E Diel, 1 Nëntor 2026

I nderuar Kryetar, Të nderuar Kolegë Zonja dhe Zotërinj, E ndjej si detyrim ta hap fjalimin tim në këtë takim me një lutje në nder të kujtimit për viktimat e aktit më të fundit

I nderuar Kryetar,

Të nderuar Kolegë

Zonja dhe Zotërinj,

E ndjej si detyrim ta hap fjalimin tim në këtë takim me një lutje në nder të kujtimit për viktimat e aktit më të fundit terrorist në Stamboll dhe Nasiria (Irak) ku shumë njerëz të pafajshëm dhe luftëtarë të lirisë humbën jetën.

Më lejoni që në emër të Qeverisë dhe popullit Shqiptar t'ju shpreh keqardhjen më të thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta drejtuesve të qeverive të tyre, si dhe njerëzve të afërt të viktimave. Shqipëria dënon ashpër të gjitha format e terrorizmit që paraqesin një kërcënim të madh për shoqëritë tona demokratike dhe për paqen dhe stabilitetin në botë. Vendi im do të qëndrojë gjithmonë në krah të forcave aleate dhe SHBA për të përmbushur detyrimet e veta në luftën pa kushte kundër kësaj të keqeje globale.

Është bërë tashmë traditë, që çdo vjeshtë, (këtë herë falë mikpritjes polake), në kuadër të kësaj Nisme ne mblidhemi në këtë tryezë për të vlerësuar arritjet tona, për të shkëmbyer ide dhe eksperienca, dhe gjithashtu të inkuadrojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen.

Eksperienca 14 vjeçare e kësaj Nisme, është më tepër se një provë e përfitimeve që gjenerohen nga samite të tilla, si elemente thelbësore për vendosjen dhe intensifikimin e kontakteve personale, në funksion të kapërcimit të pengesave dhe sfidave të integrimit.

Zonja dhe Zotërinj,

Në perspektivën tonë, nismat rajonale dhe multilaterale kanë një rëndësi mjaft të madhe për përparimin e proçesit të integrimit. Ne duhet t'i shohim ato si "Universitete" ku gërshetohen interesat globale dhe kombëtare duke rritur kështu konvergjencat dhe finalizimin e strategjive dhe politikave për forcimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal.

Shqipëria është një anëtare aktive e Nismës Ndër-Europiane. Ne e konsiderojmë ndërveprimin rajonal, si një kontribut të drejtpërdrejtë për promovimin e rritjes, sigurisë dhe stabilitetit, që siguron gjithashtu një mbështetje politike dhe financiare për projekte të lidhura me zona prioritare të zhvillimit.

Ne e vleresojmë rolin e saj në promovimin e Investimeve Direkte të Huaja, liberalizimin e tregut, bashkëpunimin ekonomik dhe mirëkuptimin gjithmonë e në rritje midis vendeve tona, që në të njëjtën kohë ruan dhe përmirëson dimensionet sociale-ekonomike dhe etno-kulturore për çdo vend anëtar.

CEI ka siguruar një mundësi për financimin dhe implementimin me interes kombëtar dhe rajonal, duke fuqizuar ndërvarësinë e dobishme, me rezultate domethënëse në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta politike, ekonomike dhe shoqërore. Në këtë kuadër, kontributi Italian, përmes një "trust fund" prej 27 milionë eurosh ka rezultuar si një eksperiencë e suksesshme e shoqëruar me impakte konkrete.

Të nderuar Kolegë,

Më 1 Maj 2004, BE do të mirëpresë valën më të madhe prej 10 anëtarësh, pesë prej të cilëve janë anëtarë të Nismës së Europës Qëndrore. Kjo do të shoqërohet nga një impakt pozitiv si për rajonin tonë ashtu edhe për këtë Nismë (CEI).

CEI na siguron një kornizë të spikatur, përmes shkëmbimit të eksperiencave të përbashkëta mes vendeve, në nivele të ndryshme të proçesit të përafrimit me BE. Ne e konsiderojmë këtë një vlerë që i shtohet përpjekjeve të çdokujt për t'u përballur me sfidat që kemi përpara.

