Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë, Drejtorin e Kërkimeve në Qendrën e Studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Institutit të Shkencave Politike të Pa
Kryeministri Fatos Nano ka pritur sot në një takim të veçantë, Drejtorin e Kërkimeve në Qendrën e Studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Institutit të Shkencave Politike të Parisit, Jasques Rupnik.
Në këtë takim është biseduar rreth forcimit të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit të Ballkanit ku Shqipëria ka luajtur dhe luan një rol moderator dhe stabilizues në rajon. Bashkëbiseduesit kanë ndarë të njëjtin mendim për forcimin dhe përafërim të mëtejshëm të marrëdhënieve midis këtyre vendeve, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të qenieve njerëzore.
Kryeministri Nano duke vlerësuar gjenerimin e ideve të reja nga ana e Institutit të Shkencave Politike të Parisit në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare është shprehur për veprime e aksione të përbashkëta për një përafrim integrues edhe më të madh të këtyre vendeve.
"Qeveria Shqiptare ka treguar dhe po tregon angazhim të plotë e vullnet maksimal për forcimin e marrëdhënieve ndërrajonale si në fushën e energjetikës, infrastrukturës, krijimit të një tregu të përbashkët nëpërmjet Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, si dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve në rajon e më gjerë, si një hap drejt integrimit institucional drejt strukturave euroatlantike", tha Kryeministri Nano në këtë takim.
Më pas Kryeministri Nano ka theksuar rëndësinë e krijimit të një rrjeti institucionesh rajonale interaktive në një luftë të përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. "Lufta kundër tyre do të ndikojë në thellimin e reformave dhe zbatimin e prioriteteve të Qeverisë shqiptare si dhe për stabilizimin dhe sigurinë e vendit e të rajonit", shtoi Kryeministri.
Nga ana e tij z. Rupnik falënderoi Kryeministrin Nano për pritjen dhe vlerësoi angazhimin e Qeverisë shqiptare dhe kontributin e saj në krijimin e një klime miqësore dhe një fryme bashkëpunimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai është një njohës shumë i mirë i problemeve të Kosovës, botimi i fundit i të cilit është edhe vepra "Ditari Ballkanik".