krijimin e një kuadri më profesional bashkëpunimi midis hallkave të vet SHISH, midis SHISH dhe Shërbimeve partnere, si dhe me agjensitë e tjera të specializuara të shtetit që luftojnë krimin, forcojnë sigurinë apo garantojnë të drejtën, na jep mundësinë të hyjmë vrullshëm në fazën e dytë të reformës.

Ajo ç'ka kemi realizuar në pjesën e parë të reformimit të shërbimit ka sjellë efekte pozitive në organizimin dhe krijimin e fleksibilitetit ligjor të veprimtarisë së punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror që nga përmirësimi i karakterit profesional të informimit, deri tek rritja e aftësisë konkurruese në bashkëpunim apo ushtrim presioni pozitiv ligjor ndaj policisë së shtetit apo organeve të drejtësisë.
Në mënyrë të veçantë dua të vlerësoj edhe publikisht punët shumë serioze dhe efikase që vazhdoni të bëni në luftë kundër terrorizmit, ku informacioni dhe funksionaliteti në mënyrë veprues i strukturave tuaja ka qenë i pazëvendësueshëm dhe i vlefshëm për të parandaluar vepra terroriste me pasojat e tyre, që kanë synuar edhe Shqipërinë edhe jetën civile të saj dhe instituconeve, për shkaqe të njohura të përfshirjes me vullnet gjithpërfshirës politik kombëtar të vendit, në luftën globale kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe pjesëmarrjes sonë aktive në koalicione dhe organizata shumëpalëshe apo programe biletarale bashkëpunimi kundër terrorizmit.

Nuk mundem, gjithashtu, të mos vë në dukje publikisht përmirësimin e kontributit tuaj me pjesëmarrje aktive dhe që po profesionalizohet me veprime operacionale, që i bashkojnë si segmente të Task Forca-ve ligjore që kapin personat e kërkuar, shkatërrojnë grupet kriminale në vend dhe evidentojnë dhe nisin për gjykim dhe ndëshkim zyrtarët e korruptuar.

Faza e parë e reformave konsiderohet e mbyllur me miratimin e paketës ligjore që lidhet me shërbimin, ligjin e interceptimeve dhe me konkluzione të cilat po arrini edhe në përfundim të kësaj analize për ristrukturime të tjera të nevojshme. Ka ardhur koha që shërbimi dhe vetë reforma e tij të kalojë në një fazë cilësisht të re, për ta bërë shërbimin më funksional, më të zhdërvjelltë, më ndërveprues dhe interaktiv me të tjerët, me më shumë kapacitete profesionale dhe me më shumë efekt në shërbim të sigurisë kombëtare e të rendit kushtetues në vend.

Ashtu siç shfaq dhe tragjedia e fundit në det, dobësitë e sistemit të menaxhimit të kufijve apo të punës suaj parandaluese, nëpërmjet informimit dhe bashkëveprimit me shërbimet e tjera të shtetit ligjor, ashtu siç ka zona dhe komunitete të ndryshme të vendit, ngadalësinë e lëvizjes për zhvillim dhe integrim në kushtet e varfërisë së skajshme, siç shfaqin një terren të përshtatshëm për trafikantët dhe krimin e organizuar që e kanë më të përshtatshëm të veprojnë në kushte pasigurie ekonomike dhe sociale në territore dhe komunitete, ku treguesit e mungesës së resurseve ekonomike të programuar apo të një veprimtarie ekonomike të garantuar, pra edhe të sigurisë sociale, janë më të dobët, ashtu dhe ju duhet të përfshiheni me më shumë përgjegjësi me kontribute profesionale dhe ligjore në bashkërendimin e veprimeve për të thelluar ndryshimin, transformimin, goditjen ligjore, efikasitetin e strukturës dhe të koordinimit të veprimit me institucione apo agjenci të tjera që janë të detyruara të bashkëpunojnë në të gjithë territorin jo vetëm në Tiranë apo në qendër të saj për të identifikuar, parandaluar, çrrënjosur, neutralizuar dhe zhdukur rrjete të krimit të organizuar, shtabet e trafiqeve, qendrat e rekrutimit si dhe burimet njerëzore që vihen në shërbim të krimit të organizuar, trafiqeve të qenieve njerëzore apo të lëndëve të rrezikshme, që kërkojnë mbrojtje edhe tek veprimtari të tjera shoqërore apo institucione të fushave të tjera që nga politika deri tek feja, që nga shteti i drejtësisë deri tek shërbimet e policisë, që nga organizatat joqeveritare deri tek qendra apo shoqata me kombësi tjetër apo me shtyrje në territorin tonë të veprimeve trafikante apo kriminale që e kanë origjinën në rajon apo më larg sesa kaq.