Prania e vendeve anëtare të BE-së në CEI kontribuon si një urë bashkimi jo vetëm për ta bërë më dinamik progresin tonë drejt standarteve dhe vlerave të BE-së por edhe të na transmetojë shpirtin e solidaritetit që qëndron në themelet e Komunitetit Europian.

Shqipëria, si vendet e tjera të Europës Juglindore, që aspirojnë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian, mirëpriti vlerësimin e Samitit të Selanikut për Ballkanin Perëndimor si një pjesë integrale e Europës dhe me një të ardhme të padiskutuar në Bashkimin Europian.

Ne konstatojmë me kënaqësi se i njëjti mesazh është dërguar edhe nga Presidenca Italiane, e cila e ka vendosur Ballkanin Perëndimor në krye të axhendës së saj. Ne mbetemi të bindur se të njëjtat ide dhe objektiva do të triumfojnë edhe gjatë Presidencës Irlandeze dhe asaj të Luksemburgut.

Shqipëria mbetet e angazhuar, në vend dhe në rajon, për arritjen e standarteve më të larta në të gjitha fushat, veçanërisht në atë të forcimit të ligjit, të politikave të qëndrueshme makroekonomike, të zhvillimit si dhe në konsolidimin e sistemeve të tregut të lirë, menaxhimit të kufijve dhe luftës kundër korrupsionit.

Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv, si një faktor prodhues i stabilitetit dhe moderatore në marrëdhëniet rajonale.

Ne vlerësojmë së tepërmi vendosmërinë e SHBA dhe BE për të sjellë në rrugën e Integrimit Europian Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, në përputhje me axhendën e përbashkët të vendeve Ballkanike.

Në këtë kuadër, ne mirëpresim standartet e reja të planit të implementimit në Kosovë, që përcaktojnë një hartë të detajuar duke nënvizuar qëllime dhe afate të qarta dhe specifike. Ne jemi të bindur se përmbushja e këtij plani kërkon një angazhim të madh nga kosovarët dhe palët e tjera të përfshira në këtë proçes. Plani i ri kërkon një mbështetje edhe më të madhe nga BE, OSBE dhe SHBA, në përftimin e ndihmës për ta sjellë Kosovën drejt Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Ne besojmë se dialogu i drejtpërdrejtë Beograd-Prishtinë, si një nga standartet me kryesore për t'u arritur, është instrumenti më i rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve dhe çështjeve praktike. Ne do të vazhdojme të mbështesim dhe të promovojme më tej progresin në drejtim të dialogut të sapofilluar midis palëve të interesuara.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Pavarësisht nga ndryshimet në progresin e reformave, axhendat tona të bashkëpunimit për integrimin rajonal janë komplementare. Ne besojmë se vendosja e zonës së Tregtisë së Lirë Rajonale dhe implementimi i projekteve kryesore të infrastrukturës, siç është Korridori Pan-Europian, i shërbejnë në mënyrën më të mirë të mundshme përmbushjes së nevojave thelbësore të shoqërive tona. Orvatje të tilla rrisin lëvizjen e lirë të mallrave, vlerave dhe kulturave, si inputi më i pasur në rritjen tonë për integrim.

Zhvillimi i infrastrukturës mbetet një sektor ku ne kemi nevojë për një mbështetje aktive. Korridori i tetë mbetet prioriteti kryesor, si shtylla më e rëndësishme e bashkëpunimit midis vendeve të Europës Juglindore, duke i drejtuar prirjet e tyre të së ardhmes drejt destinacionit tonë të përbashket - Bashkimit Europian.

Ne e vleresojmë së tepërmi punën e bërë nga Qeveria Italiane në mbështetje të kësaj nisme.

Dalja me një zë të vetëm në adresimin e problemeve të përbashkëta, është një shenjë reale e pjekurisë, e cila i shtohet vullnetit të vendeve tona, për ndërveprim drejt arritjes së një proçesi gjithmone e më kërkues drejt integrimit Europian.

Dhe së fundmi, më lejoni t'i uroj suksese Z. Anton Rop dhe Presidencës së re Sllovene. Besoj se ky vit do të na çoje të gjithëve drejt arritjeve më të medha të përbashkëta. Shqipëria do të mbetet maksimalisht e angazhuar për t'i drejtuar të gjitha energjite dhe përpjekjet e veta në realizimin e progreseve në axhendat e integrimit rajonal dhe më gjerë.

Ju Faleminderit

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›