Unë kërkoj në këtë funksion që kjo fazë e re e reformës ku po hyjmë të sjellë më shumë kapacitete profesionale dhe përgjegjësi ligjore, më shumë kontribute të SHISH për sigurinë kombëtare dhe të rendit kushtetues në vend. Kërkoj që veprimi juaj të jetë më i zhdërvjellët, më agresiv, më bashkëpunues me të gjithë të tjerët, shërbimet partnere të vendit apo aleatëve tanë strategjik. Kjo për shkak se krimi po shfaqet gjithnjë e më i sofistikuar dhe për shkak të goditjeve që ne i kemi dhënë dhe më agresiv.
Në 18 muaj edhe për shkak të kontributit tuaj i kemi dhënë goditje serioze paraindustrisë së trafiqeve apo grupeve të krimit të organizuar dhe në këtë fazë edhe me pasoja tragjike, unë dhe drejtuesit e organeve të specializuara të shtetit, pas analizave të përbashkëta gjykoj se ka një kundërveprim të organizuar të rrjeteve të krimit të organizuar për të rifituar terren dhe për të mbrojtur Status quo-n e deridjeshme.

Nuk dua që të kuptohet në mënyrë fataliste, as sikur po lëshoj sinjale paniku të shtetit përballë krimit. Ju e dini që për këtë jeni këtu, për këtë funksion është ngritur shërbimi informativ i shtetit, prandaj shërbimi juaj inteligjent duhet të jetë në mënyrë standarte profesional dhe efikas dhe standarti ynë i sotëm është më i lartë se i djeshmi sepse kundështarët e shtetit janë më profesionale se më parë, më të pajisuar, më të sofistikuar. Sfida që duhet të fitojmë është të mos i lejojmë të jenë më rezultativë se ne, më konkurues se ne dhe për pasojë më të dëmshëm se më parë në kërcënimin e sigurisë së shtetasve dhe të stabilitetit e sigurisë kombëtare të vendit.

Ju e keni filozofinë, legjislacionin dhe fushën tuaj të veprimit, ashtu siç keni instrumente dhe kulturë profesionale specifike për të ushtruar veprimtarinë. Për të bërë përfundimisht pa ekuivok këtë gjë juve nuk ju lejohet të silleni si policë, nuk ju lejohet të jeni prokurorë apo gjykatës, nuk ju lejohet të jeni sipërmarrës apo politikanë. Ju jeni, pavarësisht nga regjimet dhe në të gjitha kohërat, heronj të heshtur.

Nuk besoj se mund të tolerohet që krimi të bëjë viktima, që krimi rekruton dhe paguan jo vetëm tek qytetarët e pafajshëm, por edhe në mesin e heronjve, heronjve të këtij shërbimi, heronjve të policisë, heronjve të shtetit ligjor. Prandaj unë do të kërkoja edhe nga ju, siç po bëjmë edhe me policinë e shtetit, të verifikoni vetveten, resurset, funksionarët në raport me kriterin e tolerancës zero me trafiqet dhe krimin, ndaj abuzimit dhe korrupsionit, ndaj interesave të qarkullimit të parave me burim trafiqet dhe që kërkojnë të pastrohen në jetën civile të vendit.

Unë dua t'ju deklaroj në mënyrë të prerë dhe publike që armiqtë e shtetit dhe të shtetasve me të cilët ju do të merreni ligjërisht nuk janë kundërshtarët e mi politikë, por janë terrorizmi, krimi i organizuar dhe trafiqet e paligjshme.
Unë dua që në këtë analizë të gjykojmë njëlloj sesi i shërben SHISH shtetit dhe qeverisë, në luftën e përbashkët me këta armiq dhe me askënd tjetër. Në luftën e përbashkët me aleatët e mëdhenj, që asistojnë qeverinë dhe institucionet drejtuese të shtetit në procesin e konsolidimit të demokracisë në vend, të forcimit të sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon dhe të kundërvënies efikase ndaj rreziqeve globale nga terrorizmi dhe industria e trafiqeve, që ushqehet nga krimi i organizuar.

Për pasojë, unë nuk mund t'i dorëzohem kaq kollaj atij fakti që del edhe në raportin e analizës suaj, që pas një viti e gjithë analiza e veprimtarisë së SHISH të rezultojë sikur është analizë e veprimtarisë së antiterrorit kryesisht. Unë dua që i gjithë shërbimi informativ i shtetit të jetë efikas dhe të funksionojë si struktura e antiterrorit. Me këtë nuk ndahem por bashkohem me vlerësimin që i keni bërë këtij departamenti, por unë ndahem, për të mos lënë jashtë vëmendjes dhe analizës sektorë të tjerë që janë po kaq prioritarë.

Natyrisht, ju informoni dhe procesi i informimit është instrumenti kryesor që kushtëzon të gjithë segmentet e tjerë të funksionimit të shërbimit dhe bashkëveprimit tuaj me organet e tjera të shtetit ligjor. Pra ka shumë për të bërë ende në mbledhjen me një sistem profesional, të sigurtë nga origjina dhe të garantuar për nga efekti, për të gjithë organet e tjera që e konsumojnë informacionin tuaj në dobi të parandalimit, të neutralizimit dhe të kurimit radikal të pasojave të veprimtarive kriminale që identifikojmë, të trafiqeve të paligjshme, të krimit apo prodhimit të lëndëve narkotike.

Të gjitha këto shfaqen të integruara me njëra-tjetrën dhe sistemi juaj i informimit dhe i bashkëveprimit me informacion të sigurtë duhet të jetë i integruar me agjencitë e tjera të shtetit. Ju nuk mund t'i shmangeni përgjegjësisë për të krijuar provën deri në hapat e fundit të ndëshkimit të krimit në gjykatë. Ju nuk e krijoni dot të vetëm provën, atë gjyqësore, ligjore, provën me të cilën gjykatësit do të lexojnë vetëm nenin e Kodit Penal që ndëshkon veprën kriminale dhe prandaj kërkojnë që ju të vlerësoni informacionin që prodhoni, sipas detyrës ligjore që keni si element të provës kriminale, që duhet të bllokojmë. Kam përshtypjen se jeni larg kësaj gjëje. Po të ishit afër nuk do të shkruanit kaq kollaj çdo thashethem personi andej këtej në dokumenta të informacionit të klasifikuar zyrtar.

Z. Drejtor,
Z. Nëndrejtor,
Të nderuar specialistë!

Shikojeni me këtë sy punën tuaj. Ju keni drejtori apo departamente të një karakteri më përgjithsues, ngandonjëherë bezdisshmërisht shkencorë këtu në qendër, prognoza dhe analiza. Jepjani detyrën atyre, të qëmtojnë dhe të konkludojnë sa larg dhe si do t'i afrohet sistemi juaj i dokumentacionit, dokumentacioni juaj informativ provës kriminale. Merrni lexoni disa nga informacionet tuaja për të arsyetuar sa nga këto llafe përbëjnë provë kriminale. Po tregohem shumë luajal dhe i sinqertë dhe po jua them hapur publikisht. Shumë pak nga informacionet tuaja përbëjnë element të provës kriminale. Për dy arsye dhe jo vetëm për fajin tuaj.

E para, duhet të transformohet mentaliteti historik dhe tradicional i shqiptarëve kur thonë se në Shqipëri spiunët punojnë pa lekë. Informacion pa para nuk na duhet më, sepse informacion pa para mund të japë edhe ndonjë biznesmen për të eleminuar kundërshtarët e vet në treg, për të mos hyrë pastaj në politikë. Ose dizinformacioni i rrezikshëm që mund të japë krimi për të spostuar vëmendjen e shtetit.

Ky është vetëm një element i dobësisë së informacionit dhe efektit parandalues që ju prodhoni. Elementi tjetër është loja e kungulleshkës me policinë dhe shërbimeve të tjera deri me prokurorinë dhe gjykatën. Duke e ditur që informacioni juaj nuk është aq goditës sa duhet, luani lojën e kungulleshkës, e cila nuk e keni idenë sa bukur zhvillohet në tavolinën time për t'ia hedhur fajin të tjerëve. Prandaj ju thashë se nuk ju lejohet të silleni si polici, sepse edhe policit nuk i lejohet të sillet si agjent i SHISH.

Ju jeni të pazëvendësueshëm për identifikimin e informacionit për provën kriminale, por nuk mund ta krijoni të tërën vetëm. Prandaj keni shtruar përgjegjshmërisht nevojën e strukturave të bashkëveprimit multioperacional dhe të organizimit më të mirë, të koordinimit e bashkëveprimit tuaj me policinë, doganën, me fiskun apo me organizata të tjera të specializuara të shtetit, që sipas ligjit identifikojnë, bllokojnë dhe ndëshkojnë veprimin e paligjshëm.

Megjithatë, me policinë keni filluar të punoni më mirë, por nuk është i vetmi organ me të cilin duhet të bashkëpunoni. Kam përshtypjen se e keni shumë të ulët, shumë afër zeros bashkëveprimin me organet e informimit e të hetimit në dogana e financa. Nuk besoj, por nëse ka ndonjë shenjë kapadaillëku, që ju jeni të vetmit agjentë të shtetit në Shqipëri, harrojeni këtë gjë. Ju nuk jeni të vetmit, ka agjentë në polici, të antikontrabandës, të shërbimit civil, që mbikqyrin edhe drejtuesit edhe funksionarët e shërbimit civil, si i respektojnë detyrat ligjore. Ka agjentë të Kontrollit të Lartë të Shtetit që ju kontrollojnë dhe juve, agjentë janë dhe ata, agjentë ka dhe Prokuroria që hetojnë. Dhe të gjithë këta agjentë duhet ta ndihmojnë gjykatën për të dhënë drejtësi, përndryshe do të mbetemi në kohën e thashethemeve dhe shumëfishimit që i bëjnë politikanët thashethemeve, duke dëshpëruar shtetasit apo rininë për të jetuar në këtë vend.

Z. Drejtor dhe funksionarë të SHISH-it,

Duhet të mësoni të konsideroni partnerë edhe drejtuesit e doganave, edhe drejtuesit e tatimeve, edhe ekspertët e antikontrabandës, të policisë tatimore, të policisë elektrike, të asaj të ndërtimit, agjentët e departamentit të pastrimit të parave në Ministrinë e Financave apo të Bankës së Shqipërisë dhe të shtoni vlerësimin dhe gjykimin për të identifikuar në të gjithë sektorët e jetës shtetërore kush janë ata që bëjnë të njëjtën punë në substancë dhe funksion si ju, pavarësisht nga fusha dhe specifikat e sektorit. Të gjitha këto sëbashku duhet t'i fusin ata në një skemë të normuar, pra, detyrimi për rezultat të sigurtë.

Unë do t'ju ftoja z. drejtor me këtë vizion. Unë i kuptoj ndërhyrjet e pjesëshme që shpesh evidentohen nga dështimi apo nga analiza e veprimtarisë së një sektori apo pjesë e territorit në një periudhë kohe, por duhet të ndërhyjmë në riorganizimin strukturor të punës suaj dhe të pikave të kontaktit me gjithë të tjerët, me këtë vizion që nuk jeni vetëm, por jeni të pazëvendësushëm për funksionin që kryeni. Ta konsiderojmë si një sistem enësh komunikuese, ku po nuk futët ju lëngun e saktë të parin, i cili filtrohet në pjesë të tjera të mekanizmit të luftës kundër iligjitimitetit, antiterrorit, korrupsionit, pasuri të pameritura, para të qelbura etj. Po nuk futët ju të parët lëngun e pastër të fillimit e gjitha do të ndotet. Kriminelët e paguajnë ndotjen e pistës së hetimit.

Unë jam gati t'ju financoj vetëm për këtë dhe jo për luks. Për këto gjëra janë edhe partnerët e aleatët tanë të gatshëm të na financojnë. Por ky është projekt dhe duhet të jetë projekt konkurues. Financimet merren me projekte sot, jo me miq. Para meje janë marrë me miqësi paratë për ju, apo janë dhënë për t'u prishur nga ju para klienteliste. Nuk ka më kështu. Bëni projekte dhe konkuroni. Në tryezën e qeverisë konkuroni me shërbimet e tjera të specializuara të shtetit, por konkuroni dhe me shërbime partnere.

Ju nuk mund ta fshihni nga qeveria apo partneret shkallën e mjaftueshme apo të pamjaftueshme të efikasitetit tuaj. Ka mundësi, t'ju lajmëroj zyrtarisht, se kryeagjenti më i madh i të gjitha shërbimeve të shtetit në Shqipëri jam unë, Kryeministri. Prandaj të gjithë aleatët ligjorë vendas apo ndërkombëtar me të cilët bisedoni ju, bisedoj dhe unë. Prandaj ne duhet të qarkullojmë të njëjtën përgjegjësi, të njëjtin vlerësim kritik për nevojat e përformancës që duhet të rritet tek ju dhe për shkakun tuaj tek gjithë të tjerët. Jeni hallka e parë e atij sistemi të ndërlikuar të goditjes shtetërore ndaj krimit dhe të veprimit që shkel ligjin, ose veprimit që lë në mungesë zbatimin e tij. Në sytë tuaj ashtu si në gjykatë për shkak të Kodit Penal veprimi në kundërshtim me ligjin apo mosveprimi në referencë të ligjit duhet të jetë njëlloj shkak për të informuar dhe krijuar elementë të provës kriminale.
Nga kjo pikëpamje besoj se edhe ju jeni dakort se megjithëse e keni filluar, sistemi dhe drejtimi Task Force edhe brenda jush edhe me të tjerët me porositë që unë dhashë në qershor 2003 nuk keni arritur të organizoni dhe të vini në funksionim me dimensionin që kërkohet.

Ju duhet të shkundni apatinë e palejueshme në metodat dhe mënyrat e ushtrimit të veprimtarisë që unë konstatoj. Ka mungesë idesh, fantazie, përkushtimi dhe besimi. Nëse ju nuk besoni tek suksesi i punës që bëni e kotë që flasim. Tipari numër një i heroit të heshtur është besimi i patundur tek efikasiteti i veprimit që kryhet në kohë, tek mosharxhimi i kohës kot. Pyeteni veten: keni kohë të harxhoni kohën kot? Të harxhojmë kohën kot do të thotë të shkruash edhe një gjë të pasaktësuar.

Unë shpesh konstatoj në kontakt që ju prodhoni - analizat që ju takojnë ju me shërbimet e tjera - gjëra boshe, hapësira boshe, veprime pasive, veprime të munguara, të vonuara, shpesh edhe veprime të papërgjegjshme. Kjo më bën të ndaj me ju shqetësimet për mungesë efektiviteti dhe objektiviteti në kryerjen e funksionit tuaj parandalues, informues dhe të pazëvendësueshëm në kontributin e luftës shumëdimensionale të shtetit ndaj krimit të organizuar, trafiqeve, abuzivizmit dhe korrupsionit.

Meqenëse nuk kontestohet dot se ka probleme të dorës së parë, që po të dominohet në mënyrë të sigurtë e bëjnë gjithë jetën shoqërore dhe punën e institucioneve të rrjedhë në mënyrë normale, atëherë treguesit e performancës me të cilën vlerësohet për karrierë dhe shpërblim cilido nga funksionarët e shërbimit, nuk mund të jenë zgjidhje problemesh të dorës së dytë dhe të tretë. Pra anashkalim i problemeve shqetësuese të rendit dhe sigurisë në vend, ku është e pafalshme rutina apo përcjellja e përgjegjësisë tek të tjerët.

Unë vërej jo rrallë deformim të procesit informativ, që jo vetëm nuk i delegohet direkt për veprim institucionit konsumues, por në disa raste rrezikon, siç ka ndodhur të djegë dhe dekonspirojë burimin e informacionit, e kam fjalën për bashkëpunëtorin e vërtetë dhe jo burim konfidencial me të cilin shpesh spekullohet vend e pavend. Për bashkëpunëtorin e vërtetë që për fat të keq e vini në pozita djegieje ose mosveprimi sepse deformohet procesi informativ. Këtë e kam informacion direkt nga ju.

Shpesh drejtuesit tuaj kanë shprehur shqetësimin që për papërgjegjshmëri ose mungesë respektimi të procedurës ligjore të informimit na vihen në rrezik burimet e informimit, bashkëpunëtorët e vërtetë dhe pastaj fazë pas faze mezi i kemi ringjallur. Na është dashur të përballojmë, të tkurrim pasivitetin e tyre dhe t'i kërkojmë të riaktivizohen.

Besoj se e kuptoni pse është Ministri i Rendit sot në krahun tim. Ja që unë nuk ndihem si veshka mes dhjamit, në krahun tjetër kam drejtorin. Bashkëpunimi mes jush ende është i çalë. Kam parasysh edhe debatin e fundit që çelëm në Komisionin Parlamentar të Rendit dhe SHISH. Por, sidomos unë kërkoj që duke u perfeksionuar bashkëpunimi midis jush,- jeni dy hallkat e para dhe vendimtare të goditjes ndaj krimit,- të forconi dhe ta vini nën goditje, nën një efikasitet bashkëpunimin midis jush, prokurorisë, doganat, tatimet, apo institucionet e tjera. Duhet ta bëni ballas dhe hapur. Që ta bëni hapur dhe pa rezerva këtë gjë duhet të çrrënjosni përfundimisht ndonjë ide se shërbimi juaj është ilegal. Jeni shërbim legal, ju keni rregullat e informacionit të klasifikuar sipas ligjit, dhe kërkesa e llogarisë brenda jush dhe përballë të tjerëve për cilindo që nuk e respektojnë ligjin duhet ta bëni ballas, hapur.

Akuzën e bllokimit e deformimit të informacionit se ju del burimi, gjithashtu, duhet ta bëni ballas. Nuk mund të garantohet suksesi i goditjes së krimit nëse për shkak të deformimit të procesit informativ korruptohen provat që ne nisim. Nuk mund t'ia lëmë askujt tjetër përgjegjësinë për mosvlerësimin e krimit nëse prova që nis është e korruptuar.

Jeni një institucion plotësisht ligjor dhe nuk jeni klandestin. Unë kërkoj që t'i jepni fund gjendjes skandaloze të mungesës së kamuflimit legal të punonjësve të SHISH në sektorë të ndryshëm të administratës. Shpesh herë vijnë informacione nga sektorë të ndryshëm me firmën tuaj dhe detyrohem të komunikoj me drejtuesit e sektorit për të cilën informoni ju. E vërtetë është që spiunin e KESH e njohin të gjithë, të doganave e njohin të gjithë etj. Prandaj duhet t'i jepni fund mungesës skandaloze të kamuflimit legal të agjentëve dhe bashëkëpunëtorëve legalë të SHISH në të gjithë sektorët e administratës civile dhe fushat e veprimtarisë shtetërore, ku ligjërisht duhet të jeni prezent. Përndryshe do të vazhdojë të dominojë mentaliteti dhe përçmimi për kalecët, të cilin nuk e respekton askush.

Unë flas me ju me të njëjtin vlerësim dhe kërkesë për partneritet si me të gjithë të tjerët. Nuk ka hierarki ligjore në organet e ndryshme të specializuara shtetërore që luftojnë ilegjitimitetin dhe krimin. Janë të gjithë njëlloj dhe të denjë por në funksione të ndryshme. Unë e vuaj më shumë se ju, kur cilido nga shërbimet e tjera fyen punonjësit e shërbimin. Unë e vuaj më shumë se ju, kur në tryezën e sigurisë që drejton Kryeministri, faji quhet jetim apo fillojnë akuzat e paargumentuara nga një shërbim tek tjetri. Unë e vuaj shumë më tepër, dështimin e ndëshkimit për shkak të cilësisë së provës apo mungesës së provës kriminale në gjykatë. Të gjithë e dinë se nëse ka kontakte dhe ulërimë të Kryeministrit është në të gjitha rastet kur liron Prokuroria apo gjykata kriminelë që të gjithë e dinë se është i rrezikshëm,- kur unë dëgjoj nga Prokurori apo gjykatësi se mungonte prova. Duhet të kuptoni pse flas me këto tone sot me ju, kështu kam folur dhe do të flas në analiza në të gjitha shërbimet e tjera

Dhe kjo nuk është e gjitha. Më lejoni të them se jam shumë i deziluzionuar nga mossuksesi juaj për t'i infiltruar në grupet kriminale. Na jepni shembullin klasik të të gjithë kohërave të heronjve të heshtur sërish. Jam këtu për ta përmirësuar frymën, klimën, besimin tek suksesi edhe në gjirin tuaj edhe në bashkëpunim me të gjithë të tjerët. Përgjegësitë aty janë, mangësitë aty janë, në programet tuaja dhe analizat e punës detyrat i keni të adresuara. Nuk jam këtu për të prerë kokat. Jam këtu për të krijuar një koncept ndryshe, një besim të patundur, një frymë partneriteti brenda jush dhe me gjithë të tjerët, që këto gjëra të korigjohen me profesionalizëm, me kërkesë ligjore, me patriotizëm, me veprim organizativ, strukturor, metodologjik.

Ndaj mos u mjaftoni duke vlerësuar vetëm drejtorinë e antiterrorit. Ruajini tek ata xhevahiret që keni krijuar, por ama filloni një program erasmus brenda jush që të shkëmbeni eksperiencën e drejtorisë së antiterrorit. Kërkoni dhe merrni prej partnerëve tuaj, për të gjithë sektorët prioritarë, më shumë eksperiencë dhe trajnim, siç keni arritur me atë departament. Po flas për rezultate të munguara dhe jo dështime, po flas për një reagim vlerësimesh dhe rezultatesh sipas prioriteteve.

Lufta kundër terrorizmit na bën performantë për sigurinë e vendit dhe në kompeticionin global kundër këtij rreziku global. Lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit është detyrë shtëpie. Na ndihmoni që rekordet e vendit të mos jenë të dobëta.

Z. Drejtor, të nderuar drejtues,

Të gjitha këto unë mendoj se mund të bëhen duke folur hapur me njëri-tjetrin. Edhe procedurat legale të rekrutimit, trajnimit, promovimit në karrierë. Mendoj se ju duhet t'i kushtoni rëndësi të pazëvendësueshme procesit të testimit të punonjësve ekzistues dhe atyre të rinj, i cili, sipas manualeve të punës suaj dhe të shërbimeve partnere, kërkon që punonjësi i shërbimit sekret të dijë të sillet me njerëzit, të jetë i aftë të bashkëpunojë me të tjerët në kushte të vështira, të dijë të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, të jetë në gjendje të dallojë të rëndësishmen nga ajo e dobëta, të jetë i shkathët për të dalë nga çdo situatë e vështirë, të jetë kureshtar dhe i etur për të mësuar, të tregohet i vëmendshëm ndaj hollësirave më të vogla, t'i formulojë mendimet e veta qartë, shkurt dhe në mënyrë thelbësore, të mësojë të heshtë kur është e nevojshme, të mos jetë i ashpër, intolerant dhe kokëfortë. Janë manualet tuaja, janë shumë të vlefshme edhe për shumë të tjerë. Bëjini mirë ju se do të më ndihmoni edhe mua për të gjetur një model efikas të funksionarit ligjor.

Punonjësi sekret nuk mund të jetë më shumë se ç'lypet ambicioz dhe prandaj " të digjet" për tu shpërblyer moralisht nëpërmjet falënderimeve nga drejtuesit apo materialisht në formën e shpërblimit. Edhe njëra edhe tjetra e dëmtojnë shërbimin sekret, i vrasin përkushtimin profesional, kënaqësinë profesionale, moralin e shërbimit dhe të bashkëpunimit. Besoj se për të gjithë ju është e domosdoshme diçka tjetër, askush nuk mund ta mësojë atë: nuhatjen profesionale.

Këto janë elementë të testimit dhe të rekrutimit. Prandaj bëjini tuajat këto kritere dhe rregulla të arta të manualeve të shërbimit. I keni manualet e shërbimeve partnere, zbatojini mbi bazën e ligjeve dhe të rregulloreve në të mirë të punës dhe të vendit.

Pra, shumë miqësisht dua ta mbyll duke konkluduar se 2004 do të jetë një vit transformimesh rrënjësore edhe në këtë shërbim, përmes të cilave unë kërkoj që ju të bëheni pjesë integrale e koherente e transformimeve reformuese, që kalon i gjithë vendi. Kështu do të ketë më pak krim të organizuar dhe më shumë siguri për të gjithë.

Punë të mbarë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›